SG – Fjalet s’kanë “peshë”!, 2013

FJALËT S’KANË “PESHË”…!
S. Guraziu, 2013 (skicë…)

Ehoja gjithë diellin e fokusonte për Narcisin, e lidhte si lupë të skuqur në sy, vetë Vullkanin* e prangoste në gji, një rreze më tepër… dhe Sahara do t’shkrihej, gjithë rëra e dunave, por jo dhe zemra e tij – e ngrata, pandehte për zemrat narcisoide duhet shumë zjarr, gjithë dielli… duhet shumë nxehtësi!

Herë-herë e pikëlluar dorëzohej, provonte qortimin, nga sytë fshikullonte diç si kërbaç flakësh… një mokër e akullt i bluante akujt e tij, i thërmonte, i grimconte pa mëshirë, por Ehoja s’kishte fjalë, s’shkruante poezi, s’e lidhte dot një varg, sipas saj fjalët s’kanë “peshë”, vetëm “frymë”, s’janë zjarr, s’janë strall, fjalët s’janë presion, magmë poetike as kristal.

Kujtohu pra, fjalët janë “kot”… dhe unë s’jam Narcis, nëse çfarë ti ndjen është e vërtetë, nëse njëmendësi, atëherë në sytë lexohen miliona poezi – pa asnjë fjalë sytë e tu thonë se buzët do t’jenë “kërkimfalja” heshturake, si buzët e Ehosë prushëzuar me pafajësinë, sonte do enden buzëve të mia… shkrumb, pa asnjë fjalë buzët tua do t’thonë “më fal” 🙂

 

– – –

* Vullkani – Zot i zjarrit në mit. romake (në atë greke, Hefesti)

* Eho (mit.) – nimfë jashtëzakonisht e bukur; oreadë – Ehoja e takoi Narcisin dhe ra në dashuri me të, por s’ishte në gjendje t’i tregonte çfarë ndjente, thjesht i shkonte nga pas, e ndiqte gjithandej ashtu memece.
Kohë më parë, duke dashur ta mbronte Zeusin për tradhtitë valentineske ndaj Herasë (gruas së vet), Ehoja qe ngatërruar me zemërimin e Herasë së bashku me konsekuencat si dënim, sepse e hutonte atë me bisedat e gjata. Hera, për inat ia pati reduktuar tmerrësisht mundësinë e të folurit – tutje e ngrata Eho mund t’i thoshte vetëm ca fjalë, s’mund ta zgjaste as një fjali modeste.
Miti i “Ehosë dhe Narcisit” na vjen nga poeti romak, Ovidi, nga “Metamorfozat” e tij. Sipas Ovidit, Narcisi ishte një djalosh fort i bukur i cili e refuzoi seksualitetin, e refuzoi oreaden e bukur, nimfën Eho dhe ra në dashuri me reflektimin e figurës së vet në liqen. Ai u mbyt në ujë dhe, pasi perënditë mitologjike ishin të fuqishme, e kthyen në një lule që sot e mban emrin e tij.
(sguraziu)

[ Piktura: John W. Waterhouse (1849-1917) – Ehoja dhe Narcisi, 1903 ]


John W. Waterhouse (1849-1917) – Ehoja dhe Narcisi, 1903