Festa 1-javore amerikane e Lirisë së Leximit!

S. Guraziu – Ars Poetica, 2018

Java e Librave të Ndaluar, një ngjarje vjetore amerikane për ta festuar Lirinë e Leximit, për v. 2018 filluaka sot, 23 Shator. Java e Librave të Ndaluar qe themeluar në v. 1982, e që është një fushatë sensibilizuese vjetore e promovuar nga Shoqata Amerikane e Bibliotekave dhe nga Amnesty International, simbolikisht festohet Liria e Leximit, tërhiqet vëmendja tek librat e ndaluar, tek publikimet e sfiduara të së kaluarës, si dhe theksohen e nderohen autorët-individët e persekutuar.

Për sot, Poetry Foundation e ka shpërndar poemën e plotë “Vajtimi” si prurje letrare të Allan Ginsberg (1926-1997) gjatë 1955-56, duke cekur se në v. 1957, libri i Ginsberg qe ndaluar nga qeveria e ShBA dhe kur 520 kopjet qenë konfiskuar, botuesi i librit qe arrestuar, dhe kur ACLU (Unioni Amerikan për Liritë Civile) e pati marrë përsipër mbrojtjen juridike. Nëntë ekspertë letrar patën dëshmuar “pro” meritës letrare të poemës, gjykata pati sjellur vendimin se libri nuk ishte për t’u censuruar, statusi i “librit të ndaluar” qe pezulluar dhe Ginsbergu me poemën e tij qe bërë një fenomen kulturor.

***
Hm, sa herë e çoj mendjen andej, ose kur ndonjë ngjarje na e kujton të kaluarën, sikur them mëvete: historia amerikane është njëra nga historitë më të “çuditshme” mes historive te kohëve të reja. Për mua tingëllon absurd censurimi dhe ndalimi i një libri letrar, i një “vajtimi”… pikërisht atëherë kur amerikanët do t’ia fillonin ëndrrës për ta pushtuar Hënën, gjithë ajo Amerikë e madhe, 50 e kusur shtete si 1, e gjithe ajo Perandori pompoze të ketë “frikë” nga një vajtim letrar, nga 1 poemë… absurd!

Ama ja që as “zemra e demokracisë” moderne s’është aq e ëmbël, as perfeksionizmi as propagandat, as pompoziteti as shumçka s’janë çfarë amerikanët pretendojnë se janë. Përndryshe Amerika s’do të ankohej për vetë “Trump-in” e vet, si President për të cilin gjysma e Amerikës s’ka votuar, i cili pa pikë turpi flet për mure e ndarje, në vend që të fliste për ura e bashkim, i cili pa pikë turpi me retorika të “maskuara” thua se trumpeton për “supremacinë e bardhë”, në shek. XXI.

Në v. 1955 Rosa Parks refuzoi t’ia lëshonte ulësen të bardhëve në autobus (qoftë dhe nëse ta paguante shtrenjtë, thjesht pati ngulur këmbë), të njëjtin vit Amerika do ta niste luftën “vietnameze” (që do zgjaste plot 20 vjet, luftë ku do treteshin afro 5 milionë shpirtra), 1 vit tutje pasi e nis luftën Amerika e bën Zotin si “moto nacionale”, adaptohet “In God We Trust” si moto kombëtare, një vit tutje më 1957 pason “gala-turpi” qeveritar me ndalimin e një “vajtimi”, me ndalimin e 1 poeme, disa vite në mjegullnajen e segregacionit deri tek “kulmi” në v. 1968 kur do t’vritej Martin Luther King (si oxhak i “zezonës” që tymoste mbi kulmin e dekadës), dhe hooop 1 vit më pas e 1969-a, dhe Amerika do “kërcente” në Hënë, do ta mahniste botën me atë euforinë tipike të “vetëkënaqjes” me sukseset e me avancimet pompoze.
Nganjëherë them “histori vertet amerikançe”… histori nga më të “çuditshmet” mbi rruzullin : )