SG – Disiplinë Mentale për Mortin, 2002

DISIPLINË MENTALE PËR MORTIN
S. Guraziu, 2002

Me qenë a mos me qenë
i verbër… i shurdhër… i heshtur
kjo s’ishte pyetja e Sfingës
Çfarë ngjyre do t’kenë sytë e Shehrezadës?
Kjo mund të ketë qenë…

Me qenë a mos me qenë
i gjallë… i vdekur… i harruar
s’ishte pyetja e Sfingës
Si do t’quhet kali i Napoleon Kokëmadhit?
Kjo mund të ketë qenë…

Nuk di… nuk e di si
vallë me cilën mrekulli
qenkam përgjigjur me urtësi
paskam kaluar, paskam shpëtuar!
Por përse ditë-netët ma turbulluan
ngjyrën e syve të mi… dhe emrin tim?

***
Në zemrën – Nekropolis
heshtja balsamoset ngutshëm
Sfinga nuk është para portës
vdekje – pa të pyetur kush
çudi, gjithmonë kam kujtuar
të vdesësh s’është kaq lehtë
Sokar, sëpaku zbrit nga statujat
ma bëj madhështor funeralin.

[ Figura: Edipi dhe Sfinksi i Tebës, ~470 p.e.s. ]