SG – D-Day për Zemrën, 2012

D-DAY PËR ZEMRËN
S. Guraziu, 2012 (skicë – enkas për të buzëqeshur ti)

Zemra e një femre është si oqeani, përplot sekrete” (Rose, “Titanic”, 1997 – J. Cameron)
Sidoqoftë, s’ka zemër që nuk gjunjëzohet – sado te akullta të jenë, sa vetë oqeani sekrete të fshehin, zemrat s’janë si ajsberget… gjoja në “thellësi” fshehur e gjithë akullsia! : )

***
Nëntëdhjetë-e-nëntë gjeneralë e ulën kokën, putharaçët kapitulluan, vrulli e pasioni u shuan, armadat u dorëzuan, tymnajë në fushëbetejë, pluhur gjithandej, qirinjtë e romancës u dogjën, muranat e durimit u shembën, klithmat u treten, buzët u kalamendën!
Humbje e hidhur sot, dështim aq i “rëndë”, plani aspak strategjik – në fakt vetëm ngutje dhe dështim, vallë si justifikohet një e tillë përhumbje, ato fjalë pa kuptim, ç’ndodhi sot, secili hap ishte dobësi – marrëzia i ngjante betejes së humbur kot… para të madhes Ditë, D-Day!

Sëpaku mbaje sekret ditën e madhe të zemrës, fryji zjarrit të ndjenjës, ama thirri dhe mendjes; nuk pushtohet lehtë fushë e betejes – e ëmbël të valojnë flamuj të fitores, kënaqësi kur kullat rrënohen, kur bedenat pushtohen, ca gjëra kur falen… të tjerat kur dorëzohen, ama zemra s’bie ne gjunj, s’kapitullon kurrë me të tillë ngutulushë… gjoja strategë lufte, putharaçë naivë, me ca plane qesharake ndër buzë!

 

(2012 – diku lart… në qiell, mes Vjenes e Amsterdamit : )