Përralla më e “shtrenjtë” e të gjitha kohërave!

(sguraziu – ars poetica, shk 2019 – filmofilia moderne, diç si koment)

Në faqen e “USA Today” (i joshur nga fjala “mega-budget”, klikova dhe) m’u servir të lexoj diç për filmat më të shtrenjtë që qenkan bërë në historinë e kinematografisë. Aty thuhej se Avatar (2009) paska qenë më i shtrenjti i të gjitha kohërave, paska kushtuar afro gjysmë miliardi $, dhe paska patur fitimprurjen marramendëse mbi 3 miliardë $. Madje vetëm për reklamat i paskëshin shpenzuar 150 milionë $. Booo… 1 film si përrallë, dhe sa buxheti i 2 shteteve shqiptare, ec e mos u “çudit” (atëbotë buxheti i 2 shteteve mund t’mos ketë qenë më i madh, e kam me gjithë mend : )

U ndala dhe po kujtohesha – dale ore… habia jote me “vonesë”, ja dëshmia që s’je filmofil, s’je madje as librofil, sa për filmoman hiç se hiç : ) Gjatë gjithë vitit s’i sheh as 4-5 filma gjithsej, Avatar i bie të jetë bërë sot e para 10 viteve. E megjithatë, gjatë jetës ka qëlluar 2-3 filma i ke parë askund tjetër por pikërisht në Tiranë. Dmth. m’u kujtua që patëm vajtur (aty brenda hotelit Sheraton kishte kino) dhe kur duhej blerë biletat mësuam se filmi quhej “Avatar”. Who cares… thjesht t’mos jetë tepër kot e monoton, thjesht t’jetë diç për argëtim.

Dhe s’duhet mohuar, na pati zbavitur e shastisur, pati qenë një përrallë e “paparë” deri atëherë, as parë, as e dëgjuar, as e lexuar. Mjaft përrallë e bukur për të rritur (diç ngjashëm siç janë dhe përrallat filmike të Disney për fëmijët, diç si Cinderellat për çupat, si Tom & Jerry për çunat). Më kujtohet, njëfarë “tigri i zi dhe i tmerrshëm” na pati frikësuar bukur fort. Tani pas 10 viteve mësova se paska qenë (dhe ende qenka) “përralla” më e shtrenjtë e të gjitha kohërave!

Epo… pse jo, as vëllezërit Grim s’ishin diç tjetër, s’ishin filmaxhinj por ishin kërkues kulturor, tërë jetën të etur e të uritur për kulturë, shkrimtarë të palodhshëm, e patën mbledhur dhe përrallizuar ndoshta gjithë folklorin gjerman. Nëse përrallat mund t’jenë si libra, pse t’mos jenë dhe si filma – vetë s’je as filmofil as librofil, por etja kulturore e njerëzve është e madhe dhe e pashtershme : )

[ fotoja ngjitur: poster i filmit “Cinderella” ]