SG – Logjika e Dritës (II), 2014

LOGJIKA E DRITËS (II)
S. Guraziu, 2014

Askush s’çuditet
sa Philips, pse poçi
i Edisonit nuk digjet,
ende bën dritë,
një shekull kalavarur,
fiksuar në një pikë,
botës i buzëqesh
nga një e vetme
përspektivë – ngushëllimi
i tij… ca flutura e miza
n’orbitë – Edisoni
s’e njeh ambivalencën,
as dekadencën,
s’e ka idenë ç’është
cikli, ekonomia
cirkulare, as linearja
e ekonomisë… madje
as pse poezia është dritë!

Llambat s’dinë histori,
Dielli nuk lëviz,
Koperniku ia qëlloi
kuturu, si “rrota bajgën”,
mund t’ia huqte dhe ai,
si Kolumboja Indisë –
diell “statik”, i pëlqen
t’jetë gala-centrik,
s’lodhet me vërtitje,
me vajtje-ardhje eliptike,
ama Toka vërtitet rreth tij –
thonë llambat e satelitëve
n’orbitë, shtiren se dinë
sa i madhi Kopernik!