Rrugëzgjatja e “Hyrjes” në EU!

(sguraziu – ars poetica, qershor 2019)

[ …dhe frika se mund të dalim të “qethur” (si Greqia) – pothuaj para 10 viteve, bazuar në “histori” reale, gjatë v. 2010, hedhur në letër nga unë, 2012 ]

“…në avion nga Roma për në Amsterdam, një holandez me të cilin rastësisht e “kapëm si temë bisede” problemin e Greqisë, në një moment ai desh u shkoklua së qeshuri, sepse unë u shpreha:
– Hëëë, se s’duhet të brengosen as grekët, lum si ata… kanë panumër ishujsh, askush s’di saktësisht sa ishuj i kanë, le ta shesin një, psh. le t’ia shesin ndonjërin Shqipërisë dhe ja, dalin nga kriza.
– Ka Shipëria aq para sa për t’blerë ishuj – më pyeti ai pa të keq, por dhe qeshte pandale me idenë e ishujve.
– Lëre dhe këtë – ia ktheva – ç’rëndësi ka kjo, të gjithë ata peshqit e mëdhenj (të bankave dhe aso “ekzekutivë” psh. të FMN-së) kanë. Por dhe atij kryeministrit tonë (e kisha fjalën për Sali Berishën) as syri s’i trembet, edhe ai po bën çmos për t’hyrë në “Evropë”. Ndoshta sëshpejti Shqipëria dhe hyn, na hyri dhe Greqia atëherë… por vetëm mos t’na ndodh pastaj të kërkojmë si grekët… të dalim. Kam frikë pastaj si “dalim”, ec e dije, nganjëherë hyhet por shpesh dhe i qethur del njeriu?! E ne s’kemi aq shumë ishuj!
Sidoqoftë, kam përshtypjen nëse Berisha të dëgjonte se Greqia na e paska hedhur ndonjë ishull në shitje, do t’ia bënte disi, do t’i gjente ku janë e ku s’janë. Ndoshta do ia kërkonte pikërisht mbretëreshës sonë, shkëlqesisë së saj, Beatrix. Dihet, ajo ka aso napolona të Elisabetes ende pa i prekur, aso napolona të “piratëve”… sepse ishujt nuk shiten çdo ditë ore mik, mendon se Berisha do ta linte tek ashtu t’i shket një “zog” i tillë nga dora!?

Më kujtohet, holandezi pati qeshur për nja 2 orë të tëra të fluturimit nga Roma. Për mua s’ishte aq “qesharake” ndoshta sepse disa gjëra tona ballkanike padyshim i njoh më mirë se ai. Unë bëja shaka por dhimbjen dhe frikën për krizat si dhe për “rrugëzgjatjen” e hyrjes së Shqipërisë… e kisha me gjithë mend.”

[ shkëputur nga shkrimi: Masat “asketike” të qeverive – Kursimet kolektive! – S. Guraziu, 2012 ]