SG – Shërim Patriotizmi, 2006

SHËRIM PATRIOTIZMI
S. Guraziu, 2006

(Flamuri ashtu-kështu është magjik… por ka dhe një formulë të re për shërimin e ndjenjës-tepricë të patriotizmit)

Nëse në derën tuaj pa firmë, iniciale, ka një gojë poste sepse s’keni kuti postale… oborri juaj kopsht sekret është, prapa shtëpisë (si kopsht mafiozësh sicilianë), nëse dera juaj “primare” drejt e në rrugë sheh, anise ka një vrimë optike, kureshti okulare, konvekse ose konkave (për raste nevojash emergjente të kësaj bote) nga ku mund t’i shihni surratet nën thjerrëz, si eksperimente optiko-litografike të Escher, kini kujdes nga pakot që fluturojnë brend, bukuroshja “zyrtare” me buzëqeshjen marramendëse, me flokët e artë si grunajë në valëvitje, buzë të trëndafilta, lyer rozë-artifiça, shkëlqimtare – zyrtarisht s’e ka për detyrë t’i skanojë dërgesat e milionta, ajo thjesht detyrën e vet do ta kryejë, do gjuajë postën në “gojën” tuaj, dhe nëse qëlloni në dritare, në ballkon, nëse ju sheh, do jua mbyll njërin sy djallëzisht, nga çfarë ndonjëherë mund të ndodhë… dita ju duket më e dielltë.

Dhe kështu, goja e derës sime i kullufit të gjitha surprizat e botës, çdo ditë… dërgesa vulosur me lloj-lloj vulash, pullosur me lloj-lloj pullash, unë i hapë e gëzohem, lumturohem, herë-herë ia kris të qeshurës, përmallohem, shpesh mrekullohem, përpëlitem, shtangem nga surprizat, rrëzohem.

Sot gjeta një bombë të llojit “sex-apeal” kurdisur kuq e zi: dy palë ndërresa femrash, aso me grep thurur, super-erotica me lloj-lloj zemrash një zinxhir argjendi dhe një tjetër mini-lavjerrës me gurëzi e perlash fals, një libër poezish, dy kartolina magjepsëse, prapë sikur rastësisht, shkruar kuq-e-zi, të gjitha parfumosur me ndonjë afrodiziak kinez, dhe mos të harroj… një i kuq buzësh i përdorur, o zot, fishek që do ketë shkitur buzëve të zjarrta, mbase me afsh – që kurrë puthur s’i kam, shijuar… as prekur, buzë që nuk dinë as çfarë do t’puthnin, që as idenë s’e kanë se përtej derës mund t’fshihet një plakush zhelan, ndonjë arush-çubardhak, monstër zemrash, macho-zi, mbret akullnajash pa kurorë, pinguin shakaxhi… por “okay”, me shtyri të shkruaj mesazhi kuq e zi, sepse për një moment u përhumba, kujtova se do ta tradhtoja dhe vetë Shotën po t’isha Azem, gjithë Drenicën!

Kujdes pra, s’është shaka nëse merrni tek ashtu brekushe ngjyrë zemrash, si flamuri kuq e zi, mos lejoni të ndodh diç në ju… asgjë veç krenarisë, përveç të ndjeheni krenar që jeni shqiptar!