Mangësitë e fjalorit të shqipes dhe zhgënjimi i fetarëve!

(sguraziu – ars poetica, qershor 2019 – koment)

(është absurd që në vitin 2019 Fjalori i shqipes ende “shërbehet” kryekëput me terminologjinë e me psiko-bagazhin e Soc-Realizmit)

…një autor me emrin Mexhid Yvejsi (të cilin unë gjatë leximit s’di përse, ndoshta meqë emri tingëllonte turqisht, tërë kohën e imagjinoja të jetë ndonjë hoxhë turko-shqiptar i pikëlluar), qahej në artikullin e vet (publikuar në Shkurt të 2013, në Bashkësia Islame e Kosovës) rreth Fjalorëve të Gjuhës së Sotme Shqipe, fjalorin e ri të 2002 e quante “botim i ri me paragjykime të vjetra”, sepse definicionet rreth fesë, rreth perëndisë, rreth xhamisë etj. kishin ngelur pothuaj siç ishin dikur ato të “erës së diktatures komuniste”, kështu që fjalori as përafërsisht s’ishte përmirësuar siç duhet dhe se ende ishte një lloj “torture me fjalë”, ku ndesheshe me injorancë akademike e mosrespekt rreth çështjeve të perëndisë, rreth librave të shenjtë Bibles e Kuranit, rreth 4 miliardë besimtarëve muslimanë e të krishterë, ku autorët e shumtë me tituj shkencorë si “merito-kratë” të pakujdesshëm që janë marrë me rishikimin e botimit të 1980 s’kishin harruar t’i përmendnin emrat dhe gradat e tyre, ama emrin e perëndisë e paskeshin harruar…

…më erdhi keq, pasi e kuptoja sadopak zhgënjimin e tij, natyrisht gjuha e tij “përngjitej” andej kah i dhimbte atij vetë dhëmballa, e natyrshme që fetarët e hoxhallarët do t’qahen për çështjet rreth fesë – gjithsesi, edhe sipas meje e ndoshta dhe sipas shumkujt tjetër, fjalorit te shqipes vërtet sikur i mungon ajo asnjanësia e duhur, ose neutraliteti profesional sipas standardeve bashkëkohore rreth sqarimeve të shumçkaje, jo vetëm rreth çështjeve të fesë (dmth. për t’u shmangur mirëfilli nga nuancat e “mentalitetit” të epokës komuniste dhe të paragjykimeve ideologjike)

…iu qasa leximit të artikullit (nga autori Yvejsi) 5-6 vjet me vonesë, në fakt vetëm sepse më bëri “kureshtar” titulli domethënës “Feja në Fjalorin e Shqipes së Sotme” si dhe ballina e bukur e Fjalorit (siç na është e njohur të gjithëve), por nëse dhe kështu me vonesë të shërbente sadopak si “ngushëllim”, do t’i thosha:
s’ia vlen… pos të buzëqeshim dhe të shpresojmë që gjeneratat e reja të shkollarëve që do t’merren me përpilime fjalorësh të jenë më të kujdesshme dhe në hap me parapritjet moderne, e natyrisht edhe me parapritjet e bashkësive fetare të Kosovës, Shqipërisë etj – anise unë vërtet s’jam hoxhë, por sikur desha t’ju “ngushëlloj” sadopak se ka mjaft gjëra për t’shpresuar rreth fjalorit, se mos vetëm për çështjet e fesë fjalori na paska ngelur “dekadent”, jo pra, ka dhe tjera fusha për çfarë fjalori mund t’ishte shumë më i aktualizuar, bie fjala as shumë gjëra rreth termave të artit s’janë përmirësuar, ja një shembull:

…sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe “surrealizmi” (artistik-letraristik) definohet si vijon:
“Drejtim krejt formalist e antirealist dekadent, në artin e në letërsinë borgjeze të shekullit XX, që mohon rolin e arsyes e të përvojës në art, e kërkon burimin e krijimtarisë te dukuritë e pavetëdijes, tek ëndrrat e sëmura e te kllapitë dhe e pasqyron botën në mënyrë fare të shtrembëruar.”

…është absurd që në vitin 2019 Fjalori i shqipes ende “shërbehet” kryekëput me terminologjinë e me psiko-bagazhin e Soc-Realizmit, imagjino ende flitet për “letërsinë borgjeze”, ndërsa si… ne të tjerët çfarë qenkemi, mos vallë qenkemi joletrarë joborgjezë që 4-5 dekada pas soc-realizmit tuaj, ngelur e shtangosur duke shpresuar t’i ndahet Kadaresë ndonjë Nobel “borgjez”, apo si, come oooon… çfarë tjetër pëveç buzëqeshjes, s’ia vlen diç më tepër sesa buzëqeshja : )