SG – Definendum Absolut, 2002

DEFINENDUM ABSOLUT
S. Guraziu, 2002

Fletë graniti, mermeri si letër në duart e tua
pllakëza druri, pergamenë të kohës, papirusë
kah s’të shkoi mendja, sa shumë hipoteza
shpifje, të vërteta, përralla, mijëra antiteza
disa të bardha, disa të kuqe e edhe të zeza
sa shumë lot feniksi, melhem pas dështimesh
mos vallë nga një masë e mishtë… kujtimesh
nga indi yt që më së paku e njeh, nuk e sheh
mbështjellë me ashtin… brenda ashtit tënd.

Kujto frymën, etjen e robëruar në korniza
shih si Locke, Russell, Heideger, Derrida…
e kush tjetër jo (!) hanë qershi të krimbura
treten, vetëshkrihen të definojnë definitivisht
të vërtetën e fundit, stalagmit e stalaktit
që do t’mbajë lidhur detin, tokën e qiellin
ndër gurët e Kohës së Gurit e gjer tek sot
e sheh se do t’shteren detet, oqeanet
mos u habit për germat nëse hanë vetveten
duhet të gjejnë definicionin e definicioneve

Sot e kësaj dite, edhe pas njëmijë shekujsh
domethënia e domethënies të del laramane
Dielli buzëqesh (ta luan syrin), mbase e di
triumfalisht në mëngjes vlejnë tjera teori!
E ti zbrampsesh nga kryeneçësia e ëndrrës,
provon të qetësosh mozaikun e kalamendur
s’ka fare kuptim, çdo gjë është një marrëzi
le të çmenden të gjithë, ti do të ngelesh ti

Nuk bindesh dot, s’ke si t’i besosh Diellit
hedh një herë sytë jashtë xhamit të studios
ç’sheh tani s’është çfarë do t’shohësh
oqeanet stërmbushur faqesh të kriposura
kronikat atlantidase ende s’janë tretur
as librat e Aleksandrisë nuk janë djegur
epruvetë kolosale me trurët e qytetërimit
enciklopedi e gjallë, konservuar me kujdes
si kanaçet japoneze me gjarpërinj të dylltë
por ti e di, e ndjen se kurrë s’do të lexosh
Teorinë e Unifikuar, La Grande… Grandioza
definicion që mbyll rrethin, thjesht hula-hup
definendum absolut që nuk i vjen era m*t.

[ ngjitur: Micaela Lattanzio – “Fragmenta” ]