SG – Përndritësim, 2006

PËRNDRITËSIM
S. Guraziu, 2006

Thua “hesht” – nuk do t’flas… por pse të hesht vallë, a nuk është vetë heshtja zhurmë? Thuase duhet vazhduar me “purifikim” ndjenjash, thuase ndjesia “ndryshk” na qenka, korrozion apatik?!
Kjo lojë mund t’jetë çlirim nga ndonjë asfiksi, apo përndritësim, “luminizim” i orbitës tënde saturnale, gjithë ato grimca, pluhur… duken unaza, më shumë e rëndojnë inercionin e rrotullimit, sepse asnje “frymëmarrje” s’ka domosdoshmëri brenda – ne thelb vetëm domosdoshmëria mund t’jetë e tillë, siç është për arushat në Antares, bardhësia.

Besoj… këtë ndiej dhe nga këtu, vetë unë lëviz në vend – vendlëvizje, vendnumërim aksiomatik, ndoshta rrotullim, “puthje merimange”, kurth strategjik… si kur je i vetëm para një ushtrie cajgonësh – e quan “orbitë” atë që nuk është, lajthitesh, harron që lulet s’kanë orbitë për asnjë bletërosh, nga dridhja e flatrave transparente vetëm freskinë do hetosh – s’jam satelit, kam thyer ligjet tashmë, të gjitha ligjet e gravitetit marramendës, mund t’jem kudo, dy hapa pranë, dy hapa pas… secilin moment, me çdo tik-tak të zemrës mund të ateroj, buzë kërthizës të zbres, butësisht, në honin e saj hijebutë të bie në gjumë, përjetësisht.