SG – Pupla erotike, 2009

PUPLA EROTIKE
S. Guraziu, 2009

(pupla erotike të jastëkut tënd harrestar… me një “zemër të kuqe” në mes)

Mund të zvarritem tatpjetës, puthitur shtyllës kurrizore, si pikë uji të shkas “vërtebrores” marramendëse, si një mace, cilado mace dhe maçok nga familja në Serengeti, ecje kokëposhtë “pemës së jetës”, mund t’i njomë rreshkët e lëkurës mbi asht, t’i përthithë molekulat… qelizat “post-mortem”, si ndonjë fshesë moderne, aso vakumore “Dyson” pa kabllo, zhurmë as ngulfatje – dhe derisa ti pret në horizont të shfaqem, pas kodrave me Diellin në sfond, siluetë hutaçe qiellit të bronztë, tek qelizat vdesin syprinës së epidermes, e fibrat retikulare t’i burgosin vibracionet, si bari i pafund puhizat e savanës, atëherë kur shqisat luhaten, kur nisin të kalamenden, si vullkan mund të shpërthej në anën fare të kundërt, t’i bëjë lëmsh koordinatat, rrotullamën e kërthizës, andej në qendër të qendrës, si vetë gjeneza jote, si prush nga zemra e Tokës ta pushtoj relievin e pafajësisë, çdo shteg dhe pore të qenies, mund ta dridhë vetë epiqendrën, e ti të përpëlitesh rrëshqitjes… e skuqur, e nxehur, të avullosh si llavë e pafajshme, e përhumbur – ndonëse, pak çaste më vonë prapë do t’më akuzosh për “thyerje të rruges, papritmas”.

(eh sikur ajo zemër të ishte e gjallë, të kishte jetë e drithërima… aq sa ka histori)