Forbes – Lista “30 nën 30”, Evropë 2016-19

(sguraziu – ars poetica, qershor 2019 – pak fjalë)

2018 – Blinera, Marina, Dua, Rita, Dafina, Blerta… lloj-lloj emrash të bukur : )

Derisa e 2018-a ishte Forbes-viti më i bukur për shqiptarët (në historinë e Listave të Forbes), për fat të keq, në Listën “30 nën 30” 2019 nuk figuronte asnjë shqiptar (tekefundit unë s’pashë, me aq sa ia dola t’i “verifikoj” kategoritë – natyrisht nuk e fsheh, në gjithë ato kategori prisja të ishte ndokush).

Në v. 2016 Forbes e introduktoi Listën “30 nën 30” edhe për Evropën, siç e dimë Forbes është një “business magazine” e Amerikës, por Forbes njihet globalisht dhe për arsye të lloj-lloj listave e rang-listave. Motoja e tyre “Vegël e Kapitalizmit” dhe nuk thotë kushedi çfarë, pasi është njëkohësisht dhe një lloj “figuracioni filozofik”, apo jo 🙂

Stafi i editorëve janë fort të “internacionalizuar”, kanë biz-lidhje e “connections” gjithandej nëpër botë, bie fjala e dinë kush janë të pasurit e kush të varfërit (anise ende s’kanë listë varfërie), e dinë kush janë miliarderët e kush milionerët, e dinë cilat na qenkan top-kompanitë më serioze, qoftë të Kinës qoftë të Argjentinës, e dinë kush e ka vilën a aeroplanin më luksoz, madje-madje ndoshta e dinë dhe sa “dashnore” na i kishte në total… magnati italian Berluskoni etj etj. Shkurt desha të them, ata të Forbes dinë lloj-lloj këso detajesh, panumër këso gjërash (tekefundit thjesht kështu funksionon “mënyra amerikane” e operimit globalisht 🙂

Dhe pra janë fort të zotët për krijimin a përpilimin e “rang-listave”, në fillim listat e tyre dhe kishin “kritika” psh. kishte vërejtje rreth “racizmit” të listave, se përveç të bardhëve janë harruar racat tjera, ose se janë “harruar” femrat, e këso kritikash të ngjashme. Sidoqoftë kriteret e tyre secilën herë e duke u përmirësuar, me kalimin e viteve dhe vetë përvoja i bën stafin por dhe listat më të avancuara, aq sa tashmë lista më të “sakta” sesa Forbes… zor të përpilojë kush.

Gjithsesi, në v. 2016 (kur u lançua EU-Lista 30 nën 30), dhe tutje në v. 2017 (nëse s’gabohem) nuk figuronte askush nga shqiptarët në listën e Forbes.
Pastaj boooom e 2018-a ishte “bingo” e përtej bingove, përtej parapritjeve, në v. 2018 t’na gëzuan jo 1 a 2 shqiptarë, por 5-6… në kategori të ndryshme, psh. në Arti & Kultura na gëzoi artistja nga Shqipëria (e shkolluar në Austri), Marina Sula, 26 vjeç. Tutje, në kategorinë Argëtimi (Entertainment) i pamë yjet… të dyja muzikantet kosovare-britanike Rita Ora, 27 vjeç e Dua Lipa, 22 vjeç (madje Rita dhe Dua shfaqeshin në 2 kategori për 2018, pasi figuronin dhe në kategorinë “Celebrities”).

Mirëpo surpriza më e ëmbël e Forbes-listës për 2018 ishin 3 kosovaret simpatike në kategorinë Ligji & Politika. Kosovaret 26-vjeçare (po pra, të trija 26) si themeluese-drejtuese të kompanisë Open Data Kosovo (ODK) Blinera Meta Shala, Dafina Olluri, dhe Blerta Thaci… pothuaj sikur ishin ajo “qershiza” e ëmbël mbi torte-listen Forbes 2018.

E 2018-a e Forbes pra qe zbukuruar me disa talente shqiptare, të buzëqeshura e të freskëta (secila më e zonja se tjetra). Për fat të keq, në listen e 2019 nuk figuronte ndonjë shqiptar, në asnjërën nga kategoritë.
Shpresojmë e 2020-a, 21-a, 22-a… e tutje viteve të së ardhmes Forbes-listat të jenë përherë me biznismenë, me artistë, me ekonomistë, me plot të rinj e të reja shqiptare, urojmë t’mos mungojnë asnjëherë talentet, vizionarët, të dalluarit shqiptarë, qoftë nga Shqipëria, Kosova, nga trojet tjera etnike e natyrisht dhe nga diaspora.