“Pikat” e Hirst – Pikat më të Shtrenjta të Universit! (I)

S. Guraziu – Ars Poetica, M 2016 (Natyra e hareshme e ngjyrës – Art Kontemporan)

(…ndoshta boshësia “kontemporane” nuk është aspak bosh, pasi që arti ashtu-kështu është i paarritshëm, s’ka “pikë” të këtij universi në të cilën nuk fshihet diçka – pikat e Hirst janë pikat më të shtrenjta artistike që ka njohur bota e artit ndonjëherë…)

I.
Aminoantipyrine, 1992 – Amphotericin B, 1993 – Bipyridinium Dibromide-N, N-Tetramethylene, 1995 – Levorphanol, 1995 – Avidin-Hemocyanin, 1995 – Biphenol, 1996 – Bromoacetyl Chloride, 1996 – Bromoadamantane, 1996 – Opium, 2000 – Valium, 2000 – Lycergic acid diethylamide (LSD), 2000 – Tetrahydrocannabinol, 2004 – Methamphetamine, 2004 – Potassium Chloride ACS Reagent, 2004 – Diacetoxyscirpenol, 2005 – Diethylene Glycol, 2006 – Fluoro-Nitrotoluene, 2006 – Sulbenicilina Disodica, 2007 – Aminouracil, 2007 – Ellipticine, 2007 – Flumequine, 2007 – Hydrastinine, 2007 – 5-Fluorotryptamine, 2007 – Cephalothin, 2007 – Aminobenzoyl Hydrazide, 2008 – Rhodanine, 2008 – Oleoylsarcosine, 2008 – Histidyl, 2008 – Proctolin, 2008 – Aurous Iodide, 2009 – Methyl Phenysulfoxide, 2010 – Phenylpropiolic Acid, 2010 etj. etj.

Këta terma të cilët i rendita qëllimisht që në hyrje të shkrimit, në dukje sikur s’kanë asgjë të bëjnë me artin, por me shkencën e kimisë organike… apo me ndonjë përzierje shkencash organike-inorganike. Nuk i rendita për ta trembur që me rreshtin e parë lexuesin eventual : ) Termat “a la science” më lart aktualisht janë tituj pikturash, janë tituj të përzgjedhur për pikturat e veta, huazuar (prej vetë Hirst) nga fjalori i fushës së farmaceutikës. Dhe janë vetëm një pjesë e vogël nga titujt e veprave specifike (artistike) të tij; vepra që konsistojnë nga një seri variacionesh të “pikave”, dhe që të cilat pika, sipas meje, lirisht mund të quhen pikat më të “shtrenjta” në historinë e artit.
Pse “pikat më të shtrenjta”? Jo si kuriozitet, por thjesht si fakt – sipas meje ato vërtet dhe janë pikat më të shtrenjta artistike që ka njohur bota e artit ndonjëherë. Do provoj që të përqëndrohem rreth kësaj “pse-je” tutje gjatë shkrimit.

Pikturat “pikaloshe” të Damien Hirst i tejkalojnë 1500-1600 sosh, apo në fakt ndoshta askush nuk e di saktësisht numrin e tyre, qëkur një pjesë e tyre riprodhohen për shitje si seri (prej 90, 140, 300, 450, 500 sosh, varësisht nga atmosfera e ankandeve, ku ato duhen shitur). Ato janë të “ndryshme” vetëm sa i përket madhësisë së pëlhurës dhe nga pikat si njolla në vetvete. Brenda çdo pikture, pikat-njollat e ngjyrës sikur prezantojnë një rrjet. Thuhet se asnjë ngjyrë nuk përsëritet, dhe se pikat si të veçanta nuk bashkëveprojnë (nuk formësojnë ndonjë domethënie). Pikturat janë emëruar nga artisti bazuar në komponimet kimike të ndryshme.

Ky fabrikim industrial, kjo seri e “çuditshme” pikturale prej pikave, tashmë për dekada me radhë na përshfaq fusha të pastra “kanavaceske” të mbushura me pika, herë-herë të një madhësie të njëjtë (por që madhësia e tyre ndryshon nga piktura në pikturë), vendosur në një largësi të njëjtë nga njëra-tjetra, duke përfshirë ngjyra të ndryshme, ujdisur në një sipërfaqe pothuaj “sterile”, të papërlyer, në mënyrë uniforme.

Punimet e tilla të artistit Hirst konsiderohet se vuajnë nga mungesa serioze e substancialitetit dhe origjinalitetit, në anën tjetër ajo çfarë është duke ngjarë në rrethet e tregtarëve, me ata që e kanë biznes shitje-blerjen e “vlerave” të artit kontemporan, është pothuaj e pabesueshme.
Një pjesë e mendimtarëve kritikë nuk ngurrojnë ta fshikullojnë “plagjiatin” ideatik të Hirst, pasi që ai me “pikat” dhe nuk është origjinal, dihet kjo. Disa të tjerë qasjen e tij e quajnë si “ridefinim të huazimit” ideatik, e disa të tjerë artistin Hirst e quajnë si “distilues të modeleve në artin bashkëkohor, duke i zbërthyer modelet deri në formën e tyre më minimale, më thelbësore”.
Por si mund të ketë “distilim modelesh” kur vetë modelet s’janë prezente – a thua vallë sintetizimi i njollave të brushave në “pika” të vetme mund të quhet “distilim modelesh”?!

Thuhet se artisti Hirst i ka pikturuar vetëm 5-6 sosh si piktura “me pika”, dikur në vitet ’80 – pjesa tjetër janë bërë nga të tjerët, pjesë e industrisë. Vallë si mund të quhen “punime të artistit Hirst”, kur ato s’janë madje fare punime të tij, por kopje, riprodhime, fabrikime! Apo dhe mund të quhen, sepse fjala është për shitje dhe për profitabilitet me prodhimet industriale “artistike”! Pse t’mos ndodhë e njëjta ironi industriale dhe në art! Mos vallë duke ndërfutur vetë ironinë e “industrializimit” në art, na përqeshet ironia e përgjithshme e industrializimeve të njeriut!
Studiot me stafin e artistëve “pa emër” (si një lloj fabrike), ngërthyer nga ethet komerciale, shtyrë nga biznes-aranzhimet e tregtarëve të suksesshëm, sjellin në dritë me dhjetra e qindra “pikturash pikaloshe”. Të gjitha kreditohen “si vepra të Damien Hirst”. Thuhet se për një “pikaloshe” prej 1 milion pikash është duke punuar një staf i tërë, dhe se përfundimi i “pikaloshes një-milionëshe” do hajë jo më pak por 9 vite!

Nuk është i pari artist Damien Hirst, dhe as i fundit, që është marrë dhe merret me pikat (madje seria e “pikave” është vetëm njëra gamë seriale-pikturale e tij; janë po ashtu seritë tjera si “kafkat”, “fluturat” etj). Me pika janë marrë dhe akoma merren edhe artistë të tjerë, si psh. një nga eksponentët më interesant të “pikologjisë pikturale” ndoshta do ishte artistja japoneze Yayoi Kusama. Është vërtet mahnitëse prezenca e saj prej gjashtë dekadash në arenën e artit botëror kontemporan. Veprat artistike të Kusama janë pjesë e koleksioneve të muzeumeve më të njohur të botës. Është nderuar me çmime të ndryshme për veprën e saj artistike. Në vitin 2006, Yayoi Kusama u bë gruaja e parë japoneze të nderohet me “Praemium Imperiale”, një nga çmimet më prestigjioze të Japonisë për artistët e njohur ndërkombëtarisht. Në vitin 2008 Nju Jork Christies pati shitur një vepër të Kusamasë për 5.100.000 dollarë…

Ch. Nelkin, me rastin e ekspozitës në Tate Modern të Londrës, në vitin 2012, shkruante – edhe pse jashtë qarqeve artistike Kusama ndoshta dhe nuk njihet aq. Pikturat e ciklit “Infinity…” të lënë pa frymë. Në dukje njolla brushash njëtrajtësore të pafund, me një ngjyre të vetme në një sfond kontrastues, por ato kanë një efekt qetësues brenda nesh, ndonëse e qartë se janë të ngarkuara emocionalisht me temat e obsesionit dhe me joshjen “detyruese”. Kanë një cilësi të hipnotizimit, arritur kjo me përdorimin e njëjtë të sipërfaqes së teksturizuar…”!

Në vitin 2013 një koment-vështrim të shkurtër rreth artistes Kusama, e pata mbyllur si vijon:
“Mund të shkruhet apo të thuhet shumçka për këtë “gjyshe” japoneze me emrin Kusama, këmbëngultësia, “pikat” si obsesion artistik për dekada dhe përjetimet halucinative të fëmijërisë ashtu-kështu e kanë bërë të pavdekshme si artiste, por nëse e shohim artistikisht edhe “shpinën” e një pikture (dmth. andej diku prapa kornizës), mendoj që marrëveshja e vitit 2012 për bashkëpunim mes Kusama dhe Louis Vuitton* është ajo kurora e praruar, është dëshmia më bindëse, vula më kredibile për vulosjen e stilit të saj autentik – lindja e një marke pikash (që tingëllon “Kusama” kudo dhe në secilin skaj të botës) në vetvete mund të jetë më e zhurmëshme sesa “zhurma” e të gjitha muzeumeve së bashku” – (S. Guraziu – Grand-Zonja 84 vjeçare në arenën e artit dhe Louis Vuitton!, Tetor 2013).

***
Sipas kritikëve aty-këtu, edhe në rastin e Damien Hirst e edhe të Yayoi Kusama fjala është për “fiksime artistike”. Në rastin e artistes japoneze Kusama, pikat e saj shprehin një “fiksim” mendor, psikologjik.
Në rastin e Hirst, pikturat “pikaloshe” zbulojnë një mani të vazhdueshme në përputhje me thelbin e praktikës së masë-prodhimit (industrial – e që artisti Hirst, e qartë, si subjekt e “rrah” industrinë farmaceutike).
Edhe për artistë të tjerë të artit kontemporan, si Eric Kuns, Thomas Downing, Ellsworth Kelly, Gerhard Richter, sipas kritikëve në përgjithësi “përsëritja” e vazhdueshme nënvizon një motiv të obsesionit.

Por nëse e dimë që pikturat “me pika” të Damien Hirst përfaqësojnë substancash të ndryshme dhe komponimesh kimike, do ishte mirë ta kornizojmë veten duke i parasjellur ca pyetjesh:

– Nëse artisti Hirst e “thumbon” artistikisht praktikën dhe “mishërimin” e natyrës njerëzore sa i përket masë-prodhimit (duke e tematizuar si shembull industrinë farmaceutike) atëherë vallë si është e mundur rënia në të njëjtën “grackë” të masë-prodhimit artistik, vënë në jetë nga vetë ai… dhe nga makineria e fabrikimeve “artistike”, si ndonjë instalacion masiv industrial i grykësisë?!

– Vallë pse duhet që për dekada të tëra të përsëritet i njëjti “continuum” artistik – një lloj sekuencash të vazhdueshme në të cilat elementet përbërse nuk perceptohen si të ndryshëm nga njëri-tjetri, anise përfundimisht sekuencat janë mjaft të dallueshme (në rastin e japonezes Kusama kemi një jetë të tërë artistike kushtuar “pikave” dhe sekuencave) – apo vetëm e vetëm për të dalur në pah “obsesioni” artistik?! Ç’nënkupton obsesioni si vlerë – ka këtu ndonjë vlerë apo është thjesht “nonsens” (pasi që në rastin e britanikut D. Hirst – obsesioni seriografik kryekëput e përshfaq pikëvështrimin subjektiv artistik, pa na ofruar asgjë të re për dekada të tëra, asnjëra nga sekuencat, përveç “obsesionit bosh”)?

– Tutje, e dimë që Hirst nuk është i vetmi artist “pikalosh”, por vallë çfarë është duke u përpjekur për të përfaqësuar Hirst me lojën e fiksuar të pikave – një pikturë e vetme do ishte e mjaftueshme për ta bartur gjithë idenë e mesazhin, atëherë vallë pse duhet me dekada ky lloj i persistencës “obsesive”?!

– Pasi që teoritë kritike e kanë qartësuar “veten” që moti: vetëm origjinaliteti është art, assesi seritë e përsëritjeve të së njëjtës – atëherë, athua rregullimi i pikave të ngjyrës në mënyrë “uniforme” të ketë ndonjë kuptim të veçantë? Nëse po, cili është pra kuptimi, ku qëndron origjinaliteti, ku fshihet e veçanta e kuptimësisë – nëse dinë diç kritikët e botës, atëherë pse ata heshtin? Apo arti kontemporan thjesht e ka tejkaluar vetë “artin”… s’kanë fjalë as ata, kanë ngelur gojëmbyllur!

– Përndryshe çfarë fshihet prapa “veçanërisë” së këtyre pikturave, aq sa t’u jipet vend ekspozues dhe përkushtim nga galeritë anekënd botës – çfarë dhe kush, cilat qarqe i bëjnë këto piktura aq “speciale” sa rreth tyre të vërtiten çmime astronomike nëpër auksionet e tregtarëve me artefaktet e botës?!

– Mos vallë jemi duke u marrë me eksploatim të vetëdijshëm (por ama pothuaj deri në një nivel të “pavetëdijshëm”) të manipulimeve dhe të boshësisë-shterpësisë artistike – dhe atë thjesht sepse jemi ne vetë ata që i paradefinojmë abstraksionet dhe të gjitha hesapet rreth vlerave artistike kolektive?!

Aspak më ndryshe, ndoshta thjesht si në rastin e një medaljoni-dhuratë nga një dikush i shtrenjtë e i shenjtë për ne. Vlera e atij medaljoni rritet proporcionalisht me “lidhjen emocionale” që kemi ndaj personit në fjalë. Vlera e asaj dhurate eventualisht do jetë e pakapshme për cilindo kend jashtë sferës sonë “emocionale” – s’ka para të botës që do t’mund ta paguanin një rekuizit i cili na është kujtimi më i shtrenjtë si dhuratë nga vetë nëna, sa ishte gjallë.

Ose, figurativisht ndoshta ilustrimin do ta ndihmonte shembulli i kryeprotagonistes së Titanic, të James Cameron – Plaka Rose ua rrëfen storien e saj “hulumtuesve” të thesareve, dhe tutje vizuelisht neve, spektatorëve. Asaj në rini, gjatë tragjedisë së fundosjes i dhurohet “Zemra e Oqeanit”, emër ky simbolik për një diamant të madh blu, jashtëzakonisht të shtrenjtë. Rose pati shpëtuar, mirëpo sikur më me dëshirë pati dashur të mos shpëtonte, të ikte në botën përtej së bashku me dashurinë e saj. Pastaj sikur tërë jetën pati ngelur peng i premtimit të vet. I dashuri sakrifikohet në ujërat e ftohta të oqeanit, por në fjalët e tij, ajo duhej ta gjente vullnetin dhe të jetonte tutje, zemra e saj assesi “s’guxonte” të ndalej. Ajo duhej t’i premtonte – dhe Rose ia pati dhënë fjalën. Diamanti sikur qe kthyer në shtyllën qendrore të kujtesës së saj – kujtesë për natyrën e përkohëshme të dashurisë tokësore, si segment i asaj të “përjetshmes”. Rosi gjatë gjithë jetës e pati mbajtur diamantin si kujtimin më të shtrenjtë të dashurisë – si rekuzit i shtrenjtë emocionalisht por dhe realisht, me vlerën abstrakte të botës materialiste. Ajo e dinte që s’mund ta merrte me vete, në botën përtej s’mund të merret asgjë, e megjithatë sikur pati provuar gjatë gjithë jetës për ta bindur veten. Në fund, atë që ia pati dhuruar dikur oqeani, Rose ia kthen rishtas oqeanit, e hedh diamantin në ujërat… duke liruar kujtesën për të dashurin e sakrifikuar dhe duke “plotësuar” premtimin e rinisë. Tani në vitet e fundit të jetës, secilin moment mund t’i “bashkohej” dashurisë së humbur dikur.
Si akt, të hedhurit e diamantit në oqean, ndoshta më e lehtë do t’na dukej i “pakuptushëm”, ndoshta dhe një absurd i llojit të vet, si akt. Më shumë “logjikë” do kishte sikur ajo t’mos e shpërfillte vlerën e diamantit por t’ia dhuronte kujtdoqoftë në botën e të gjallëve. Gjithsesi, nga këndvështrimi romantik i “stories titanike”, fundosja e diamantit në thellësitë ku dikur qe tretur dashuria e saj, është dëshmia e vlerës së pakrahasueshme emocionale që ajo e pati ushqyer në zemrën e vet për gjithë jetën. Nuk mund të jetë asgjë e kësaj bote më e “shtrenjtë” sesa vetë jeta!

Sot, komercializimi i artit sikur bashkëdyzohet me “ideologjinë suprematike të establishmentit lidhur me vlerat artistike”, por rishtas mund të hamendësojmë: vallë çfarë vlere do kishin “pikat” e Hirst nëse ato t’i zhvishnim totalisht nga “komercialja” marramendëse (e cila pothuaj i prek miliardat… në termat e verdhushkave)!?

Në botën anglishtfolëse mbase gjithçka e kërshërisë rreth pikturave “pikaloshe” do t’mund të rrumbullakësohej fare shkurt me shprehjen troç:
“What’s the point”?! There’s no point, so many meaningless points… without a point”! : )

Apo thjesht boshësia “kontemporane” nuk është aspak bosh, pasi që arti ashtu-kështu është i paarritshëm, s’ka “pikë” të këtij universi në të cilën nuk fshihet diçka.
Qëllimin e tij artistik, vetë artisti Hirst e pati përshkruar kështu: “kisha qëllim ta krijoj atë strukturë, t’i bëja ato ngjyra, dhe asgjë më shumë. Dhe papritmas rezultoi ajo që po kërkoja. Ishte vetëm një mënyrë për ta fiksuar (në pëlhurë) natyrën e hareshme të ngjyrës”.

| – – –  v i j o n – – –

*
Louis Vuitton, shkurtuar LV, është një shtëpi mode franceze, e themeluar në vitin 1854. Sa i përket luksoziteteve për 6 vite me radhë (nga 2006 deri 2012) Louis Vuitton u konsiderua si marka më e vlefshme e botës. Vlera e LV në v. 2012 ishte 25.9 miliardë dollarë (sipas të dhënave nga: Bloomberg – “Louis Vuitton Tops Hermes As World’s Most Valuable Luxury Brand” by A. Roberts)

Damien Hirst (lindur 1965) është artisti më i dalluar ose eksponenti më famoz i rrymës së re “Young British Art” (Arti i Ri Britanik). Ka krijuar shumë vepra kontemporane të cilat kanë të bëjnë, në mënyra te ndryshme, me dashurinë, me raportin mes jetës dhe vdekjes, me imoralitetin dhe me vetë natyrën e Artit. Eshtë i njohur në gjithë botën dhe ka dominuar në skenën e artit britanik që nga vitet ’90.