Perimet alienike-holandeze, dhe “Pavarësia” e Marsit në v. 2050!

S. Guraziu – Ars Poetica, Q 2016

(…bileta njëdrejtimëshe për kolonistët, bimët alienike holandeze, patatet nga kopshtaria marsiane, “Pavarësia” e Marsit etj : )

Janë 4-5 organizata që vërtet kanë plane 100% serioze për ta kolonizuar Marsin, por nga më seriozët ndoshta janë: 1 – “Mars One” (e Holandës), 2 – NASA, dhe 3 – Elon Musk (CEO i SpaceX, bashkëthemelues i kompanisë Tesla).
NASA dhe E. Musk, siç e dimë janë amerikane, mirëpo le t’i lëmë kësaj radhe “amerikanët”… le të flasim për holandezët.

“Mars One” u themelua më 2012 nga Bas Lansdorp, dhe është aq serioze sa pritet që më 2023 ta kolonizojë Marsin me 4 kolonistë të përhershëm. Sipas Bas Landorp, bileta për në Mars është njëdrejtimëshe, s’ka kthim mbrapa. Ata që zgjedhen për të shkuar, duhet të rrinë dhe jetojnë atje përgjithmonë.

Tashmë veç janë lidhur marrëveshjet me Lockheed Martin (ShBA) për “hesapet” e transportit + të shkencave orbitale, naviguese etj. Janë seleksionuar dhe kandidatët-kolonistët (filtëruar nga mijëra e mijëra aplikime, nga e gjithë bota), dhe përgatitja, trajnimi i tyre 7-8 vjeçar ka kohë që ka filluar.

Shefi ekzekutiv (CEO) i “Mars One”, Bas Landorp thotë se deri në 2050 Marsi do duhej ta shpallë “pavarësinë” e vet, dmth. të funksionojë si koloni planetare totalisht e pavarur nga Toka.
Mirëpo për ndërmarrjen “Mars One” dhe për misionin realistik të kolonizimit të Marsit, nëse më premton koha dhe nëse ta kem vullnetin… do shkruaj herë tjetër.

Kur është fjala për kolonizime nuk është shaka me holandezët! Nga historia e dimë që Indonezia (gjithë ai shtet, sot i ka rreth 250 milionë banorë), për hiç më pak por 300 vjet ishte koloni e Holandës (e cila sot i ka rreth 17 milionë banorë, sa i kishte para 300 viteve nuk e di)! Pra sikur s’do ishte aspak e lehtë, dhe imagjino 3 shekuj… përveç nëse vërtet të kesh mjaft ekspertizë sa i përket i kolonizimeve : )

***
Tani desha të flas per diç fare “tokësore” dhe interesante, anise ka të bëjë me Marsin, me Hënën, dhe me kompaninë “Mars One” të Holandës.

Nëse këso ndërmarrje serioze për t’i dërguar njerëzit në Mars brenda 10 deri 15 vjet janë fakt, nëse vërtet duhet shkuar, atëherë pra do t’jetë për një kohë të gjatë, ose më saktë, përgjithmonë. Njerëzit duhet të ushqehen, dhe çfarë do ishte më e logjikshme sesa të kultivohen bimët aty në vend, ku veç dhe do jetosh, ku je “ngulitur” si kolonist për ta shpenzuar pjesën tjetër të jetës!

Bazuar në librin eponimik të vitit 2011 nga Andy Weir, i gjithë filmi “The Martian” i 2015 me aktorin Matt Damon sikur ka të bëjë me “kopshtarinë marsiane”. I realizuar bukur, me efekte bindëse, në suaza të “science fiction” (të fanta-shkencës, jo pra nonses nga fantazia, por mbështetur në fakte e në detaje veç të njohura për shkencën), nën regjinë e të famshmit Ridley Scott… etj etj. – megjithatë filmat janë filma.

Ndërsa shkenca është shkencë e “vërtetë” nëse “patatet e Matt Damon” të mund t’i shijonte dhe ndokush tjetër përveç tij… Natyrisht, i besojmë atij, atje larg derisa piqte patate fillikat si një Robinson Kruzo i Marsit, por…

Në vitin 2013 dhe 2015, Universiteti i Wageningen (UR – University & Research Centre), në krye me Dr. Wieger Wamelink i patën kryer dy eksperimente kërkimore për të ditur nëse rriten bizelet, domatet etj në “Mars dhe në Hënë”. (Ndërkohë është dhe Eksperimenti Nr. 3 në vijim e sipër). Duke i blerë rreth 100 kg “tokë marsiane” dhe të Hënës (nga kush tjetër pos nga NASA – për “çudi”, me çmim jo dhe aq të lartë, 2000-3000 Euro, pasi që janë thjesht “simulante”) dhe eksperimentet për herë të parë na sollën bizele “marsiane”, domate, thekër etj., por sa është e sigurt për t’i ngrënë ato?

Dr. Wamelink shpjegon se tokat e Marsit dhe Hënës përmbajnë mjaft metale të rënda, si plumbi, arseni, merkuri dhe hekuri. Në Tokë, disa bimë – thotë ai – janë në gjendje për t’iu shmangur metaleve të rënda, por s’dimë dhe aq shumë në rastin e bimëve eksperimentale.

E qartë, duhet kërkuar tutje lidhur me elementet e mundshme toksike (për njeriun) në bimët “alienike”… Pra shkencëtarët duhet ende të eksperimentojnë, ka dhe mjaft rrugë për të bërë, por kush do thoshte se bizelet alienike, domatet “marsiane” do ishin kaq të suksesshme dhe joshëse… në Wageningen, vetëm ca dhjetra km larg kopshtit tim? : )

Fotot e ngjitura: Dr. W. Wamelink (Wageningen University, NL)
– Domate të pjekura në “tokën” simulative të Marsit
– Mini-domatet nga “toka” e Marsit… si domate-qershi, jo më të mëdha se 50 centë
– Bizele të pjekura në “tokën” e Hënës, gati për vjelje
– Dheu i “Marsit”, blerë dhe siç është dorëzuar nga NASA…