Gazeta “Rilindja” (Prizren – Prishtinë, 1945-2008)

S. Guraziu – Ars Poetica, T 2015

Gazeta “Rilindja” ishte padyshim gazeta më e shitur në trojet shqiptare. Tirazhi maksimal, gjatë festave të Vitit të Ri, ka mbërritur deri në 234.000 ekzemplarë.

“Rilindja” për herë të parë doli më 12 Shkurt 1945 në Prizren (Esad Mekuli), dhe në ish-Jugosllavi ishte gazeta e parë në gjuhën shqipe. Kishte tirazh 1000 kopje, e filloi punën me një redaktor dhe tre gazetarë. Nga numri 1 deri në numrin 60, gazeta shtypej në Shtypshkronjën Shtetërore në Prizren.
Numri 61 i gazetës faqoset dhe shtypet në Prishtinë në Shtypshkronjën Krahinore të Frontit Popullor. Në fillim ishte e përjavshme me vetëm katër faqe deri më 27 qershor 1948, kur fillon të dalë dy herë në javë, të dielave dhe të ejteve.
Nga Nëntori i v. 1958 u kthye në gazetë të përditshme (nuk dilte vetëm të premteve). Nga v. 1964 del çdo ditë, standard me 20 faqe, ndërsa të shtunave dhe gjatë festave 24-32 faqe.
Gazeta “Rilindja” në v. 1984 mbërriti një tirazh ditor prej 48.768 kopje. Më 5 Shtator 1990 nga pushtetit serb u ndalua botimi i saj, por “Rilindja” u botua në Prishtinë gjatë kohës të luftës, nga 22 Shkurti deri më 24 Mars 1999. Pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, më 12 Qershor 1999 “Rilindja” del përsëri, me faqe të shtuara dhe një pjesë e tyre me ngjyra.
Numri i fundit i saj special u botua më 30 Dhjetor 2008, në ballinën e së cilës shkruante “Gazeta Tradicionale e Kosovës”, dhe artikulli kryesor i këtij numri ishte “Kosova shtet në OKB”.

***
(shtojcë)
…derisa po ngjisja foton me ballinat, më ra në sy çmimi i gazetës në vitin 1984 (10 dinarë) dhe 1989 (1000 dinarë), imagjino… vetëm 4-5 vite dhe inflacioni kishte arritur në Proxima Centaury 🙂
booo se ç’ma kujtoi atë periudhë kur veç pati nisur degradimi i ish-federates, se ç’ma kujtoi korrupsionin në të gjitha segmentet ish-jugosllave, sikur gjithçka ishte nisur drejt një “tragjedie” te pashmangshme (vetëm se nuk e kishte njeriu idenë), e dhimbshme ta kujtosh se ku e patën katandisur ekonominë kosovare, sidomos pas 1990, e patën shembur çdo sistem të mundshëm, qenë pezulluar të gjitha rutinat ordinere të qytetarisë e të mbijetesës, qenë mbyllur të gjitha “dyert” e arsyes… o zot çfarë presioni ka përjetuar populli kosovar në atë kohë, qoftë dhe vetëm nga aspekti ekonomik, një popull të tërë e patën hedhur në rrugë, nje popull i tërë sikur qe kthyer në kukulla të heshtjes, si marioneta të poshtëruara tek gjymtyrët varur me lloj-lloj fijesh të absurdit… duke ua nëpërkëmbur dhe të drejtat themelore si qytetarë, kam përshtypjen sikur vështirë të kapërthehet vetëm me fjalë 🙁
(sguraziu)

(Referencat: “Asllan Fazlia (Skicë për një portret)”, 2014 – Dorëshkrim i autorit A. Dërguti, redaktuar nga Rexhep Shahu – Foto: Pjesë nga ballina e gazetës “Rilindja”, Nr. 1, 1945, dhe ballina të ndryshme)