Penat me flatra, dhe Superman-i i imagjinatës!

S. Guraziu – Ars Poetica, 2012

(…superman-i i luante dy role, vetë gazetar, vetë super-gënjeshtar – shumë gazetarë shqiptarë shtiren se janë “gazetarë” por njëkohësisht, duke i përbuzur faktet dhe duke mos gjykuar për realitetin ashtu siç është, qoftë dhe realitet i shëmtuar. Është e dhimbshme që ata, të shitur e të korruptuar, vetëdijshëm merren me gënjeshtra të zbukuruara, duke i lakadredhuar penat gazetareske, e duke u endur vërdallë turbullirave të ndërgjegjes mediatike.

/ Diç si “Intro”, deri tek dhimbja… /

Zakonisht “e di gjuha ku dhemb dhëmballa” – kështu thotë urtësia e popullit. Lidhur me dhimbjen, një anekdotë rrëfen se si një bashkëluftëtar i Azem Bejtës, derisa kishin zënë pusinë, rënkonte. Pikërisht kur s’duhej, në kohën kur duhej qetësia e vigjilenca, sepse prita e ujdisur mund të dështonte. Dikur kryetrimi, vetë Azemi, i brengosur për mbarëvajtjen e aksionit nuk u durua dhe e pyeti: “ç’ke ore burrë… se na i këpute nervat?” – “plumbi…” – mërmëriti i plagosuri, “ehuuu… lëri shakatë, kujtova dhëmbi…” – ia ktheu Azemi.
Pra, sipas kryetrimit varet nga cila përspektivë definohet dhimbja, sipas tij dhimbja e dhëmballës ishte e padurueshme, plumbi dhe durohej, s’ishte gjë për burrat, cikërrimë hesapi!

Ndonjëherë “ilaç” është injorimi i dhimbjes, dhe në këtë drejtim ndihmon humori. Pasi që realisht ta “injorosh” dhimbjen është e pamundur. Të gjithë trimat e botës e dinë këtë, e dinte dhe Rambo, e dinte dhe trimi i plagosur i anekdotës, sikur që e dinte dhe vetë kryetrimi, Azemi. Ta injorosh dhimbjen me gjasë është thënie bosh e të fortëve, gjoja si truk psikologjik i të fortëve.

Natyrisht, ka lloj-lloj dhimbjesh, ajo çfarë i dhemb tematikës sonë është po ashtu dhimbje. Dhe ky është diç si truk psikologjik për ta ndrydhur sadopak dhimbjen (sipas “formulës azemiane”). Pra si sprovë për ta injoruar dhimbjen që shumë gazetarë shqiptarë shtiren se janë “gazetarë” por njëkohësisht, duke i përbuzur faktet dhe duke mos gjykuar për realitetin ashtu siç është, qoftë dhe realitet i shëmtuar. Është e dhimbshme që ata, të shitur e të korruptuar, vetëdijshëm merren me gënjeshtra të zbukuruara, duke i lakadredhuar penat gazetareske, e duke u endur vërdallë turbullirave të ndërgjegjes mediatike.

/ Penat me flatra, dhe Superman-i i imagjinatës /

Fluturimi gjithmonë ishte njëra ndër ëndrrat më të guximshme të njeriut. Njeriut i duhen flatra, i duhet besimi se mund të fluturojë. Ndonëse, po ashtu që nga lashtësia, sa i përket fluturimit ka dhe lloj-lloj “skeptikësh”. Bie fjala thënia “nëse Zoti të dëshironte që njeriu të ishte fluturush, ai dhe do ta kishte pajisur me flatra”… kjo e pasqyron sadopak skepticizmin e dikujt, kushdo që të ketë qenë autori origjinal.

E dimë që disa gjëra janë dhe vetëm si koncepte mjaft fals, akoma pa u kthyer në “prototip”. Gjithçka me parashtesën “super” mund të jetë koncept fals. Sidoqoftë, ndoshta një ditë njeriu dhe do t’i ketë sandalet e veta me flatra, ngjashëm siç i kishte dhe fluturushja e Triumfit, Nike e mitologjisë.
Dhe “Nike” (qoftë si simbol modern, qoftë mitologjik) padyshim është vetëm “plagjiaturë” e kësaj ideje për fluturim autonom, ide e vjetër sa vetë historia.

***
Njëjtë si mjaft çuna të botës, mbaj mend edhe çunat e mi dikur e kishin nga një kostum të Superman-it. Mirëpo realisht ata e dinin që s’ishte aspak kostum “super”! E dinin mirë që ishte pelerinë fals, sa për sy e faqe të lojës, sa për argëtim. Ata më shumë besonin në mbathjet reale “Nike”, madje dhe në aso “Converse”, “Puma” e “Adidas”… sesa në pelerinën e Superman.
Çunat e gjithë botës i pëlqejnë markat e tilla. S’është çështje mode, me “Nike” ata vrapojnë… siç dhe vrapojnë çdo ditë të rëndomtë. Por ama ka diç magjike në to – atyre iu duket sikur fluturojnë, sikur dikush u jep flatra. Përndryshe s’do quheshin “Nike”. Ky është dallimi, nëse krahasohen me mbathjet tjera ordinere. Ndoshta çunat dhe s’kanë faj.

Superman-i kurrë nuk gënjen – tha ai pasi zbriti në ballkon. I drejtohej të dashurës së vet, qe lëshuar butësisht në ballkonin e saj, i buzëqeshur si ndonjë Romeo i qiellit, pa e trembur. Super-djaloshi gjoja i luante dy role, vetë gazetar, vetë super-gënjeshtar.

Por “Dylçineja” e tij e ekzaltuar, vetë gazetareshë, aspak nuk dyshonte. Ajo kishte parasysh një Zot, një Don Kishot ultra-modern të idealizuar deri në përkryershmëri. Ndërsa ai thjesht heshtte, për shumë gjëra nuk përgjigjej – pse të gënjente kot. Brengosej që bukuroshja pinte duhan, me sytë ia bënte nxitimthi një “scan”, e shihte ngjyrën rozë të të brendshmeve të saj, por jo dhe bregun e venerës. Si në xham ia shihte “pneumatikën” e frymëmarrjes, por ama gjokset i mënjanonte nga “3d-wireframe”…
Bah… kjo s’pi ujë, habia sikur shkëlqeu dhe në sytë e çunave. Më shikuan duke buzëqeshur për imagjinatën e ëmbël të Hollivudit. Thua se e dinin që ashtu nuk funksionojnë as ato x-rrezet e të mençurit Rentgen, dhe asnjë rreze e shkencës.

I njëjti super-djalosh, si gazetar i thjeshtë (kur shtirej si njeri i zakonshëm, jo super-njeri) mbante syze. Prapëseprapë është njëjtë si të flasësh për aso “syzesh magjike” me të cilat mud të shihen femrat cullak, duke ua lënë vetëm të brendshmet, varësisht, sipas “mëshirës” së pronarit.
Imagjinatat mund të jenë mjaft të bujshme, por çfarë nëse ato t’mos kenë veshur fare të brendshme? Na qenkan syzet aq magjike sa t’i kompenzojnë me nga një palë sosh edhe nëse ato kanë harruar t’i veshin, apo si?

Janë mjaft të dyshimta “syze” të tilla, sado magjike të jenë. T’i japësh flatra imagjinatës s’ka asgjë të keqe, por pra si rrjedhojë gjërat shkëputen e largohen si tepër nga realiteti. Ikin aq larg… sa pastaj nuk ia vlen. Disa gjëra thjesht bien ndesh me ligjet e fizikës optike, me ligjet zhurnalistike, por ndoshta dhe me ligjet a la deistike. Ndoshta me të gjitha ligjet e mundshme të realitetit.

Andaj si duket dhe çunat e kanë kuptuar. Një Superman (super-njeri) aq gënjeshtar ia del mbase t’i mashtrojë çupërlinat e gazetarisë, tekefundit me hijeshinë, me syrin e kaltër… por jo dhe ata. Pavarësisht efekteve speciale bindëse, një Superman kurrë s’mund t’i mashtrojë super-çunat.

Thjesht pata buzëqeshur me dyshimin e tyre, më vinte mirë që dyshonin. Efektet vizuale të filmaxhinjve dhe imagjinatat e tyre s’kanë të sosur, ua kalojnë dhe vetë “syzeve magjike”. Në fakt, si prind duhej t’isha krenar, çunat ndjeheshin të rritur, provonin ta shihnin botën me lupën reale, jo me atë të fantazisë.
Si shenjë ishte diç e mirë, sepse njëjtë si ato mitet e Ballkanit, sa më herët të thyhen, sa më parë… ndoshta aq më mbarë : )

– – –

(Ilustrimi i përdorur: “X-Ray Vision”, by Kim Kern)