Lutetia Parisiorum – Parisi në kohën e Asterix-it e Obelix-it

S. Guraziu – Ars Poetica, M 2019

(…Lutetia (Parisi) i Galisë së dikurshme nën romakët, sipas ilustrimeve nga Jean-Claude Golvin )

Qyteti paraardhës, “para-parisi” që dmth. do t’bëhej Parisi i mëvonshëm njihej si Lutetia, ose Lutetia Parisiorum, ose Lucotecia, ose dhe Lutèce (në frëngjisht). Sa i përket etimologjisë, s’dihet sigurt për origjinën e emrit, gjithsesi nga Strabo qe përmendur si “Lukotokia”, nga Ptolemeu i Aleksandrisë si “Lefkotekia” ndërsa nga Jul Cezari si “Lutetia”.

Të gjithëve pakashumë na janë të njohura “Aventurat e Asteriksit”, dy trima skajshmërisht simpatikë të Galisë, meqë ra fjala… pra fjala është për një seri fletoresh vizatimore franceze ose “strip-librash” që u shfaqën në v. 1959, me ilustrimet nga i famshmi Albert Uderzo. Seria vizatimore i ndjek gjoja aventurat e një fshati të Galisë tek e rezistojnë pushtimin romak, tek kacafyten me centurionët e me ushtarët e Cezarit në vitet 50 p.e.s.

Dy kryeheronjtë simpatikë quhen Asterix dhe Obelix, ata janë të mahnitshëm e të pathyeshëm, ushtria romake dhe as vetë Jul Cezari s’mund të maten me ta. Me ndihmën e një lëngu magjik janë në gjendje t’i grushtosin me legjione të tëra. Magjia është diç si lëng sekret (me ingrediente sekrete), përgatitur nga magjistari i fshatit Panoramix, kushdo që ta pinte lëngu i tij i jepte përkohësisht fuqi mbinjerëzore.

Unë vetë s’i kam lexuar “stripat”, kur ishin të vegjël së bashku me fëmijët pata parë një film, atëbotë Asterix-i seç ngatërrohej madje dhe me Kleopatrën… mirëpo, për fat të keq kam harruar si pati vajtur filmi. Ç’desha të them është, nuk di nëse Asterix-i dhe shoku i tij Obelix-i patën marrë pjesë në betejën për Parisin!

Sa për rënien e Parisit nën romakët, vizatimorët janë tjetër… ama historia reale e kronistëve, historia e vërtetë thotë pakashumë kështu:
Parisii-të ishin një fis keltik që banonin në Gali (nga mes-shekulli III p.e.s. deri në epokën romake). Në vitin 52 p.e.s. u luftua beteja për fortesën e Lutetia (dmth. Parisi i sotëm) mes romakëve dhe fisit të Parisii-ve. Mirëpo ushtria e udhëhequr nga ushtaraku Vercingetorix pësoi disfatë nga forcat romake (udhëhequr nga njëri prej gjeneralëve të Cezarit, Titus Labienus), romakët gjithashtu ia dolën dhe i mundën Galët (ose Gaulët) në Melun dhe morën nën kontroll qytetin Lutetia.

E qartë, si duket kryetrimi i parisienëve të atëhershëm Vercingetorix s’e kishte idenë për lëngun magjik të Panoramix, e as për trimulushin Asterix : )