Denver të bëhet Enver! (Peticion – Change/Org)

S. Guraziu – Ars Poetica, N 2019 (çfarë s’kujtohen njerëzia : )

Peticione për shqiptarët (dhe rrotull çështjeve të tyre) në Change/Org nuk nisin vetëm shqiptarët, një dikush kishte nisur peticion që të “fshihej Shqipëria nga çdo hartë e mundshme e kësaj bote” – për fat të mirë i kishte gjetur vetëm 5-6 përkrahës. Ky s’mund të jetë shqiptar, garant… po thosha mëvete.
Ose psh. në v. 2017 një dikush (mbase ndonjë shqiptaro-amerikan) e kishte nisur peticionin që qyteti Denver (Colorado, ShBA) të bëhej Enver, anise tashmë peticioni qenka mbyllur, atëbotë i paskësh mbledhur madje 170 nënshkrime. Peticioni i tij i qenkësh drejtuar kryebashkiakut të Denver (Colorado), Michael Hancock. Ec e mos buzëqesh, çfarë s’kujtohen njerëzia : )

Administratorët e platformës Change, mburren se falë peticioneve virtuale të tyre, mbi 200 milionë njerëz, në 196 vende të botës, krijojnë ndryshime nëpër komunitetet e tyre. Organizatat prijatare të këtyre vendeve i avancojnë kauzat duke mobilizuar mbështetës të rinj, gazetarët frymëzohen nga “storie peticionale të fuqishme” dhe i mbulojnë fushatat gazetareske më mirë, vendimmarrësit në nivelet më të larta të qeverive dhe të bizneseve janë të angazhuar me njerëzit rreth e rrotull etj etj.

Natyrisht, platforma Change/Org ia mundëson secilit të startojë peticione, shqiptarët (nga e gjithë bota) kanë nisur dhe nisin me dhjetra e qindra peticione të ndryshme. Ndër to ka aso mjaft serioze, aso vërtet të rëndësishme, por ka dhe me dhjetra “peticionesh” kot, ose mjaft qesharake.

Ndonjëherë fare pak nënshkrime duhen dhe peticioni e bën të veten.
Psh. në v. 2014 Gerda Sula nga Tirana e paska startuar “Ndaloni reklamen me beben që përdor smartphone”, dhe me vetëm 112 nënshkrime e paska detyruar kompaninë Vodafone ta largojë reklamën nga qarkullimi. Sëpaku kështu pohon Change, për kampanjën e nisur nga Gerda thotë: “Confirmed victory”!