SG – Medium dhe Flutura, 2006

MEDIUM DHE FLUTURA
S. Guraziu, 2006

Sot do dalësh të lodrosh pas fluturave
t’i burgosësh që në ajri
me rrjetin tënd – dhe ndjehesh bukur
ndoshta një ndjenjë, një flutur –
si sorkadhe do rendësh
lëndinës, lulishtes tërë ditën,
derisa të gjitha t’i trembësh,
t’mos ketë as dhe një ndër lulet,
as mbi kokë, as në qiell.

Pastaj do ulesh t’i burgosësh prapë,
me germat në “letër” do thurësh,
një pëlhurë të butë do endësh
me veglat “stilistike”,
do vizatosh ca lule germatike
në njërin kënd do vësh një zemër,
pak më tej një Kupidon
krahëpalosur, me shigjetat përtokë
se si qan – por do ta lësh të qetë,
nuk do i thuash “hesht”.

Në fund, e kënaqur do klikosh “Send”,
ta ngacmosh xhanin tënd, për inat –
siduket… ti megjithatë e di,
poezia është “kontakti i parë”
me fluturat, me ndjenjat,
s’është gërvishtje e penës sate,
letër e rrahur nga makina e shkrimit,
s’është “zanat”, ndonjë mjeshtëri
e vjershërimit, as hieroglife
digjitale në “screen”.

[ Ilustrimi: Paul Ernest – “Chasing Butterflies” (Duke ndjekur fluturat) ]