SG – Rekuizit (Poetik), 2015

REKUIZIT (POETIK)
S. Guraziu, 2015

s’është se vjen nga ti,
në fakt, mund t’jetë “ves”
narcisoid, i vetëlidhur
në sytë e Ehosë* me prangat
e Herasë*, jam pra (madje)
viktimë, memecëri poetike,
dhimbje pa gjuhë, vuajtje…
nga tërheqja jote lunatike

vocërrak i hutuar me lodrën
e lirisë, pothuaj falas
nga “treg i Çamëve”
të demokracisë, s’kam fuqinë
apollonike ta tërheq diellin
në zinxhir, as vetveten kah ti,
me një “traktor” plastik
tërhiqen mbase vetëm
hejbet e ndjesisë

ditëve i përhumbur (carpe
diem, nec sine te) – netëve,
duke i mbyllur sytë kthehem
kah ti, si Toka harrestare
n’orbitalen e fiksuar,
hijerëndë, tërë diten fytyrën
kah errësira (carpe noctem) –
pastaj gjoja dhe unë i kthej
sytë kah drita, ëndërroj
përqafimin tënd

 

– – –

* Eho (mit.) – nimfë jashtëzakonisht e bukur; oreadë – Ehoja e takoi Narcisin dhe ra në dashuri me të, por s’ishte në gjendje t’i tregonte çfarë ndjente, thjesht i shkonte nga pas, e ndiqte gjithandej ashtu memece.
Kohë më parë, duke dashur ta mbronte Zeusin për tradhtitë valentineske ndaj Herasë (gruas së vet), Ehoja qe ngatërruar me zemërimin e Herasë së bashku me konsekuencat si dënim, sepse e hutonte atë me bisedat e gjata. Hera, për inat ia pati reduktuar tmerrësisht mundësinë e të folurit – tutje e ngrata Eho mund t’i thoshte vetëm ca fjalë, s’mund ta zgjaste as një fjali modeste.
Miti i “Ehosë dhe Narcisit” na vjen nga poeti romak, Ovidi, nga “Metamorfozat” e tij. Sipas Ovidit, Narcisi ishte një djalosh fort i bukur i cili e refuzoi seksualitetin, e refuzoi oreaden e bukur, nimfën Eho dhe ra në dashuri me reflektimin e figurës së vet në liqen. Ai u mbyt në ujë dhe, pasi perënditë mitologjike ishin të fuqishme, e kthyen në një lule që sot e mban emrin e tij.
(sguraziu)

[ Piktura: Talbot Hughes (1869-1942) – Ehoja, 1900 (detaj) ]


Talbot Hughes (1869-1942) – Ehoja, 1900 (detaj)