“Agnosticizmi” dhe “Agnost-teizmi” – Ngjashmëria dhe Dallimi!

(sguraziu – ars poetica, tetor 2017)

Një ateist nuk beson se Zoti ekziston, ateisti i “zjarrtë” e hedh poshtë vetë idenë e Zotit, kundërshtia e tij ndaj besimit ka të bëjë me thelbin e vetë idesë “Zot”.
Ironikisht, ateizmi kthehet shpesh në ironi të kulluar pasi disa ateistë janë aq fanatikë në shprehjen e ateizmit sa vetë ateizmi ose mosbesimi i tyre kthehet në njëfarëlloj besimi. Të besosh shenjtërisht në mosbesim dhe të insistosh në absolutizmin e të drejtës dhe të “vërtetësisë” së besimit tënd… është gjithashtu një lloj besimi (a “religjioni” : )

Agnosticizmi ka të bëjë me njohuritë, dhe sidomos me njohuritë që mungojnë (jo vetëm në kuptimin e dijeve “shkencore” dhe të fakteve, por dhe në sensin filozofik). Një agnostik nuk e di nëse ka Zot, por nuk gjykon preras dhe e respekton “idenë” se mund të ketë Zot, ai nuk e kundërshton verbërisht “idenë” në fjalë, por as nuk i beson verbërisht…
Pasi nuk i ka njohuritë e duhura për ta argumentuar ekzistencën ose joekzistencën e Zotit, një agnostik thjesht mund të jetë besimtar (teist) ose jobesimtar (ateist). Gjithsesi në të dy rastet kam përshtypjen agnostikët nuk janë të “zhurmshëm” dhe as të bujshëm lidhur me çfarë ata besojnë, përkundrazi… zakonisht janë racionalistë : )