Postmodernizmi – Si Pjesë e si Tërësi, si Politikë e si Parodi!

S. Guraziu – Ars Poetica, Sht 2019

(…vallë e kemi “kuptuar” mirëfilli ç’është Postmodernizmi? Apo ende s’e kemi idenë, thjesht hamendësojmë, gjithkush dhe askush (njëkohësisht) ka të drejtë ngapak, edhe individi, edhe institucionet, edhe shoqëria, edhe lokalizmat edhe universalizmat, edhe pjesa edhe tërësia!…)

Ndoshta një poezi e caktuar “rrjedh” me postmodernizmin, ndoshta lufton kundër tij, ndoshta përpiqet ta injorojë, ose ndoshta dëshmon një ndërthurje a një përzierje potencialisht kontradiktore të këtyre pozicioneve” – thotë Christopher Padgett (në Radical Politics in Postmodern American Poetry).

***
E lexojmë një poezi të dikujt (s’është nevoja t’jetë e “projektivistëve”, apo e “dipimagistëve”), mund t’jetë cilado poezi e ditëve tona, dhe si ta dimë raportin e asaj poezie mes postmodernes / modernes, si ta konceptojmë (këtë raport)?

Në krijimet e shumta letrare të kohës sonë, impulset postmoderniste përshkohen e “gërshetohen” me filizat e me tharmin e modernizmit. Kjo dhe nënkuptohet, figurativisht filizat e postmodernes sikur ishin sythash nga “trungu” modernist. Me fjalë të tjera, mbase dhe është e pamundur ekzistenca e postmodernes jashtë konceptit “modernist”. Rishtas, dhe kjo afërmendsh!

Pra çfarë është një vepër postmoderne e ditëve tona? Si ta përcaktojmë bie fjala një poezi si “postmoderne”? Si ta klasifikojmë që një vepër i takuaka artit postmodernist, si ta dallojmë atë nga arti modernist, si të përcaktohet “postmodernja” e veprës, qoftë poezi, pikturë, skulpturë apo çfarëdo të jetë?

As vetë shkollarët s’e kanë ndonjë marrëveshje absolute, ndonjë ide definitive sa i përket kësaj. Në fakt, qëkur fjala është për materie “teorike-filozofike” (qoftë në qasjen e kulluar teorike, qoftë dhe në kritiko-analizën e “praktikës” së artbërjes) mes shkollarëve sikur ka një mosmarrëveshje të konsiderueshme lidhur me këtë tematikë.

Artistët postmodernë na bombardojnë me lloj-lloj idesh “vullgare”, në emër të artit e të kulturës – derisa s’i kemi rrahur e analizuar konceptet s’mund as të “ankohemi”, as të pajtohemi, as të distancohemi. Sepse, kuptohet, ende pa i kuptuar ato, s’na takon të hyjmë në hak të gjërave. Ashtu pritet, parapritet… dhe bota është mësuar tashmë me lloj-lloj artistësh e “rebelësh”, është mësuar me “bombat ideatike” bie fjala të rrymës “Turner Prize”, si D. Hirst, A. Kapoor, A. Gormley etj. (sa për ta përmendur ndonjërin).

Por shtrohet pyetja, vallë a do ta kuptojmë ndonjëherë mirefilli postmodernizmin? Pse duhet kullufitur shundi artistik (bie fjala, nese t’ishte fjala per shund), pse duhet heshtur për “pikat” e fabrikuara industrialisht të Hirst? Pse askush as “gëk as mëk”? Apo meqë bota ende s’e ka të qartë si funksionojnë raportet postmoderne-moderniste, atëherë duhet heshtur, natyrisht.. s’duhet hyr në hak të askujt dhe të asgjëje.

E kemi “kuptuar” mirëfilli ç’është Postmodernizmi? Apo ende s’e kemi idene, thjesht hamendësojmë, gjithkush dhe askush (njëkohësisht) ka të drejtë ngapak, edhe individi, edhe institucionet, edhe shoqëria, edhe lokalizmat edhe universalizmat, edhe pjesa edhe tërësia!

Mos vallë vërtet “është aktiv një mutacion vendimtar historik, i cili përfshin artin dhe shkencën, kulturën e lartë dhe të ulët, parimet mashkullore dhe femërore, pjesën dhe tërësinë; diçka që përfshin Individin dhe Shumicën…?”! – (Ihab Hassan – “Toward a Concept of Postmodernism”, 1987)

Postmodernizmi, ashtu si dhe Modernizmi, i hedh poshtë kufijtë midis formave të larta / të ulëta të artit, i refuzon dallimet e ngurta të zhanreve, theksin e fokuson në imitimin, në parodizimin, në ironizimin, në apolitizimin / politizimin. Arti dhe mendimi postmodernist i favorizojnë reflektimin, vetëdijen, copëzimin, ndërprerjen, paqartësinë, njëkohshmërinë… me theksin në temën e njeriut të “çnjerëzuar”, apo në dehumanizimin e tij si subjekt. Postmodernizmi pakashumë duket se i ndjek të njëjtat “shtegnaja” si dhe Modernizmi. Dallimi thelbësor nga Modernizmi është në qëndrimin e kundërt të Postmodernizmit pikërisht ndaj shumë prej tendencave të përbashkëta (tingëllon pothuaj si paradoks, por nuk është : )

Derisa “Modernizmi”, si lëvizje në letërsinë, në artet pamore, në muzikën etj. i hodhi poshtë standardet e vjetra “viktoriane” se si duhej bërë arti, se si duhesh konsumuar dhe më e rëndësishmja ndoshta, çfarë arti duhej të “thoshte”, çfarë arti përfaqësonte.
Në rrafshin letrar figura të shquara si T.S. Eliot, Ezra Pound, Franz Kafka… konsiderohen themeluesit e modernizmit të shek. XX. Në periudhën e ashtuquajtur “Modernizmi i lartë” (1910-30) figurat kryesore të letërsisë moderniste në mënyrë mjaft radikale do ta përcaktonin se çfarë krijimesh duhet sjellur në jetë, si duhet të jenë, si të duken.

Nga korniza jonë kohore thuhet se Modernizmi tentonte ta paraqiste pamjen e fragmentuar të subjektit njerëzor dhe të historisë. Shumë qasje të krijimtarisë moderniste mëtonin ta mbështesnin idenë se veprat e artit mund të sigurojnë unitetin, kuptimin, koherencën (të cilat gjëra sikur qenë bjerrosur apo tëhuajsuar në të përditshmen moderne, në jetën e njeriut modern). Andaj, bie fjala “Toka e Shkretë” e T.S. Eliot duhet kuptuar si një lloj “eulogjie historike (letraristike)”, si paraqitje e atij fragmentimi subjektivist në formëm si diç tragjike, si derdhje lotesh, si diçka që duhet vajtuar si humbje. Arti do ishte si “intermedietër” substancial, ngjitësi universal që ta riparonte çarjen, arti i modernistëve sikur mëtonte ta bënte atë që institucionet e tjera të shoqërisë s’ia dilnin ta bënin.

Mirëpo, tashmë me qasjen krejt të kundërt, postmodernizmi nuk e vajton idenë e copëzimit, të fragmentarizimit, nuk qahet për bjerrimin e kuptimit, të koherencës, fragmentimin s’e sheh si diç tragjike, si humbje për të cilën duhet vajtuar, por pikërisht e “feston”, e përkujton fragmentimin… monumentalisht.

Shkollarët thonë se “Postmodernizmi” e vështirë të përcaktohet aq “saktë”, pasi është një koncept që shfaqet aq gjithanshëm, në një larmi fushash, duke përfshirë artin, muzikën, filmin, letërsinë, komunikimet, modën, teknologjinë. Ka ithtarë e ka dhe skeptikë, ka mbështetës e edhe varrëmihës.

Disa njerëz “e kanë ngatërruar një lëvizje të madhe të vetëdijës kolektive (postmodernizmin) me diç si një lloj mode kalimtare“, do thoshte Paolo Portoghesi. Bazuar në vërejtjen e tij Linda Hutcheon do t’sugjeronte se Postmodernizmi ndoshta s’është diç më shumë sesa “reagim politik” dhe si “parodidizim” (në fakt s’mund të jetë diç tjetër, sipas saj). Hutcheon pati shkruar se duke e përdorur parodinë, format postmoderniste anojnë të orientohen drejt një ligjërimi publik i cili me lehtësi do të shmangte estetizmin dhe hermetizmin modernist, si dhe vetë-margjinalizimin shoqëror-politik (të vetvetes). Kështusoj Postmodernizmi pra ndoshta do t’mund të konsiderohej si një lloj “parodizimi artistiko-politik”.

“…në artin e sotëm, ajo që si përkrahësit, si kundërshtarët e Postmodernizmit dëshirojnë ta quajnë “postmodernizëm” – qoftë fjala për video, valle, letërsi, pikturë, muzikë, arkitekturë, ose ndonjë formë tjetër – duket se është art i shënuar kryesisht nga një hulumtim (investigim) i brendshëm i natyrës, i kufijve dhe i mundësive të gjuhës apo ligjërimit të artit. Në sipërfaqe, interesi kryesor i Postmodernizmit duket se është në procedurat e prodhimit dhe në parapritjet e veta, si dhe në raportin e vet parodizues me artin e së kaluarës.” – [ Linda Hutcheon – “Politika e Postmodernizmit: Parodia dhe Historia” (Cultural Critique, No. 5, Modernity and Modernism, Postmodernity and Postmodernism,1986-1987)]

DIKUSH ËSHTË DUKE STUDIUAR TRURIN E AJNSHTAJNIT
Miles Solstice [ 1989-2017, ShBA ]

Kur kokëmëdhenjtë
e radhës të vdesin
a do t’i mbledhin emailat
e tyre dhe t’i publikojnë,
për ta zbuluar motivimin
rreth gjithçkaje që ata
kanë shkruar ndonjëherë,
që të ndriçohen studiuesit
dhe të kënaqen
lexuesit kureshtarë?

Shkruhet më shumë
se kurrë tani
e prapë nuk shkruhet gjë.
Dhjetëmijë elefantë
luhaten në puhizë.
Fijet e mprehta të barit
komplotojnë kundër
një luleradhiqeje.

Një albatros fluturon
pesëqind milje
pa i tundur krahët
migron nga poli në pol.
Çmimi i një banknote
qind-trilion dollarëshe.

Keni ndenjur ndonjëherë
pranë zjarrit në kamp,
derisa këpucët
nisin e shkrihen?
Dhe çfarë me gishtërinjtë
në atë rast?

– – –
© M. Solstice – Burimi: Poetry (Shtator 2019), via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2019

VAZHDO I EGËR
Miles Solstice [ 1989-2017, ShBA ]

Njerëzit vazhdojnë
ta parashohin fundin
e botës.
Athua mërziten
kur s’ia qëllojnë?
Dallimi mes
izolimit tënd social
dhe si dukesh
nga kozmosi.
Ç’thotë këmisha jote?
Ajo e humbi një sy
dhe rishtas e rriti,
është gjelb-zverdhur.
Le t’jetë i bekuar
mbikalimi.
Shtrati yt vrimë
e madhe sa Jupiteri.
Ngjitur prapë në anën
ngjitëse të shiritit.
S’mund të sheh
çfarë nuk ekziston.
(duke parafrazuar)
Kush?
Dua t’ia filloj një kolegji
të bërë nga anestezia.

– – –
© M. Solstice – Burimi: Poetry (Shtator 2019), via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2019