Penicilini i përkohshëm “financiar”, Greqia e “semure” deri pas 2060-s!

(sguraziu – ars poetica, qershor 2019)

…sipas “The Balance”, 2019, rasti i Greqisë ishte shpëtimi më i madh financiar në histori, dmth. “shpëtim” i një vendi, i një shteti të falimentuar. Që nga fillimi i “krizës greke” në v. 2010, autoritetet e ndryshme evropiane dhe investitorë nga mbarë bota i kanë dhënë Greqisë “hua” afro 320 miliardë Euro. Deri në Janar të 2019, Greqia i ka “larë” vetëm 41.6 miliardë Euro. Pagesat e borxhit të Greqisë i tejkalojnë planifikimet për “shlyerje” edhe përtej v. 2060.

***
“…Masa të ashpra kursimi ose “koprraci e imponuar kolektive” gjatë historisë së këtij fenomeni qenkan ndërmarrë zakonisht kur qeveritë nuk ia paskan dalur t’i “menaxhojnë” detyrimet e tyre për borxhet. Ato vetëm flitkan e flitkan pa ndalë për recesione e për kriza. Bankat mund ta humbin besimin (dhe kjo ndodhka bukur shpesh) në aftësinë e një qeverie të caktuar, sa i përket gatishmërisë për t’i kthyer borxhet. Dhe “klubi i bankave” ose bankierët e mençur thjesht refuzuakan që ajo qeveri të “rrokulliset” mbi borxhet ekzistuese. Ndonjëherë bankierët tek ashtu, duke pirë whiskey në kopsht… imponuakan norma tejet të larta të interesit. (Këtu dua të shtoj dhe diç si detaj: më kujtohet mirë fytyra e Berluskonit, kur ajo Zonja e Hekurt e FMN-së ia pati bërë me “sy djallëzisht”, pak ditë para se ai të jepte “dorëheqje”!). Në situata të tilla, institucione ndër-qeveritare si psh. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kushtëzuakan “masa të ashpra kursimi” në këmbim të një injeksioni, si penicilin i përkohshëm kundër “sëmundjes se mosbesimit”, pra duke marrë rolin e një huadhënësi të fundit, si garanci finale. Kur FMN-ja kërkuaka një politikë të tillë ekonomike nga qeveritë “problematike” (që s”ia dalin t’i kthejnë borxhet e veta ndershmërisht) termat qenkan të njohur si “kushtëzime të FMN”. – – [ shkëputur nga shkrimi: Masat “asketike” të qeverive – Kursimet kolektive!S. Guraziu, 2012 ]