“Libri i të Vdekurve” – Zemra në Peshore, Penda e së Vërtetës!

S. Guraziu – Ars poetica, K 2019

(…zemrat e mijëvjeçarëve tashmë e kanë gjetur qetësinë e vet, veç janë matur e gjykuar… janë kundërpeshuar me “Pendën e Vërtetësisë”, mbetet vetëm të lutemi për zemrat tona, vallë do jenë të lehta si “pendël e pafajësisë” apo të rënda…)

***
Për fat të mirë, egjiptasit e vjetër s’na kanë rënduar me aq shumë mite e përralla (në kuptimin jo aq shumë… sa marramendja greko-romake 🙂 Pra, krahasuar me mitologjinë greke, egjiptasit na ofrojnë relativisht pak mite, dhe pjesa dërrmuese e miteve të tyre vërtiten rreth e rrotull temës së krijimit të botës. Rishtas, në kuptimin krahasimtar, “pak mite” sidomos nëse kihet parasysh periudha prej disa mijëvjeçarëve e qytetërimit. Kur thuhet Egjipti i vjetër, në kuptimin kohor mendohet për qytetërimin që filloi rreth v. 3300-3500 p.e.s. dhe i cili lulëzoi deri rreth v. 330 p.e.s. (pas rënies nën sferën greke, me pushtimin e Egjiptit nga Aleksandri i Madh).

Sa i përket “krijimit…”, secila qendër më e madhe e dinastive të Egjiptit do ta kishte versionin e vet rreth “krijimit të botës”. Qendra e Heliopolisit e kishte besimin e vet, Memfisi të vetin, Hermopolisi (Magna) versionin e vet etj. Po ashtu e qartë, fjala është për një periudhë të gjatë kohore, fjala është për 3000 vjet “mugëtirë” historike. Si shembull, nga përspektiva e egjiptasve (përgjatë tre mileniumeve) ndonjëri version “i krijimit…” mund t’ketë qenë më i popullarizuar sesa versionet e qendrave tjera. Shkollarët sot s’mund ta thonë se cili version ishte më i rëndësishmi. Për ne sikur të gjitha versionet e kanë njësoj “peshën” e vet, gjithçka e mitologjisë thuase është kundërpeshuar me “Pendën e Vërtetësisë”. Nga përspektiva jonë, mitet e njerëzimit janë si të thuash “faqesh” neutrale, pendësh të vërtetësisë. Zemrat e mijëvjeçarëve tashmë e kanë gjetur qetësinë e vet, veç janë matur e gjykuar… Mbetet vetëm të lutemi për zemrat tona, vallë do jenë të lehta “pendël e pafajësisë” apo të rënda.

Sidoqoftë, egjiptasit vërtet “më pak” përralla, e megjithatë mitologjia e tyre konsiderohet njëra nga më komplekset. Ata janë marrë jashtëzakonisht shumë me vdekjen e me pasvdekjen. Kjo pjesë e lashtësisë egjiptase është “karakteristikë” e jashtëzakonshme, dhe aq e pasur. Pothuaj sikur gjithçka që dihet për Egjiptin sikur është e lidhur dhe apo vërtitet rreth kësaj “karakteristike”, e sidomos piramidat, mumifikimi, ofertat për zotat… etj. Keopsi padyshim e mban rekordin universal sa i përket “varrit më të madh”, ujdisur për vete. Piramida grandioze (si grumbull i madh gurësh me majën kah qielli) ishte diç si “lidhje” e prekshme mes botës tokësore dhe asaj hyjnore. Mirëpo kishte ca “rregulla” që duhej ndjekur për të funksionuar “lidhja me hyjnoren”. Piramida + rregullat ishin dmth. një lloj mjeti kompleks për ta arritur të përtejmen, pavdeksinë, kontaktin me hyjnoren.

Rrënjosur thellë në besimin për pavdekësinë, gjykimi i shpirtrave ishte një nga ceremonitë më të rëndësishme të udhëtimit nëpër “jetën” e përtejme, rrugës së amshimit. Kuptohet, kush mund t’i gjykonte shpirtrat… kush na i paska vallë kompetencat dhe përgjegjësinë, përveç zotave. Papiruset e “Librit të Vdekurve” janë pjesë e rëndësishme për ta kuptuar besimin e Egjiptit të lashtë, na flasin qartë për bindjen e thellë të egjiptasve rreth vdekjes dhe pavdekësisë.

***
Libri i të Vdekurve (diç si emërtim i përbashkët i versioneve të ndryshme të teksteve funerale nga Egjipti i vjetër) konsistonte nga një koleksion formulash magjike-fetare që të vdekurin duhej ta mbronin e ndihmonin në udhëtimin drejt Duat (Nëntokës, botës së të vdekurve) si dhe drejt pavdekësisë. Shkollarët thonë që s’kishte ndonjë “botim” standard dhe apo unik të “Librit të Vdekurve”, asnjë edicion që njihet s’është identik me një tjetër. Ne do shërbehemi me “Versionin e Hunefrit” për ta ilustruar sadopak temën në fjalë.

“Peshimi i zemrës” quhej ceremonia në Sallën e Dy të Vërtetave (Salla e Mat) që një person i vdekur duhej t’i nënshtrohej. Zotat do ta gjykonin denjësinë e secilit shpirt. Pastërtia shpirtërore do t’ishte faktori përcaktues nëse personi i vdekur ishte i virtytshëm, nëse do t’i lejohej të hynte në Aru (diç si parajsë e sunduar nga Osirisi). Në rregull, por si do ta përcaktonin pastërtinë shpirtërore, si do ta gjenin sa e “lehtë” ishte një zemër nga pafajësia, apo sa e “rëndë nga mëkatet”?

Epo, perëndesha Mat (e bija e perëndisë Ra dhe e perëndeshës Hathor) i kishte vënë në dispozicion pothuaj të gjitha gjërat që nevojiteshin. Mat ishte personifikim i së vërtetës, drejtësisë, mençurisë, ligjit, moralit, rregullit, harmonisë, stinëve, barazpeshës kozmike (e kundërta ideologjike e Mat ishte Isfet – padrejtësia, kaosi, dhuna ose gjithçka që ka të bëjë me të keqen, me të ligen). Në Sallën e Dy të Vërtetave, në sallën hyjnore ishte instaluar një peshore e sofistikuar, Peshorja e Mat… e qartë, gjithçka në Sallën e Mat i takonte asaj 🙂

Pra të vdekurit do t’i peshohej zemra në peshoren e perëndive, synohej tekefundit ekuilibrim me Pendën e së Vërtetës (Penda e Mat, penda e strucit, emblemë e perëndeshës Mat). Rreth matjes apo me funksionet e peshores do t’kujdesej Anubis, zoti i të vdekurve. Ndërsa Thoti, zoti i diturisë dhe i mençurisë, do t’kujdesej për rezultatet, do t’mbante shënimet e statistikat për arkivat hyjnore, do regjistronte ç’thoshte peshorja. Gjatë peshimit-gjykimit gjithçka e procesit ishte strikte, natyrisht gjërat ishin hyjnore dhe funksiononin, Në “Papirusin i Hunefrit”, lart, shihen 14 perënditë e Egjiptit njëri pas tjetrit, në rolin e gjyqtarëve, diç si “juri e gjykimit shpirtëror”. Juria kolektive hyjnore padyshim ishte e pagabueshme, ama për çdo rast… gjithçka do t’mbikqyrej nga një gjyqtar suprem, nga perëndia Osiris, zot i nëntokës dhe i pjellorisë.

Nëse zemra e të ndjerit rezultonte më e lehtë (apo dhe baraz) me Pendën e Mat, i vdekuri mund të kalonte në të përtejmën. Nëse eventualisht peshorja të thoshte s’ka lehtësi (as barazpeshë) por “zemër e rëndë” (kjo nënkuptonte zemër e ligë, e rënduar nga mëkatet etj etj), në të tilla raste keq pra, jo mirë. Perëndesha Amut (hyjni funerare, perëndeshë-demon, paraqitej si monster, si kryqëzim i luanit, hipopotamit dhe krokodilit – tri kafshët e mëdha “që i hanë njerëzit”, për të cilat dinin egjiptasit e lashtë) do ta kullufiste zemrën e tij. Jo vetëm që Amut do ta hante zemrën, ajo do hante dhe shpirtin, Amut ishte dhe shpirtngrënëse. Madje një tjetër përbindësh do ta hante dhe “shtëpinë e shpirtit”. Se si Amut i hante “shpirtrat” mitologjia s’ofron sqarime, ama le t’supozojmë që shpirti do t’ngelej duke u vërdallur këndej portës së Nëntokës përgjithmonë, do t’gelej pronë e Amut, s’do ta arrinte kurrë të përtejmën, parajsën e Osiris.

[ Ngjitur: Ceremonia e gjykimit (nga Libri i të Vdekurve, “Papirusi i Hunefrit“, version rreth ~1275 p.e.s. – Muzeu Britanik) ]

Në skenën e parë, i vdekuri (Hunefri) sillet në sallën e gjykimit nga Anubis (i paraqitur kokë-çakall). Në skenën tjetër paraqitet peshimi i zemrës së tij. Shihet perëndesha-monster Amut, në pritje të rezultatit. Shihet dhe Thoti sqepmprehtë duke mbajtur të dhënat e statistikat rreth matjes. Tutje shihet skena me të ndjerin fatlum (Hunefri e ka kaluar testin – sipas atij vetë, meqë ai ka “përpiluar” papirusin, sipas shkronjësit të gjallë zemra e tij pas vdekjes ishte “ok”), Hunefri prezantohet nga Horusi (i paraqitur kokë-fajkua) para Osirisit (lëkurëgjelbër). Osirisi është i shoqëruar nga perëndeshat Isis dhe Neftis.

“Papirusi i Hunefrit” është një kopje e tekstit funeral, përfaqëson një nga shembujt klasik të këtyre teksteve (ashtuquajtur “Libri i të Vdekurve”). Por pra kishte mjaft versione, si psh. “Papirusi i Anit”. Hunefri ishte një shkronjës zyrtar (kronist, kopist profesionist, kopjues i dorëshkrimeve, manuskripteve) dhe administrator i faraonit Seti I (Dinastia XIX, ~ 1300 p.e.s, Seti I ishte i biri i Ramsesit I, ndësa babai i Ramsesit II).