Fb-pafajësia dhe patetizmi

…një nga gjërat jo aq të mira të Fb (aty-këtu, unë ndonjëherë flas për të “këqijat”, pasi për të “mirat” s’është nevoja, i di gjithë bota) është fakti se në jetën e njeriut disa gjëra janë të paharrueshme, ngelin të stampuara diku, nuk shlyhen kurrë – dhe Fb me ato tekat e veta tani i gjen pikërisht personat që t’kanë përbuzur, injoruar, përulur, denigruar… e madje dhe poshtëruar (nëse ta kenë patur rastin) dhe të thotë “ja një dikush që mund ta njihni, bëje mik, miqësohu” – ore ti Fb, s’kam si… se të ngulfas, t’kap për fyti dhe ta zë frymën, s’më dhimbsesh aspak…

…ose ana tjetër e medaljonit (gjoja faqe shkëlqimtare, e praruar), Fb e gjen pikërisht vajzën që ti tinëz ke vuajtur, s’ke patur shans as t’i flasësh, s’ta ka varur kurrë në fakt, sepse ti o një varfanjak o ndonjë shëmtaraç, një askushi i hutuar pas mbijetesës dhe ecejakeve të jetës, dhe tani rishtas si një bukuroshe indiferente defilon para syve tu, le që s’të flet por s’të pranon as si “mik” as si “armik”, Fb duke të provokuar sikur të thotë “ja, plas nga inati e nga nostalgjia”… bo bo jooo mirë, aspak mirë, tepër “pa lidhje” dhe fort patetike : (
(s.guraziu – ars poetica, 19 shtat. 26 – koment)