SG – Alarm me Zilet e Zemrës, 2006

ALARM ME ZILET E ZEMRËS
S. Guraziu, 2006 (Skicë…)

(zemrat s’janë mace të lazdruara vetëlëpirëse – vetëpastrim-teknikë me gjuhë macesh, me gishtrinj të butë nimfash, faqesh-kuqe, mollë-laçe, me lajle-lule nimfatike)

T’u thaftë dora… edhe pena poet i gjorë, ç’të duhen ato brusha ti i marrë piktor, dritareve të shpresës kot t’iu falësh dritë, lëri në mjerim kangjelat, kandilat, le të frymojnë perdet e mykura, lulet e vyshkura, grilat e ndryshkura, epoka disfatiste, ethet, era e zjarmisë, le t’rri aty strukur, mbarsur hamendësia, le t’mbes gjallë, të sundojë… në dritarën e saj, shpesh dhe kjo ka vlerë, ka sens, mund t’jetë atraksion “avangard” (përshembull në ndonjë muzeum maoist-futurist) – kot fluturat, lulet që i mbjell me brushat, kot nuancat, detajet, kot façadat e rinuara; igrasia e ndërkallur kimikisht, gjer në palcë, në bërthamë, si tek bateritë alkaline reaksionet, mos provoko kohën, ti s’je alkimist që udhëton ndër kohëra, që riparon, mos e prek artin-koinçidencë të fotografit, të dëshmitarit okular me sytë e teknikës, të aparatit – përtej në mugëtirën e zgavrës është gjithë bota e saj, ngjizja, gjeneza, është fëmijëria, gjithë rinia, do shohësh, prapë një ditë ironikisht të flet, ta thotë me hijeshi: maçok fatbardhë, si s’e kap stilin tim “bizar”!

***
Kur do t’kthjellohesh ti artist kryeneç, ti sharllatan-poet i marrë, pse nuk ik nga ky labirint gënjeshtar, nëse qëmoti e di, e ndjen, e sheh me dritën e së jashtmes plot diell të sinqertë – zemrat s’janë mace të burgosura, ik pra, ç’pret, ajo s’e kupton dot, ndjenjat s’janë përkëdhelëse macesh, të qartë e ke: zemrat s’janë as mace të lazdruara vetëlëpirëse – vetëpastrim-teknikë me gjuhë macesh, me gishtrinj të butë nimfash, faqesh-kuqe, mollë-laçe, me lajle-lule nimfatike, as me lule-lajle diletantësh nën stufa të ngrohta, nën sofra të huaja, kalavarur ndër shufra radiatorësh, me privilegje skamnorësh, beneficione triviale, si “ndihmë sociale”, gënjeshtra, buzëqeshje, maska të lira karnavalesh, laryshi rekuizitesh e zile qesharake mjaulushesh.