SG – Dioramë eksperimentale, 2015

DIORAMË EKSPERIMENTALE
S. Guraziu, 2015

Polifemi e shihte botën
me një sy, dy-dimensionalisht,
si një foto, pa thellësi –
dikush eksperimentoi
me ciklopin në lashtësi,
thuase e kuptoi…
me një optikë s’mund
të kapej tre-dimensionalja
e botës!

I tërbuar do kesh qenë
Poseidon, mrekulli
si shpëtoi ai Odise, e rëndë
ta humbësh të vetmin sy
që ke, aq e rëndë të jesh
zot – nëse yt bir i verbër,
tridenti yt kot!

Polifem i ngratë,
as sot “imax” nuk kapet
me një xham, prapë
me dioramat e shkencës
sytë i mashtrojmë,
prizmat monokulare
ishin dikur… të piratëve –
në fakt, që para jush
dikush nga Titanët,
ndoshta vetë Gaja pati
eksperimentuar me dritën,
me kromozomet.

– – –

Notë:
Sipas mitologjisë Polifemi ishte ciklop, i biri i Poseidonit (dhe i nimfës së detit, Tosa – njëra nga mbesat e perëndive zanafillore), Polifemi si krijesë e imagjinatës e kishte një sy të vetëm por e pati humbur dhe atë, qe verbuar nga Odiseu… si figurë na shfaqet për herë të parë në librat e Homerit, në epin e “odiseadës” homerike ai ishte diç si një gjigant i egër (njerëz-ngrënës), sipas Homerit dhe vetë Odiseu mezi pati shpëtuar nga Polifemi i xhindosur.

***
Ngjashëm si tek “Instrument Hyjnor“, 2011, edhe poezia “Dioramë…” është frymëzuar nga koncepti filozofik i Biocentrizmit, qasja “ironike” e vjershës vërtitet rreth boshtit fondamental “biocentrik” – mos vallë s’ka asnjë matricë ekzistuese në të cilën ngjarjet fizike ndodhin përjashta vetëdijes, ose ndaras nga jeta, mos vallë universalja jonë, jeta dhe ëmbëlsia, poezia, dashuria, realiteti… gjithçka që njohim, thjesht botë holografike janë, diç si hartografi e dritës (duke aluduar pra në frymën e biocentrizmit – e jashtmja “vjen në jetë” si rezultat në nivel të koshiencës), ndoshta e jashtmja që e “prekim” me trurin tonë, është thjesht mashtrim i përkryer (paçka se i ëmbël), diç si rezultat i eksperimenteve a la “deus scientia” (ose bie fjala, me “hipotezën e simulacionit” filozofia ultra-moderne e botës shkencore shkon madje akoma më larg), ndoshta gjithçka e universit tonë ngjizet si vetëdije brenda kafkës – pasi biocentrizmi insiston: nëse brenda kafkës shuhen dritat, shuhet ekzistenca e gjithçkaje!

***
“Biocentrizmi”, libër i publikuar në v. 2010 si bashkautorësi e Dr. Robert Lanza me Bob Berman, e rrahë çështjen e përjetimit-përceptimit të së jashtmes subjektive të njeriut me “ndihmen e proceseve të vetëdijes”… e jashtmja “vjen në jetë” pra si rezultat në nivel të koshiencës. Dr. Lanza e inkuadron ndër të tjera dhe relativitetin e Ajnshtajnit për të sqaruar se përceptimi i brendshëm dhe i jashtëm i njeriut janë dy anë të së njëjtës medalje, dhe se këto faqe të medaljonit ekzistencial s’mund të ndahen…

Biocentrizmi (i autorëve në fjalë) si teori “komplete”, me 7 parime bazë, do t’mund të përmblidhej pakashumë si vijon:
gjithçka që e perceptojmë si realitet është një proces që përfshin vetëdijen tonë, përceptimet tona të brendshme dhe të jashtme janë dy anët e së njëjtës medalje, janë të lidhura reciprokisht, dhe pra janë të pandashme. Sjellja e grimcave ose e thërmijave (të materies që e njohim) është e lidhur pazgjidhshmërisht me praninë e një vëzhguesi (vetëdijen). Pa praninë e një vëzhguesi të vetëdijshëm, grimcat ekzistojnë në një gjendje të papërcaktuar valore të probabilitetit [ këtu Dr. Lanza aludon në “misterin kuantik” – dualiteti i çuditshëm kuantik valor-thërmijor për sa e sa dekada nuk kapërthehet, ende s’është kapërthyer me njohuritë ekzistente, misteret e mekanikës kuantike sikur involvojnë “vetëdijësinë” e mikro-grimcave – gjë që thuase e kthen përmbys çdo gjë që dinim deri sot, me të gjitha shkencat së bashku. Pothuaj sikur universi ynë ndahet në “dysh” dhe ku në njërën pjesë të “dyshes” s’na takon të kemi qasje – shënim i imi, sg ]!

Sipas biocentrizmit, pa vetëdijen (tonë) “materia” thjesht sorollatet në një gjendje të probabilitetit (kaotik). Çdo lloj universi që mund t’i ketë paraprirë vetëdijes sonë ekzistonte vetëm në një gjendje probabiliteti. Universi është strukturuar e përshtatur për ta përkrahur ose mbështetur jetën (organike, siç e njohim), gjithcka e universit është thjesht logjika e plotë hapësinore-kohore e vetvetes. Koha s’ka ekzistencë reale jashtë perceptimit shqisor të gjallesave. Kjo “ndjesi” shqisore është proces me të cilin ne i perceptojmë ndryshimet në univers. Hapësira, sikur dhe as koha, s’është objekt apo gjësend, s’ka realitet të pavarur, ne e bartim kohë-hapësirën ​​me vete, si breshka “shtëpinë” e vet – do ishte pakashumë “domethënia” e librit Biocentrizmi, nga Dr. Robert Lanza dhe Bob Berman.
(sguraziu, 2015)

– – –

[ Piktura: Pellegrino Tibaldi (1527-1596) – Verbimi i Polifemit ]