SG – Të Pretendosh, 2005

TË PRETENDOSH
S. Guraziu (2005)

T’jesh poet, vetëm të pretendosh… duhet marrëzisht të besosh se klithmat tua janë arie Amadeusësh, aq të pafajshme, pafundësisht, si klithmat e para të secilës foshnje, të justifikuara sa vetë lindja, me vulën hyjnore, të nevojshme, si supernovat për balansin e universit, sa të vdesësh… dhe të frymosh, si frymëmarrja, si vetë qenësia, si libri i jetës, si kromozomet e gjithë profetëve, si gjallimi i qelizave të qenies, çdo gjë që ndodh në galaktikën “zemër”, dhe secili event në secilën ëndërr.

T’jesh poet, vetëm të pretendosh… duhet çmenduri të besosh se përbirohesh si rreze në secilën zemër, se mund t’jesh akrobat i qiellit, drejtpeshimin ta ruash në fotosferën e Diellit, të luhatesh si një demon cirkusi, madje sot akoma më shumë – si “undercover” i Apollonit të zhdukesh, krahëpërkrah me nëntë muzat, ndër dhëmbë të të gjithë demonëve të vallëzosh, të dehesh, në orbitë të urinosh, dhe kur i lodhur… prehje të kërkosh, shpëtimin ta gjesh në grahmat e Zotit, e ai të mallëngjehet nga marrëzia jote, nga bindja “infantile” se mund t’jesh vetë vullneti hyjnor – nga çiltërsia e paskajshme e besimit në njeriun.