François-André Vincent – Zeuksi duke zgjedhur modelin për portretin e Helenës, 1789

François-André Vincent (1746-1816) – Zeuksi duke zgjedhur modelin për portretin e Helenës, ndër vajzat e Krotonës, 1789

 

(sguraziu – ap, gusht 2019)

Helena e Trojës (ose e njohur dhe si Helena e Spartës) ishte diç si “Miss Universe” e mitologjisë, nga grekët konsiderohej gruaja më e bukur në botë. Ajo do t’ishte shkaktarja e “pafajshme” e Luftës së Trojes, do ta humbte dhe dashurinë, do ngelej pa Parisin, princin bukurosh. E pafajshme… pasi gjithë fajin ashtu-kështu përherë e kishin perënditë e perëndeshat, ata përziheshin, i ngatërronin si mos më keq aferat e njerëzve e të mbretërive : )

Artisti i famshëm grek Zeuksi, pasi qe porositur ta pikturonte një portret të Helenës për Tempullin e Jupiterit në Krotonë (Itali), duhej t’i gjente e t’i zgjedhte tiparet e bukurisë, karakteristikat më të përsosura ndër pesë bukuroshet më të famshme të qytetit. Aq e bukur na ishte dikur Helena, s’kishte vajzë të vetme që t’i afrohej, bukuri e saj ishte e paarritshme. Rrëfimi piktural rreth Zeuksit për zgjedhjen e modeleve është “referencë” nga shkrimet e Ciceronit.

Helena ishte vajzë e vetë Kryezotit të Olimpit, Zeusit, dhe motër e Kastorit, Polluksit e Klitemnestres. Ajo qe bërë gruaja e Menelaut, mbretit të Spartës. Mirëpo Afërdita (perëndesha e Dashurisë) do t’ia premtonte atë Parisit (princit trojan, djalit të mbretit Priam). Perëndesha dëshironte ta “shpërblente” Parisin, sepse ai pati “gjykuar” për Afërditën të jetë më e bukura ndër perëndeshat (“Gjykimi i Parisit”).

Pra “dashuria e merituar” e Parisit qe ujdisur me “magjitë” e Afërdites. Helena ashtu-kështu kishte afera e dashuriçka tinëz me Parisin, por një ditë, derisa Menelau s’ishte në “shtëpi”, Parisi e bindi atë të ikte së bashku me të në Trojë.
Me “vjedhjen” e Helenes, vetë gruas së mbretit… nderi spartan ishte njollosur e katranosur, Sparta qe fyer e poshtëruar sa s’ka më. I vëllai i Menelaut, Agamemnoni e nisi një ekspeditë luftarake kundër Trojës për ta rikthyer Helenën dhe nderin e Spartës në vendin e vet. Ky do t’ishte fillimi i Luftës së Trojës (për të cilën na rrëfen Homeri në “Iliadën”). Sipas rrëfenjës epike, pas 10 vjet luftë grekët më në fund morën Trojën, dhe Helena qe kthyer përsëri në Spartë.