SG – Samarxhiu i Lagjes, 2010

SAMARXHIU I LAGJES
S. Guraziu, 2010, 2013 (Skicë…)

Jep e merr – kot, ti s’rri kot, dimër as verë, maestro matuf, as për frymë as për nder, s’ndalesh asnjëherë, se ç’je ngatërruar, se ç’bën diç pranë cungut n’oborr, shtrembalaç njëqind vjeç, i kalbur, mbushur miza, i ngopur larvash cung shekullor, por hejbet plot arna e fjalë, i çuditshëm arsenali yt germatik, ç’është kjo surprizë, vallë do na shtiresh tani dhe “kritik”! – vegluri e rrallë për një xhufurrak, i rrotullon… brisqet, tehurinat, thumbat, gozhdat, gjilpërat, ashturinat, kunjat, tërkuzat, kapërnajat, tojat, sixhimat… e çfarë tjetër jo, ndër duar – kujdes sëpaku mos digjesh, ai bisht kalavarur n’buzë më mirë t’ishte llullë, llullëzezë e zverdhur, e sheh… kollitja me shtëllungat të grindet, nën hundë vetëm tymi përvidhet, por nën qeleshen njëmijë fille të mbështillen, herë harlisen e herë të bëhen një… me pordhët ndër tirq!

***
Shekullor por jo mendjemykur, as mendjendryshkur, hambar “modern” i urtësisë… s’të pëlqen kulaçi poetik, mokra zhurmuese e mullixhiut të Lulandisë, s’të pëlqen bluarja e tij, pjekja e çerepit shpirtëror – kësaj radhe s’do merresh me samarin e Sanços, s’do bësh fshesat me ferrishtat e mendjes, sot do bësh harkun e Kishotit gungaç, shigjetat e zeza, mprehur, helmatisur, vrastare… të duhen aleatë, topuzë fjalësh kundër mullinjve të erës, nga larg… fijuuuuu, sepse s’ke ngelur për mejdane, për nderin e fushëbetejës, ndërsa mullixhiu i ngratë, përgjumur, molisur, i hedh prush çerepit i uritur, i rraskapitur – gjithçka kot, tashmë njerëzia e dinë, i gjithë katundi e kanë marrë vesh, bluarja e tij aspak s’të pëlqen… as kulaçi shpirtëror në çerep!

[ Piktura: Wilhelm Marstrand (1810-1873) – Don Kishoti dhe Sanço Pança në një udhëkryq, 1847 ]

*
: ) çfarë s’kam hedhur në “letër” dhe unë, ec e mos buzëqesh (sëpaku unë vetë, meqë e di miiirë se për çfarë bëhet fjalë)
– koment me rastin e postimit ne Fb, gjoja si “ekspozim” sadopak, 2024