BE-ja si sako me lloj-lloj xhepash, dhe si pallto kolektive interesash!

S. Guraziu – Ars Poetica, M 2019

(…fol ndonjëherë për “realitetin e madh”, për përspektivën serioze të vendit, dil përjashta “ballkonit” të partisë e të klaneve – secila monedhë i ka “dy faqe”, si media nesër do t’i kesh sfidë mediatikët e BE, si media serioze fol ndonjëherë dhe për interesat “abstrakte” të vendit e të ekonomisë, fol për mantelin e interesave. Shqipëria është mbi interesat “partiake”, mbi rezultatet e ballotazhit, mbi interesat tua e të miat, mbi gjithçka që konceptojnë “mediat partizaneske”… )

***
Aksesioni i Shqipërisë në BE ashtu-kështu është mrekulli në vete, por mos vallë “hyrja në BE” na qenka fatlumësi speciale meqë, pas “kërkimit me dekada të ëndrrës europiane”, tekefundit pritja per “hapjen e portës” ishte pritje fisnike dhe dinjitoze.
Nuk ishte qasje si dikur me iniciativash personale e guximtare, me “shembje muresh të ambasadave”! Askush s’u nis kuturu i xhindosur me kamion, askush s’e shembi ndonjë mur, asnjë anije e mbushur me skamnorë s’ia mësyu detit dhe askush s’u fundos në Otranto…!

Sepse jo pra, s’ia vlen. Hapja e “portës” dhe një vrap i hovshëm euforik deri në Milano a në Amsterdam s’të bën “evropian”. Me zhvendosjen personale në Amsterdam nuk vuloset assesi se na qenke “shqiptar”. T’i lexosh lajmet e mediave shqiptare (bie fjala rreth “bisedimeve me BE”), thuase kërkohet nga unë që të rezonoj strikt sipas “mostrës”:
sot ke perfituar 100 € dhe i ke në xhep, mirëpo… për fat të keq, në mbrëmje kthehesh në geto në kasollen prej llamarine. Pasi e gjithë lagjia ku ndodhet “strofulla” jote dhe ekonomia e lagjes në fakt na qenka një geto e madhe. Andaj mbushi xhepat, s’të pyet kush si, dhe kthehu ndërtoje një restorant a kazino, ndihmoji ekonomisë së lagjes në Durrës a në Vlorë…

Rreth 2 muaj më parë, gazetarët e Top-Channel duke i lexuar EU-statistikat, patën konkluduar: “Shqipëria vazhdon të jetë në kërkim të ëndrrës europiane, por teksa dyert e BE-së mbyllur për Shqipërinë, shumë shqiptarë e kanë gjetur zgjidhjen tek emigrimi. Të dhënat nga Instituti Europian… tregojnë se në vetëm 5 vjet, janë rreth 260 mijë shqiptarë që kanë marrë nënshtetësinë nga një vend i BE. Kjo shifër është 10% e gjithë popullsisë rezidente në Shqipëri. Sipas Eurostat, pjesa dërrmuese, gati 92% e tyre, marrin nënshtetësinë greke dhe atë italiane.”

Kuptohet jo të gjitha por shumë nga faqet e mediave shqiptare të lënë përshtypjen sikur janë “faqesh personale”, faqe që merren kryesisht me “infotainment” fansash e simpatizantësh, që përditësohen pikërisht sipas qejfit tim. Aty-këtu ndonjë shifër, ndonjë statistikë, ndonjë kuriozitet… kaq.

Dua të lexoj vetëm ç’ma ka ënda të lexoj, mediat janë për t’shkruar ç’më pëlqen mua vetë, diç që më përshtatet “optima forma” sipas shijes e sipas përmbajtjes, që përshtatet edhe me tekat e ego-s… Por dhe me pëlqimet e rrezes së miqve (qofshin këta dhe “parti” e tërë në vete – parti që ka madje dhe “grup në Fb”, imagjino…) etj etj.

Gjithsesi, sikur habitem pse mediat serioze shqiptare nuk flasin dhe për çështjet e mëdha të ekonomikave vendore, të planeve, të ëndrrave… Është interesante se si anashkalohet të flitet rreth interesit REAL, rreth interesit të vërtetë ekonomik të Shqipërisë si vend, si shtet që nuk “udhëton me një valixhe” për ta mbushur xhepin në Frankfurt, por Shqipëria rri e buzëqeshur dhe krenare aty “ku është”. Askund asnjë artikull serioz, asnjë qasje studimore-eseitike, askund fakte e shifrash mbledhur në një vend shkencërisht, asnjë mbivështrim gjithëpërfshirës ekspertësh, askush s’i përmend interesat si vend, si Shqipëri në kuadër të EU-Bllokut tregtar!

Apo këto ndoshta duhet të “nënkuptohen”! Sipas mediatikëve mbase gjërat që dihen s’është nevoja të thuhen, pasi i ditkan të gjithë.

Mediat sikur nuk flasin për “big picture” të levërdisë, sikur gjithçka duhet parë dhe vizionet duhet interpretuar nga “prizmi i nuancave personale të mirëqenies”, Sëshumti për gjerësinë shihet nga “prizmi” i klanokraturave, nga mendësia parti-zaneske. Gjithsesi, Shqipëria nesër ashtu-kështu do jetë në BE dhe gjërat do jenë “histori”. Secila monedhë i ka “dy faqe”, si media nesër do t’i kesh dhe ti sfidë mediatikët e BE, si media serioze fol ndonjëherë dhe për interesat “abstrakte” të vendit e të ekonomisë, fol për mantelin e interesave. Shqipëria është mbi interesat “partiake”, mbi rezultatet e ballotazhit, mbi interesat tua e të miat, mbi gjithçka që konceptojnë “mediat partizaneske”.

Fol ndonjëherë për “realitetin e madh”, për përspektivën serioze të vendit, dil përjashta “ballkonit” të partisë e të klaneve, BE është Ekonomia më e MADHE e botës, me GDP për kokë banori prej 25.000 €, për të 500 milionë banorët e vet. BE është Blloku më i MADH tregtar në botë, dinamika e tregtisë “evropiane” është thjesht marramendëse për Shqipërinë, kjo do t’thotë se Shqipëria do t’përfitojë jashtë masës e imagjinatës, duke qenë relativisht si ekonomi “e vogël”. BE është partneri më i madh tregtar për 80 vende të botës. BE është ekonomia më e hapur në botë për vendet në zhvillim (ndër “këto” konsiderohet dhe Shqipëria, BE renditet e para në botë për të dy “kahjet e fluksit” te investimeve, për investimet e botës brenda BE, dhe për ato të BE jashtë… nëpër botë.