Lionel Royer – Kryetrimi i Galisë dorëzohet para Cesarit, 1899

Lionel Royer (1852-1926) – Kryetrimi i Galisë dorëzohet para Cesarit, 1899

(sguraziu – ars poetica, gusht 2019 – pak fjalë)
Fitorja e Cesarit ndaj forcave të “ligës galike” nën udhëheqjen e Vercingetorix (pakashumë, një lloj “Skenderbeu” francez), e vendosi sundimin romak në Gali për 500 vjetët e ardhshme. Seria e fushatave ushtarake të Romës (nën komandën e Jul Cesarit) kundër fiseve të Galisë, ndërmarrë nga v. 58 pes. deri në 50 pes. njihen si Luftrat Galike.

Piktura e përshkruan dorëzimin e kryetrimit Vercingetorix, pas Betejës në Alesia (viti 52 p.e.s). Gjithsesi, paraqitja (nga piktori Royer) e galëve me flokë të gjatë dhe me mustaqe na qenka pakëz e “dyshimtë” si saktësi. Sa i përket korrektësisë as kali i prijësit s’na qenka aq i saktë, në atë kohë kjo racë kuajsh s’paskësh ekzistuar në Gali. E madje-madje as mburojat katrore nuk u përputhkan me kohën, pasi atëbotë mburojat na paskeshin qenë kryesisht ovale.

Kampanja ushtarake e Romës kundër Galisë e arriti kulmin me betejën vendimtare në Alesia. Beteja pati përfunduar me fitoren e plotë romake. Kuptohet, fitorja rezultoi pastaj në zgjerimin e Republikës së Romës mbi tërë Galinë (si territor, përafërsisht sa Franca e sotme). Historianët thonë se galët ushtarakisht ishin po aq të fortë sa dhe legjionet romake (Cesari do t’i kishte në dispozicion 9 ose 10 legjione, nëse s’gabohem – shpesh dhe tejkaloheshin në numër nga luftëtarët galë), mirëpo përçarja midis fiseve galike, bashkimi i tyre me vonesë, si dhe kuptohet strategjia e njohur e Romës, strategjia e izolimit total, me “rrethime të fortifikuara të qyteteve”, do ta lehtësonte mjaft fitoren romake. Për fat të keq, përpjekja e prijësit të galëve, Vercingetorix për t’i bashkuar fiset kundër pushtimit romak pati ardhur vonë.

Beteja në Alesia do t’ishte beteja e fundit e madhe midis fiseve rezistente të Galisë dhe Romës, dhe konsiderohet si njëra nga arritjet më të mëdha ushtarake të Cesarit. Pas fitores romake, Galia e tërë qe nënshtruar dhe qe bërë një nga provincat romake. Për Cesarin, fitorja në Alesia ishte një sukses i jashtëzakonshëm, si në rrafshin ushtarak dhe në atë politik.
Megjithatë për arsye të tensioneve politike dhe të “ndërskamcave të pafund cesariane”, Senati s’ia pati pranuar nderin e një parade triumfale (paradat e tilla ishin “apogjeu” i ëndrrës së çdo gjenerali). Tensionet politike të Romës do t’rriteshin dhe aferat e manevrimet s’kishin të ndalur, s’do vononte dhe do t’shpërthente Lufta 4-5 vjeçare Civile e Romës, Cesari do ia dilte… do ta mbante disi situatën “për vete”, por s’do ta kishte pastaj gjatë.

Në v. 44 pes. Senati do ta shpallte “dictator perpetuus” (diktator i përjetshëm – kjo nënkuptonte, i besohej autoriteti i plotë mbi shtetin, gjithçka ishte nën komandën e tij, mund të merrej me cilëndo emergjencë ushtarake, ose të merrte cilindo vendim specifik lidhur me çështjet madhore të Romës), gjithsesi… po atë vit (44 pes) do vinte dhe komploti i disa senatorëve kundër tij, thjesht do ta vrisnin duke e therur me thikat…