SG – Maya dhe Avangarda, 2008

MAYA DHE AVANGARDA
S. Guraziu, 2008 (Humoreskë)


Emma Hack – “Body Art”

Nuk i kujtoj me aq dëshirë ato kohë, por ja… për artdashësit e vërtetë s’dua të mbaj gjë në mjegull. Vërtet ishin ditë të rënda artistike; isha futur në gëzhojën time, si për inat ia kisha kthyer shpinën botës. Nuk më lexoheshin revistat, nuk dëgjoja radio, nuk shikoja TV, nuk vizitoja ekspozitat, asnjë muzeum… asgjë! Të thuhet: i urreja, s’do ishte e vertetë, por pothuaj se ashtu. Çdo gjë m’ishte mërzitur, të gjitha më dukeshin “kot”, humbje kohe. Është fakt se patën kaluar disa muaj e t’mos shitej as dhe një pikturë e vetme. Thua se askush i kësaj bote s’interesohej për artin tim.
I kaloja ditët, i heshtur, duke provuar t’i “them ato çfarë kisha” në pikturat e mia. I vetmi shpëtim ishte studioja, vendi ku humbisja pjesën më të madhe të kohës, vendi i quajtur “atelje”. Dhe njerëzit e dinin ku ndodhesha, secili do t’më gjente atje. Jeta ime ishin pikturat.
Ndoshta sepse dhe ndjehesha më mirë ashtu, gjysmë i izoluar nga bota, i zhytur në thellësitë e artit tim, në meditime… me ditë e me ditë të tëra, njërën pas tjetrës; me javë e me muaj.

Vetëm familja më ndihmonte ta përballoja atë kohë të vështirë (artistikisht dhe më frymëzonte, do t’thosha). Duke u gjendur tërë kohën pranë Mayas, duke e shijuar me gjithë qenien ngrohtësinë e saj, sikur kjo më çlironte nga diç që s’mund ta përshkruaj tani aq lehtë. Buzëqeshja e Mayas ishte pothuaj përherë ilaçi për çdo gjë. Pa përjashtime.

Ndërsa ime shoqe lexonte çdo gjë, çfarëdo që i binte në dorë, non-stop lexonte. Lexonte e lexonte… Më kujtohet, atë natë, gjerësa po bëhesha gati për t’u shtrirë, ajo shfletonte njërën nga ato revistat për art, “Avangarda”. Çuditesha si kishte nerva t’i lexonte ato dokrra “artistike”!
Derisa po futesha në shtrat, kofshët e saj dolën në pah si fildish i lëmuar. Më bëhej sikur lëmoheshin akoma më shumë nën dritën e ngulfatur të abazhurit. Më bëhej, më bëhej… e ç’nuk më bëhej. Për pak çaste mbajta mbulojën ashtu “pafajshëm” në ajri, se ç’më pati shkrepur një ide… Por Maya u ankua aty për aty.

– Ç’pate moj?! Sot tërë ditën s’ke bërë gjë vetëm ke kritikuar! – ia ktheva.
– Natyrisht, kur ti s’je aspak auto-kritik. Pse s’e bën ndonjëherë vetë… për veten, padyshim është pozitive për shëndetin mendor?
– Eh, kush flet…, ti dy gjëra i di mbase, e vërtetë, por dymijë e dy të tjera jo!
– E ti çfarë na ditke, ti i gjithëdituri, enciklopedia ime e ëmbël?
– Unë di, përshembull, plus ato dymijë gjëra të tjera. Nuk mjafton? Por ma kthe jastëkun, më mirë! – Ndërkohë futa dorën nën belin e saj duke provuar të puthitem ashtu një grimëz për shpinën e ngrohtë. Ajo prapë u ankua, kësaj radhe u shtira, bëra sikur s’dëgjova gjë!
– S’vuri kush këmbën atje, madje as nuk telefonoi kush! – thashë symbyllur.
– Ndërsa ti i gjori tërë ditën i “zhytur në mendime dhe në pikturat”. Kushedi ç’ke shpikur sot!
– Moj… nuk shpik gjë unë, s’jam Pikaso unë!

Pastaj mbretëroi qetësia. Dalëngadalë aroma dhe ngrohtësia e trupit të saj ma zbutën çdo nerv atë natë, ndieja ta humbisja ndjenjën për kohën. Në kllapi më bëhej sikur dëgjoja zërin e ëmbël: “Kam një ide… Uuuu, kështu ti ë… mirë fli pra, fli, nesër në mëngjes ta them”.
M’u bë sikur buzët e saj në ballin tim mbetën fija e fundit që më mbante dhe për pakëz lidhur me botën…

***
– Ke dëgjuar ti për body art, për artin e ashtuquajtur “body art”, patjeter që ke dëgjuar…? – më pyeti ajo të nesërmen duke ma vënë përpara kafenë dhe duke kryqëzuar duart mbi supin tim.
Përsëri më trazonte aroma e parfumit të saj, përsëri më “guduliste” shumçka. Zgjata dorën dhe duke e tërhequr pas vitheve provova një puthje në qafë, gjest ky që s’desha ta merrte thjesht si “falënderim” për kafenë. Mirëpo Maya, si gjithmonë, e kupton me shpejtësi marramendëse çdo gjë që unë bëj apo them. Më shtyu lehtas dhe duke u zbrampsur me trupin, bëri sikur i fluturuan mendimet fare diku tjetër. Pastaj u ul përball në tavolinë duke më shikuar me një nënqeshje “djallëzore”.

– Posi… kam dëgjuar, natyrisht që kam dëgjuar. Pse pyet?
– Mbrëmë, derisa po lexoja më lindi një ide. Ke dëshirë ta dëgjosh?
– Patjetër, kombinimi i “origjinalitetit” të ideve tua dhe i frymëzimeve të “Avangarda-s” padyshim që ia vlen. Pa hë, ta dëgjojmë!
Ajo ndaloi. U mendua për një çast, por pa m’i ndarë sytë e saj engjëllor, sa trullonjës aq dhe të ngrohtë. Më shikonte ngultazi dhe ëmbëlsisht.
– Shiko… sa t’ikin fëmijët dua të vemi atje… në atelje, dua t’i bësh gati katër-pesë tasa me ngjyrë, aso ngjyre me të cilën ti pikturon. Dhe s’ka nevojë të jetë “Rembrandt”, bënë dhe më e lirë… ke ndonjë lloj? Ke diç që s’është e shtrenjtë sa “Rembrandt”?
– Po, po kam… por ç’të duhen tasat! Ç’të duhet ngjyra ty?! – e shikova me habi.
– Thjesht bëji gati ti, përgatit nga ato ngjyrat kryesore, plus dy-tri të tjera… dhe më prit.

Pastaj u largua duke i thërritur fëmijët me zë të lartë, me “alarmin e rrejshëm” se duhej të zbrisnin sa më parë, që t’mos vonoheshin… se ishte bërë vonë, pastaj se ishte duke i pritur me derën hapur…
Puthjet e fëmijëve dhe përkëdheljet atij mëngjesi i mora gjysmë i hutuar. Se si më ishte ngulitur në mendje kërkesa e Mayas. “Vallë, ç’të donte me gjithë ata tasa ngjyrë!? Të thoshte një, por jo… ajo përmendi katër-pesë sosh!”.

***
Shkova në studio dhe për pak kohë u mora me pastrimin dhe vënien e gjërave në vendin e vet. S’vonoi ndoshta as gjysmë ore, dhe Maya u shfaq në derë si një nimfë. Rrezet e diellit atë paradite të qershorit sikur m’i merrnin sytë; isha hutuar pakëz… dukej si ato nimfat e Alma-Tademas mbështjellur në pëlhura mëndafshi, si ato bukuroshet nëpër pikturat e tij… nën diellin e Mesdheut.

Shikimi më fluturoi mbi trupin e saj; ishte mbuluar vetëm me një çarçaf të bardhë. Nuk e mohoj, tejdukshmëria e çarçafit (prapë) “guduliste tinëzisht” shumçka në qenien time prej artisti. Nuk është se u habita nga bukuri e saj, as nga ajo surprizë e ëmbël që i kishte shkrepur, por se si mbeta në vend për disa çaste pa nxjerr zë, gojëhapur…
Ajo pa m’i ndarë sytë e mbylli derën, rrotulloi çelësin dhe u nis drejt mesit të studios. Ndaloi, lëshoi çarçafin përdhe dhe e shtriu me kujdes (thua se ishte ndonjë kanavac i çmuar i Pollock) gjithnjë duke më shikuar me buzëqeshjen më të ëmbël në botë. Pastaj me t’i kapur tasat një nga një për t’i derdhur mbi pëlhurën shkel e shko, ideja e saj m’u bë e qartë, kristal. Gjithçka u kthjellua në kokën time. Por dhe vetëm ai “mirazh”, derisa vërtitej andej-këndej nudo, bardhësia qumështore, bukuria magjepsëse, shikimi përvëlonjës, veç më kishin trazuar…

Dhe s’humbëm kohë, sakaq u gjendëm duke pikturuar me zjarrin e me afshin tonë, sa andej-këtej, duke provuar teknikën… që kurrë më parë as mendja s’më kishte vajtur. Natyrisht, koha qe ndalur. Nuk qe vetëm përhumbja jonë mbi pëlhurën e qullosur, por dhe shumçka tjetër u bë “mix”. U kombinuan me saktësi matematikore të rastësisë… ngjyrat nga tasat e Mayas, origjinaliteti i saj dhe ideja, frymëzimi hyjnor, talenti im dhe pasioni, dashuria…
Shkurt, u kombinuan të gjithë faktorët që të ngjizej një vepër maestrale artistike.

***
Dhe “maestralja” u vërtetua shumë shpejtë, si e vërtetë e pakontestueshme, u kthye në një fakt që s’mund të ndryshohet më.
S’vonoi shumë dhe ajo pikturë me autorësi të dyfishtë (anise këtë detaj, për ca arsye të shoshitura mirë nga unë dhe Maya, e kemi mbajtur sekret) u bë aq e famshme, madje kaloi disa herë përtej oqeanit që t’ekspozohej nëpër muzeume të ndryshme. (Maya s’pati kurrë diç kundër që piktura ta mbante përgjithmonë vetëm signaturën time. Ideja pati qenë e saj, dhe shumçka tjetër… por ja që bujaria e saj s’njeh kufi).
Piktura jonë, me përmasat e një çarçafi, jo vetëm që u shit aty për aty, por e “hoqëm qafet” me një çmim marramendës. Çmim që, për hir të së vërtetës, s’do kisha guxuar kurrë ta hapja gojën (as në shtatë jetë të mia artistike!)… sikur t’mos qe vetë pronari i galerisë ai që do t’ma trazonte mendjen dhe shpirtin.

Pothuaj sa s’me pati pushuar zemra, gati sa nuk u shemba përtokë atë ditë.
Meqë s’isha i sigurt për ato ç’më dëgjonin veshët, meqë nuk më mbanin këmbët… me grykë të shterruar e duke u dridhur si purteka i thashë pronarit të Galerisë “Avangarda” se do doja të konsulltohesha dhe me Noterin, dhe se në mbrëmje do ta thërrisja për t’konfirmuar shitjen.

Në fakt, renda si i marrë në prehër të Mayas: “më mbaj të lutem… kështu e kështu ka ndodhur, kaq ka propozuar ai shkurtabiqi faqekuq i “Avangarda-s”, më thuaj se jam mirë në mendje, më thuaj s’jam tretur…”.
Le që isha mirë dhe një mençurak (këtë siguri ma ofroi ajo aty për aty), por falë gjenialitetit të Mayas dhe pra, forcave të përbashkëta artistike, sot jemi mjaft të pasur e të respektuar gjithandej nëpër botë. S’dua të them “milionerë”, tingëllon ndoshta si mburrje, a si grykësi. S’ka as rëndësi kjo, tekefundit.
Por një gjë është e sigurt: s’ka art pa dashuri, tashmë është mëse e qartë kjo, si kristali… e kthjellët është!

(Ilustrimi: Emma Hack – “Body Art”)