SG – Casus Belli (Shkallë serioze), 2013

CASUS BELLI (SHKALLË SERIOZE)
S. Guraziu, 2013 (Skicë… përzierje në “punët e brendshme”)

Qe montuar një gala-proces, sa i përket situatës qe krijuar aso tensioni “kafkaesk”, pa bazë aq të fortë por skajshmërisht serioz – “j’accuse!” – i bërtita, e pata paditur për tradhti, për sabotazh dhe lloj-lloj devijimesh!
Mirëpo kot serioziteti, formalitetet, intrigat, psh. panumër letrash e shpifurinash për gjyqin suprem i pata nisur, njëjtë si armiku dikur që ia bënte me zemrat e përndritura të popullit; montonte procese fals, i fabrikonte një milion shpifurinash… me pretekstin absurd: ishin pishtarë të lirisë – duke e hedhur në gjyq vetë zemrën doja t’ia dëshmoj botës se as ashtu e çoroditur, me gjithë madhështinë e saj… prapëseprapë s’ishte më e mirë sesa unë, në vogëlsinë time!

E akuzuara foli me qetësi të paparë – ke të drejtë, të rrahurat e mia numërohen me “njehsorin tënd… bilogjik”, e vërtetë kjo si mangësi teknike, por e gjithë bota jote, universi yt, paqja, drejtësia që ti do, pikëtakohen në “peshorën” time, madje dhe vetë koha jote, vetë ëndrrat tua janë drithërimat e mia – ngela gojëhapur, gjuha m’u nyjëzua, s’ishte zemër fals, as paranojake… përzierjet nga jashtë ishin përzierje kot në punët e brendshme të saj, me pretekstin absurd: mospajtim me padrejtësitë e kësaj bote, ok… s’duhet mohuar, mbase dhe pakëz nxitja e presionit… kundër alter-egos!

[ fotoja: Franz Kafka dhe Felice Bauer ]