SG – Dy-tri gjëra të ëmbla, 2010

DY-TRI GJËRA TË ËMBLA
S. Guraziu, 2010 (Skicë…)

(një karrige, një violinë, një kupë me fruta… sa pak i duhet njeriut dhe t’jetë i lumtur – Albert Einstein)

Më në fund dielli altruist i puth sytë e mi, puthje me vonesë, ashtu-kështu gjithçka e vonuar, atje në Rajnë lyshtra e çuditshme, dhe vetë Rajna e amullt dukej dje, shtiret e ndenjur, nuk rrjedh qëllimisht… sepse ka dëshirë të vonohet.

Dielli justifikimin në majë gjuhe sot, po ta pyesësh “ku je – ja ku jam” do buzëqeshte si gjumash, do shkëlqente aty për aty, mirëpo sikur dhe vetë stina e dehur nga vonesa, një grusht zogjsh të tulatur po ashtu; as të rrinë as të ikin, cicërima pa ngrohtësi, të ngratët as ngrohur as mërdhirë – edhe pse në kopshtin e fqinjës Rita për varfanjakët e lagjes ka dy shtëpizëza, zogjtë e pastrehë në kopshtin tim e kanë ujin, bukën, admirimin dhe pakëz diell, ndërsa andej… i kanë bujtinat!

Si topth rrezesh dielli zhytet në gotë, përthyhet tutje amështinës ngjyrë vjollcë, me një kashtë e trazoj vorbullën në Bermuda të gotës – do kullufiste gjithçka, por jo të hidhurën e gjuhës, as të ëmblën e buzëve së saj, ngelur për një javë në cep të buzës si imagjinatë, bashkëdyzuar me 0.003 % buzëkuq, pastaj ja, dhe shkenca pushon së filozofuari, qetësi – ndërsa akoma ashtu me sy lakuriq ia dal ta piketoj thyerjen e rrezeve, njëjtë sikur dhe vulën e thatë… atje në fund të bythëshishes plastike, “Cassis” – në fakt vetëm imagjinata, cicërimat dhe rrezet të ëmbla sot.