SG – Palimpsest

PALIMPSEST
S. Guraziu

(Ndreqje e pandreqshme e historisë së ndërgjegjes të gjakut poetik)

Gjaku yt, poet, është gjak që s’të falet ty vetë, e vërteta e gjakut tënd është më e madhe se falja jote, më e shenjtë se “gjaku yt që nuk falet”; s’të falet rruazëbardha, as e kuqja, mpiksja, asnjë rrahje e lajthitur, kord i vetëm i zemrës!
Klithma jote mbetet amshueshëm “gjak që nuk falet”, më shumë se diç për t’u falur – vetë “falja” jote sot është këputje e damarëve të ndërgjegjes, tornado çoroditëse e frymëmarrjes, luhatje e besimit, përbuzje e së vërtetës, njollosje e flakës, e dritës në bebëzat e muzave, në bebëzat e nënës, qelizë kanceroze e qumështit të falur, vrimëzezë në shpirtin e shëndoshë të kombit tënd!

Gjaku yt poetik s’është gjak dorasish e gjaksorësh, kod antipoetik, gjak që “falet” s’është gjaku i dritës dhe i universales, mendo mirë poet, nëse s’ke njohur vetëdijen e gjakut tënd, kumtin e gjakut qysh si foshnje, s’do kërkosh as faljen e pafalshme, asgjë s’të falet poet, s’të falet as gjaku yt i “pafalur”, asnjë frymë, notë, tingull as shkitje, joharmonia e së vërtetës poetike!
Rritu poet nga “brend” me qumështin e bardhë të ndërgjegjes, derisa thith njih dritën e bebëzave të nënës, njih faljen përpara klithmës tënde të parë, kur lahesh me driten lind dhe një herë… pastaj fluturo për t’u rritur nga “jashtë”.

– – –
Notë:
Publikimi im i parë në Kosovë – në v. 2016 disa poezi të mia qenë publikuar në “Metafora” (Nr. 1, Prill 2016), në rrafshin personal ishte pothuaj simbolike e gjitha… pasi si botim fizik (në letër) ishte publikimi im i parë në Kosovë (dmth. kur është fjala për krijimet poetike, për prurjet imagjinative) – “Metafora”, revistë letrare, botues Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës (LShK), Kryetare: Dr. Flora Brovina – Kryeredaktor: Prof. Abdyl Kadolli

[ ilustrimi: Martins de Barros – “Klouni i Luleve” (ose Pranvera), 2016 ]

(sg – qershor 2019)
…pak humor – në Shqipëri ndryshe, ndonje poezi e imja dhe mund t’ketë zënë “vend” aty-këtu ndër faqet shqiptare pothuaj dhe para 2 dekadash, por sa i përket Kosoves jam bukur i vonuar*, tmerrësisht i vonshëm… u desh të mbaronte shek. XX, të kalonte prag-dekada e shek. XXI, madje për pak do kalonte dhe dekada e 2-të e shek. XXI, jo pra… në Kosovë s’dinë që dhe unë shkruaj vjersha : )

…pra jam i “vonuar”, totalisht në Kosovë, e pafalshme, ndoshta s’më falet, e sidomos nëse kihet parasysh fakti që fjala është për vendlindjen, por s’duhet mërzitur njeriu, s’është çudi nëse një ditë kosovarët ta humbin durimin dhe t’ma krisin në surrat ashtu të pezmatuar; e di çfarë… mbylle, qepe, mjaft se na lodhe, s’të shitet dhe pikë, kot shtiresh qaralaç e qyqalaç, na e luan rolin e “viktimes”, pa hë shkoklohu njëherë, shkundi hejbet tua, dil në shesh nëse ta mban, s’je kokëmadh… e dimë këtë, por shkundi hejbet, publikoji vjershat e mençuritë, bëji libra, nëse ia vlen helbete t’nderojmë dhe ty si Demaçin me një botim “komplet”, aso botimi me kopertinash t’lëkures, botim luksoz me tituj t’florinjtë, ç’ke ti, s’ke pse mërzitesh, hallvaja është jona, e edhe sheqeri, por sorry… kollomoqin duhet të kujdesesh vetë, me prashitje e me argatë, me ujitje e me kombajn… e deri n’hambar, pastaj neve mos na qaj, ia shkundullosim xhepat Ministrisë së Kultures, pasi në gjithë botën njësoj, duhen sponzorë, edhe në Shqipëri njëjtë ia bëjnë, psh. andej janë nderuar me “botimesh komplet” aso të kalibrit “Kadare” e të tillë pen-ologë, joooooo mos u ngatërro tani, mos keqkupto se gjoja na qenke dhe ti “kalibër”, kot e mpreh dhëmbin, ra vetëm fjala, sa për ta ilustruar shembullin : )

* vonuar – dihet që kjo fjalë është shumështresore, i ka shumë kuptime e domethënie, psh. për psikologë e për ekspertë të ngjashëm, më i keqi “kuptim” i vonimit është vonimi mendor, zhvillimor