Asllan Fazlia – Gur i rëndë në themelet e “Rilindjes”!

S. Guraziu – Ars Poetica, 2015

Postim me shkas, diç si tribut dhe respekt për një nga figurat më të ndritura që ka patur Kosova dikur në kohërat e “mugëtirës kulturore”, në Kosovën e pas-Luftës II Botërore tek duhej të mëkëmbej ekonomikisht e kulturologjikisht, në Kosovën krenare e shpresëmadhe… ku Universiteti me pishtarët e vet do vinte tek pas 1974, sipas meje Asllan Fazlia ishte “urtaku kulturor” më i ndritshëm që ka patur Kosova ndonjëherë, lindur në v. 1924 në Bllacë të Therandës, ku (pothuaj “një shekull” më vonë) kam lindur dhe vetë.

Shih po ashtu dhe:
Gazeta “Rilindja” (Prizren – Prishtinë, 1945-2008)

(…“Rilindja” që ka qenë njëherësh gazetë, shkollë, universitet, tribunë shqiptare për popullin shqiptar të Kosovës, Asllan Fazlia ishte pesë herë drejtuesi kryesor i këtij institucioni të rëndësishëm në Kosovë, duke filluar që nga vjeshta e vitit 1946…)

***
| – – –
Të shkruash pak histori për Kosovën, jo histori akademike, (gjë të cilën nuk e kemi marrë përsipër), por histori njerëzore, kujtime njerëzore për një NJERI, histori nëpërmjet letërsisë jo pretendente, duke e parë veten dhe historinë drejt në sy, s’mund askush ndër shqiptarët e mirë ta anashkalojë Asllan Fazlinë e Bllacës, i cili iu kushtua Kosovës me gjithë fuqinë e tij ashtu siç diti t’i kushtohet e ta dojë.

Asllan Fazlia u lind në Bllacë në vitin 1924. Shkollën normale e kreu në Prishtinë, ndërsa sudimet e larta në shkencat politike i kreu në Beograd. Me gjithë jetën e tij, por veçanarisht me kontributin që dha për shtypin shqiptar në Kosovë, e veçmas për gazetën e madhe shqiptare “Rilindja”, e cila ka qenë njëherësh gazetë, shkollë, universitet, tribunë shqiptare për popullin shqiptar të Kosovës, Asllan Fazlia mbetet figurë e nderuar.

Veç funksioneve të tjera edhe të larta, ai mbetet gur i rëndë në themelet e “Rilindjes” pasi që nga numri i parë i saj e deri kur doli “Rilindja” me tirazh prove dhjetëmijë ekzemplarë, Asllan Fazlia ishte pesë herë drejtuesi kryesor i këtij institucioni të rëndësishëm shqiptar në Kosovë, duke filluar që nga vjeshta e vitit 1946 kur “Rilindja” dilte në Prizren, “…atë kohë, kur partia caktonte kush ç’ka për të punuar, kush ç’ka për të folur, kush me kend të martohet…”, siç do të shprehej vetë Asllani, atë kohë kur në “Rilindje” punonin vetëm Haki Hoxha dhe Qamil Nixha.
Edhe pas 28 Nëntorit 1958 kur del numri i parë i “Rilindjes” së përditshme me tirazhin provues dhjetëmije ekzemplarë, Asllani do të jetë për shumë e shumë vite drejtori i përgjithshëm dhe kryeredaktori i “Rilindjes”.

| – – –

Në vitin 1961 “kuadrovikët” e largojnë për njëzet vjet Asllan Fazlinë prej “Rilindjes” duke i dhënë funksione të tjera deri kryetar në dhomën federative të Jugosllavisë, anëtar i këshillit ekzekutiv federativ, sekretar ne komitetin krahinor të Kosovës, kryetar i Lidhjes socialiste të popullit punues të Kosovës, kryetar i komitetit komunal të LK në Prishtinë etj.
Në vitin 1981 vjen prapë në “Rilindje” në funksionin e drejtorit të përgjithshëm për herë të pestë, kur tashmë “Rilindja” si ent i rëndësishëm kishte 1300 punonjës.

Sikur dhe herëve të tjera kur ishte në “Rilindje” edhe tash Asllan Fazlia kërkonte që të punohej me kujdes, gradualisht, hap pas hapi për të mos gabuar e pastaj për t’u shembur gjithsçka. Njihej si politikan shqiptar i asaj kohe që kërkonte barazi me etnitë e tjera në Jugosllavi, si politikan shqiptar që kërkonte republikë për Kosovën se “…po të ishim republikë ndryshe do të zgjidhej kjo ose ajo çeshtje…”. Por ai i porosiste gazetarët shqiptarë që “duhet të jemi të kujdesshëm, mos ta djegim jorganin për një plesht”, kur u deklaronte atyre “…se asgjë nuk do të bëjmë në kundërshtim me interesat kombëtare”.

| – – –

(shkëputur nga dorëshkrimi me titull: “Asllan Fazlia (Skicë për një portret)”, 2014 – Autor: A. Derguti – Redaktor: R. Shahu)