PADREJTËSI (PARNASIANE)
S. Guraziu, 2012
(nëse ende s’ke gjetur bririn e Zeusit* me mjaltë e ngushëllim, s’të njeh as Safoja… as ata në Olimp)
Vargjet si karamele
të ndjesisë, çokollatash
“Merci”, si “Milka”
të Helvetisë,
si fjalë të Apollonit
që nga larg na ushqejnë,
si Pegas i Perseut
që nga askund shfaqet
e vjen – në Delf
një pallat ëndrrash,
rrotull plot puthadorë,
por ti vetë as diademë
as kurorë!
Pasqyra* të flet
(amour propre), askush
si ti s’e shuan etjen
për dritë, etjen e vetë
dritës, je ti buzëqeshja
e “pafajësisë”, ëndrra
e Afërditës, me vargje
afshi i saj… në cepin
e buzëvales, kurmi
i bardhë, vetë lëkura
e imagjinatës!
Pasqyra jote e di,
përtej xhamit pakoja
e shpirtit bën dritë,
lëkura është gjymtyra
më e madhe e trupit
poetik, kërthiza mbase
vrimëbardha “solaris”,
diç si shkencë…
ngjeshje e hijeve
në pambarim, mbase
zanafilla e vetë poezisë,
as vetë drita s’ka
“shpëtim” nga aty!
* Briri i Bollëkut (mit. greke) – Briri i dhisë (Amaltea) nga i cili thithte Zeusi i vogël, dhe i cili kur shterronte mbushej me fruta. Në përrallat e popullit, briri mbushej me gjithçka që pronari të dëshironte.
* “Pasqyra që flet” – Pasqyra magjike, objekt mistik në pronësi të Mbretëreshës së Keqe (apo të Ligë), në përrallën “Borëbardha” (Vëllezërit Grim) – “pasqyre, pasqyrë që të mbaj në dorë, kush është më e bukura në botë…”
[ Piktura: Guido Reni (1575-1642) – Aurora (dhe Apolloni), 1614 ]

Guido Reni (1575-1642) – Aurora (dhe Apolloni), 1614