Richard Wagner – Ritt der Walküren, 1870

S. Guraziu – Ars Poetica, K 2017 – Pak fjalë…

Walküren – secila nga dymbëdhjetë shërbëtoret e Odin, sipas mitologjisë nordike besohej se kur një viking vdiste në betejë, njëra nga to e shoqëronte atë për në Valhalla (vendi ku heronjtë e vrarë besohej pastaj të festonin përjetësisht me perëndinë Odin – zot suprem dhe krijues, zoti i fitores dhe i të vdekurve) – Mitologjia nordike është njëra nga më të njohurat ndër popujt e Evropës Perëndimore, së bashku me mitologjinë greke, romake, egjiptase dhe germanike (mitologjia nordike bën pjesë në këtë të fundit… germanike)

***
Padyshim vepra më e famshme e kompozitorit gjerman Richard Wagner është “Der Ring des Nibelungen“, një cikël i katër dramave epike muzikale: Das Rheingold, Die Walküre, Siegfried, dhe Götterdämmerung. Pjesa epike “Ritt der Walküren”, e kompozuar në v. 1870 i takon operasë “Die Walküre”.

Wagner ka ngjallur përherë polemika lidhur me pikëpamjet e tij politike të cilat përfshinin ndjenja e refleksione antisemitike. Pëlqimi dhe përvetësimi i muzikës së tij nga nazistët vetëm sa e pati përkeqësuar apo përbaltosur “imazhin” në përgjithësi. Hitleri ishte një admirues i madh i veprave të Wagner dhe në to ai shihte mishërimin e vizionit të tij për kombin gjerman.

Ndoshta jo rastësisht, “Valkyrie” quhet dhe filmi i industrisë së Hollivudit (i v. 2008, me Tom Cruise në rolin e kryeheroit), dramatizim i atentatit të josuksesshëm dhe tentativës për grusht politik nga oficerë të dëshpëruar të ushtrisë gjermane kundër Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ashtu duhet të jetë quajtur operacioni sekret i atëhershëm…

***
unë mendoj se “Ritt der Walküren” e Wagner mund ta ketë frymëzuar të madhin John Williams për “Marshin Perandorak” (melodi epike, si pjesë e sagës disamiliardëshe tashmë, të Star Wars). Por ndoshta kështu mendoj vetëm unë… : )

Richard Wagner (1813-1883) – Ritt der Walküren, 1870
(Berliner Philharmoniker… nën udhëheqjen e të famshmit Daniel Barenboim) [ – por qenka fshirë (thotë Youtube), e zëvendesova me një tjetër video, s’di nga kush performohet, s’paska të dhëna ]