Ndotja, dhe Protestat “Artistike” në Kinë

(sguraziu – ars poetica, mars 2019 – diç si koment)

(…në terasat e restoranteve s’ke si e provon supën pa i gjetur fillimisht buzët, ose për ta puthur të dashurën duhet të kënaqesh gjoja me “puçjet” ashtu mbi maskë : )

…të protestosh “artistikisht”, ëmbël e pa zhurmë mbase është po aq e nevojshme sa dhe ato protestat me bujë – natyrisht që konsiderohet protestë dinjitoze e serioze, madje mund të merret dhe si “art mjedisor” – thuhet se në Kinë frika ndaj ndotjes dhe pasojave të saj është e dyfishtë, sa është frikë reale po aq është dhe aso metaforike, dihet Kina… Kinë, larg qoftë ama politikanët e pagdhendur të lagjes gjërat “artistike” fare lehtë mund t’i interpretojnë shtrembër si “pakënaqësi politike”, andaj s’është aq e lehtë për kinezët t’i shprehin pakënaqësitë – me një ekonomi prore të “uritur”, me industri të gjithfarëllojshme, të lehtë, të rëndë e super-të rëndë, pothuaj 1.5 miliard banorë, duket e lehtë por dhe aq e lehtë s’është, jo vetëm duhet siguruar ushqimi e luksi për gjithë ata frymorë, jo vetëm duhet ndërtuar ura, rrugë moderne (njësoj si romakët dikur), viadukte, akuaduke, por duhet mbajtur dhe vrapin me botën “kapitaliste-imperialiste” rreth e rrotull : )

…gjithsesi, në rregull të gjitha, vizionet, ambicjet, ëndrrat, hapat, të gjitha janë 100% optimale, kinezët ashtu-kështu janë të mrekullueshëm, zor të matet kush me ta, mbarë botën e mahnitin me varietete të pafund buzëqeshjesh, me xingla-minglash kulturore… më shumë vizëllimash s’ka as vetë universi me yjet, këto 2-3 dekadat e fundit Kina thjesht e ka “përqafuar” shekullin e vet të prosperitetit, zhvillimi i qyteteve dhe i industrive përkatëse sa është impulsiv, e herë ndoshta dhe “eksploziv”, ngulëshimi zhvillimor megjithatë mbahet disi nën kontroll, kështu që pothuaj gjithçka mbase është në akord me planet e me konditat e “vrapit industrial”, mirëpo prapeseprape makineria gjigante industriale padyshim ka dhe “kundërindikacione”, si rrjedhojë smogu e pluhuri shpesh aq i dendur… aq sa mos pyet, në terasat e restoranteve s’ke si e provon supën pa i gjetur fillimisht buzët, lugën thjesht duhet futur disi nën maskë, ose për ta puthur të dashurën duhet të kënaqesh gjoja me “puçjet” ashtu mbi maskë, në shenjë proteste studentët u patën vënë madje maska qindra statujave të gurit, në v. 2016 si protestë “artistike” në Chengdu artistët u patën vënë maska skulpturave ose figurave njerëzore, maska u qenë vendosur dhe majmunëve-skulptura në zoo-kopshtin e Pekinit…

 

***
…si për ironi në v. 2019 pata komentuar rreth “maskave artistike” kineze, dhe si për ironi e dimë se COVID-19 qe zbuluar në Kinë, bota ende s’e kishin idenë rreth COVID-19, s’mund ta merrte kush as me mend pandeminë e përmasave të tilla (fatkeqësia pandemike, serioziteti dhe përmasat globale do t’na “shpaloseshin” gjatë 2020), ja që kinezët veç i kishin disa vite tashmë duke protestuar “artistikisht” me ndihmën e MASKAVE (kundër ndotjes industriale e kundër smogut) – pata komentuar
(sg-prill 2021)