SG – S’jam Shekspir, 2007

S’JAM SHEKSPIR
S. Guraziu, 2007

Provo këtu, thua – puthje
e lehtë, frymëmarrja
ndalet, afsh i valë,
diç si shenjë, përskuqje
pastaj një fresk aty përreth,
asgjë… shihemi në sy
me habi!
Atëherë këtu pra –
insiston, ngjes buzët
ku gishti yt thotë,
njëjtë përsëri, zbres pak
më poshtë në kraharor…
Mirë, thua – provo aty.
Një drithërimë, spazmë
e kurdisur, puthje
si injeksion me eliksir
dhe zemra hapet – o zot,
sa shumë dritë, ja përse
i dehur me ty –
atje në sfond reflektorë
të fortë m’i verbojnë sytë,
jo qirinj as romantikë,
unë s’jam Shekspir,
më trullojnë pa mëshirë,
prapë sikur shoh gjithë yjet
e gjithësisë, një milionë
dritash në sytë,
më marrin në pakthim.

[ foto: Ryan James – Girl in Air (Levitation) ]