Anri Sala – “Dammi i Colori”, 2003

Anri Sala – “Dammi i Colori“, 2003 (Video, 16 min.)
[ Nocioni i Shpresës në vend të Utopisë – “ngjyrat e Tiranës” ishin nevojë, më shumë akt “politik” sesa artistik ]

(sguraziu – ars poetica, 2019 – pak fjalë)
videoja 16-minutëshe e artistit shqiptar Anri Sala, “Dammi i Colori” (përkthehet diç si “M’i jep ngjyrat”) qe blerë nga Tate Museums UK në v. 2003, më vonë, në v. 2009, Tate Uk i pati ftuar artistin Anri Sala dhe politikanin Edi Rama në eventin “Arkitektura & Arti – Ndërlidhja dhe Bashkëpunimi” për të diskutuar rreth urbanizmit artistik, rreth qytetit si “kanavac” e si ekspozitë, rreth artit publik në formën e vet më të drejtpërdrejtë…

Edi Rama pati sqaruar rreth konceptit të vet të “ngjyrave të Tiranës”, sipas tij… hapësira publike e Tiranës, urbanizmi sikur ishin uzurpuar nga nevojat bazike të mbijetesës, hapësira urbane e Tiranës “dhunohej” nga lëvizjet demografike, nga dyndja e madhe e popullsisë rurale në kryeqytet, nga kushtet e rënda ekonomike, nga ndërtimet e pakontrolluara “ad hoc” (kur ballkonet ktheheshin në dhoma, në radio-stacione etj., kur pallatet 10-katëshe në mëngjes gdhinin 11-katëshe etj.), nga mungesa e mjeteve, fondeve publike, nga “çarja” (mosbesimi) mes qytetarëve dhe aparatit politik, nga amullia e tranzicionit “ekonomik” gjoja prej një sistemi politik në tjetrin por vetëm “teorikisht”, realisht pa asnjë mundësi ekonomike… kështu që ndërmarrja e “ngjyrimit të Tiranës”, sipas Ramës ishte diç si “nevojë” dhe më shumë akt “politik” sesa artistik, ngjyrat patën ndihmuar për ta rifreskuar sadopak vetëdijen e “topitur” qytetare sa u përket hapësirave urbane, për t’i dhënë ngjyrë vetë shpresës… dhe “ngjyrimi” i Tiranës atëbotë nuk ishte projekt i mundësuar nga fuqia “shtëpiake” ekonomike, nga buxheti i qytetit, por nga mjetet e EU si ndihmë simbolike – videoja qe shfaqur në v. 2003, në Bienalen e Venecia, si pjesë e ekspozitës Utopia Station, e cila merrej me temën sesi shoqëritë e ndryshme e konsiderojnë konceptin e utopisë…

“Si një video-projekt që merret me pikturën, Dammi i Colori i referohet përvojave të mëparshme të Anri Salës si piktor, dhe Edi Ramës si piktor, ndërsa videoja rezonon dhe midis dy mediumeve të ndryshme artistike. Rama kishte punuar si piktor para se të bëhej politikan, dhe Anri Sala ishte marrë me afreske (murale) më herët në karrierën e tij. Sala e përdor filmin për të reflektuar rreth marrëdhënieve midis artit, politikës dhe jetës urbane… ” – (Iris Balija, 2014, Burimi: Tate Museums, UK)

“Doja të shfaqja imazhe nga një vend ku të folurit për utopi është realisht e pamundur, dhe për këtë arsye utopike. Zgjodha nocionin e shpresës në vend të utopisë. U përqëndrova në idenë e sjelljes së shpresës në një vend ku nuk ka shpresë… Bëhet fjalë për trajtimin e realitetit ku mungon luksi i kohës dhe parave ”. – Anri Sala, 2006

[ materialet dhe referencat: tate museums, uk ]