SG – Përzierje në Punët e Brendshme, 2007

PËRZIERJE NË PUNËT E BRENDSHME
S. Guraziu, 2007 (Skicë…)

(me gjuhën e ftohtë, teknike)
Si krijesa biologjike e kemi ndjesinë (sepse na duhet për shumë gjëra, dihet gjëja më bazike është për t’u ndjerë “gjallë”, përndryshe s’do ta kishim idenë, do vërtiteshim si gurët e rripit të asteroidëve pa e patur idenë për ngrohtësinë e Diellit), tutje jemi të pajisur dhe me parandjesinë (parandjenjat janë diç më e avancuar, jo gjithkush i kupton ato : ), pastaj na takojnë dhe mjaft vese psikologjike për ta ruajtur “balancin” (të tilla vese zakonisht janë fare “patetike” por e kanë rolin e vet, psh. mania për euforizime, frikërat e ndryshme nga dështimet, ankthet lidhur me parapritjet, nostalgjia dhe malli, madje dhe vetë shpresa fondamentale është një truk i tillë).
Nëse ndonjëherë na merr malli për dikend (që mund ta kemi dashur dikur, vetëdijshëm ose pavetëdijshëm), nëse vuajmë për ndonjë dashuri të humbur, nëse ndarja nga dikush ishte e pashmangshme dhe nëse kthehemi në qaralaçër… ndoshta s’duhet të ndjehemi “ngusht”, pasi dashuria është thjesht një grumbull “procesesh kimike”, panumër gjërash mikroskopike përzihen e bëhen lëmsh në laboratorin e qenies, shpesh zemrat kthehen në një “furrë” ku piqen dhimbjet – ëndrrat shtiren sikur janë “katalizatori” i gjithë magjisë, ato treten… por ama gjithçka tjetër ngelet, reale dhe permanente, gjurmët e historisë janë të pashlyeshme, secili sukses ose dështim i zemrës ruhet si histori legjitime e qenies!

(gjoja me gjuhën e zemrës)
Duhet të ik sot, më tmerron “bileta e fundit”, por një zë tjetër, zë i heshtjes prapë më çmend, marrëzisht me gjuhën e vet, s’di kah vjen, pothuaj insiston torturimin; torturë e shurdhër, memece, qasje arrogante, kryeneçe, s’ka shkuarje – thotë, s’ka ikje përtej vetvetes, përtej mbamendjes, kujtimit, përtej bodrumeve, dyerve të rënda, sirtarëve me vula-dyllosur, zonave deponuese – karantinë përjetimesh, gjithkund je ti, – thotë, prezente është simbiotikisht fryma jote, tentakulë frymore, krijesë laringoide si një mini-tornado përngjitet, përthithet, përzihet thellësive të damarëve, fshihet pas rruzëbardhave – si është e mundur vallë, s’mund të jetë një frymë e huaj çelës-kromozom i qenies amë, përzierje në punët e brendshme të saj, sepse dhe ora madje, ajo biologjike, sikur akrepat e tu i ka, rozë, si titujt e poezive të tua, si trëndafilat e zgjedhur dikur enkas për mua, më çmend kjo gjuhë memece, gjuha e të gjitha gjuhëve, çuditshëm tingëllon, kumbon pa kokë e bisht komorave… instaluar skajeve të kuptimit, si gypa gjigantë anijesh, si aso të hoteleve, “aircondition” mbase i logjikës, nevojë e vetëftohjes sepse ti gjithkah në mua, ma nxeh, ma akordon metabolizmin, çdo gjë troç ma thotë, s’jam i vetëm, gjithkund me ty jam, brenda vetë frymës, në ind e në asht, në palcë, në poret – në çdo skaj, në çdo nyje, në çdo shteg diç si çerdhe infiltrantësh, gjithçka bën “zhurmë”, qelizat pëshpërisin, neuronet filozofojnë, me vesin e tyre elektrik rendin si të marrë, dihasin, pyesin si ta pagëzojnë, si ta kodojnë këtë prezencë tjetërfare, tjetërlloj, tani nëse diç ndodh, nëse nga jashtë imponohet një “thyerje”, si të definohet kjo dhimbje, si t’i lidhet gryka kësaj strajce përjetimi, ku të deponohet, në bujtinat e zemrës si të akomodohet, çfarë etikete, çfarë ngjyre kësaj pakoje-vulosur me të kuq, dhimbje e freskët – tutje permanente, përbindësh memec, çfarë shifre identifikimi të ketë, po t’i teket Captain-Kujtimit herëdokur t’i trazojë arkivat, ta gjejë këtë dështim-segment… për raportin e tij – sepse megjithatë histori e denjë është, frymim legjitim i qenies.