SG – Artemisa dhe Engjëlli Bezdisës, 2009

ARTEMISA DHE ENGJËLLI BEZDISËS
S. Guraziu, 2009 (Skicë…)

(vallë duhet patjetër ta duam një engjëll… vetëm sepse na qenka engjëll !)

Të shtrenjtat muza, si duket dikur paskam vrarë një engjëll (ja atë atje, të mërrolurin, kaçurrelin), jo se desha ta vrisja por nuk ndjeva, nuk e desha – tani më vret mua çdo ditë, më ndjek hap pas hapi, s’më le të qetë as në gjueti, çdo gjë e tremb me shigjetat e tij, vallë ka të drejtë, paçka se ai s’kërkonte dhe shumë, thjesht që ta doja – natyrisht, ndjenjë e bukur është, por nëse nuk ndiejmë prapë asgjë, po aq legjitime duhet të jetë, e natyrshme të gjykojë vetë zemra, t’mos e duash një engjëll, kujtoja, fare njëjtë e natyrshme, sikur dhe e kundërta, ndjenjat jokushtimisht zgjohen, dashuria s’mund të imponohet, ju vetë insistoni: madje as poezia – duhet tani patjetër ta duam një engjëll… vetëm sepse na qenka engjëll – unë apo ai kemi të drejtë këtu, sipas tij doli që s’paskam ditur gjë.

[ Artemisa me një drenushë, e njohur si “Diana e Versajës”, vepër arti romake, mendohet të jetë kopje e versionit origjinal të skulptorit grek, Leokaresit – gjetur në Itali (shekujt I-II të e.s.) – Louvre, Paris ]