SG – Uria (Politike), 2014

URIA (POLITIKE)
S. Guraziu, 2014

Ky peshk i ngratë
deri sot duhet t’ketë qenë gjallë,
unë e kullufita i uritur,
jo i babëzitur, si figuracion…
lëpirja e gishtave s’do jetë
gënjeshtër – tek pastaj u kujtova
për urinë e tij!

Vetë fakti që i ngopur
mendoj kaq kthjellët flet
se uria është aleat i qelizave,
por armik i komunitetit qelizor
brenda kafkës, truri bie në amulli,
s’ka kthjelltësi as për sytë
as për mendjen, të uritur
s’e shohim as grepin
as vetveten!

Sado të mençur, peshqit rrallë
shtiren se nuk janë peshq,
si në stere si në det.
(uria le t’jetë vargu i fundit
imagjinar… mbase ndihmon
t’i shmangemi vrasjes
së paramenduar)!

 

Notë:
…me rastin e vrasjes së biznismenit Artan Santo… në Tiranë, 2014 – por si “frymëzim” për vjershën do lidhej dhe një “listë e zezë” e së kaluarës, në vitin 2007, gazeta “Tirana Observer” e pati publikuar një artikull-listë për 100 vrasjet e kryera në 17 vjet, me titullin “1990-2007, 100 vrasjet më të bujshme në Shqipëri” – Për fat të keq, janë fare të paktë biznesmenët “apolitikë” në Shqipëri (ose më mirë e thënë: që t’mund të operonin “apolitikisht”), ata zakonisht manevrojnë mbi një fije të hollë ekuilibri mes palëve politike. Në përgjithësi biznesmenët e Shqipërisë, e edhe ata të Kosovës, sikur medoemos “duhet” t’jenë brenda një taborri politik, brenda një “klanokrature”, brenda një kampi, brenda një konjukture politike…