Padrejtësia rreth emërtimit të qyteteve, kontinenteve!

SGuraziu – Ars Poetica, J 2020 (…rreth emrit të Tiranës kemi panumër ide e opinione, por jo dhe fakte)

(…sipas Internetit Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë dhe është e njohur për arkitekturën shumëngjyrëshe allaturka-osmane, për arkitekturën fashiste-italiane dhe për arkitekturën e epokës sovjetike…)

Ashtu-kështu bota s’është dhe aq e njohur sa i përket drejtësisë, por se ç’ka një lloj “padrejtësie” sa i përket emërtimit të kontinenteve e të qyteteve. Triana (e Amerikes) s’i ka as 500 banorë por dihet mirë për emrin e saj, ndërsa Tirana (e Shqipërisë) mund t’i afrohet 1-milionshit dhe s’e ka kush idenë prej nga e mori emrin! Mjaft e çuditshme!

Le t’i lidhim disa shembuj sadopak, ashtu shlirshëm, pa i shtrënguar fort – Amerigo Vespuçi ishte i 4-ti ta shihte Amerikën, Kolumboja ishte atje para Vespuçit mirëpo qe “vonuar”, s’pati qenë as i 2-ti, do ishte i 3-ti që ta shihte Amerikën (paçka se ai ndoshta s’e kishte idenë që ishte “Amerika” – jo vetëm sepse ende nuk quhej Amerikë : )

Thuhet se Leif Ericson (një eksplorues norvegjez nga Islanda, vdiq rreth v. 1020) ishte i Pari evropian që ta shihte Amerikën. Dtth. ai e pati parë kontinentin e Amerikës pothuaj 500 vjet para Kolumbos. Unë s’di cila tokë ta ketë marrë emrin e tij!
Nga ana tjetër, siç thamë Kolumboja s’do ishte as i 2-ti, e megjithatë një shtet i tërë do pagëzohej me emrin e tij. Mjaft e çuditshme!Përpara Kolumbos kontinentin do ta shihte Rodrigo de Triana, marinar spanjoll, tek po lundronte së bashku me Kolumbon në udhëtimin e tyre të parë drejt (Indisë) Amerikës. Pra pas “vikingut” Ericson, spanjolli Triana do ishte i 2-ti. Padyshim Triana do ketë vrapuar pastaj dhe do ta ketë zgjuar Kolumbon nga gjumi – Kolumboja do ishte i 3-ti…

“Vikingu” Ericson do ketë lundruar fill për qejfin e vet, mbase i pëlqente të bredhte detrave e oqeaneve. Sidoqoftë e dimë që Kristofor Kolumbo pati lundruar për Spanjën, e dimë po ashtu që Vespuçi ishte italian por pati lundruar për Portugalinë. Këtë të fundit udha e pati hedhur në Brazilin e ditëve të sotme. Derisa Kolumbo s’e kishte idenë që po shihte “Ameriken”, nga ana tjetër Vespuçi vizatonte dhe i pati vënë brigjet amerikane në kartë, pastaj kontinenti dhe qe emëruar përfundimisht sipas tij.

Amerika u quajt pra sipas emrit të latinizuar “Americus”, të italianit Amerigo. Por pse jo Eriksonia? Apo pse kontinenti nuk u quajt “Kolumbia”, kur Kolumbo ishte atje para Amerigos?
Duke mos qenë as i 2-ti, atëherë mbase Kolumbia e pagëzuar me emrin e tij dhe është e mjaftueshme si mirënjohje e meritokracisë kolumbiane. Spanjës i duheshin emra për kolonitë e veta, ajo që sot ia themi Kolumbia ishte një koloni e tyre, spanjollët patën vendosur ta emërojnë me emrin e eksploruesit më të mirë që kishin – me emrin e Kolumbos.

Mirëpo dmth., shkurt e troç se ç’ka një lloj “padrejtësie” sa i përket emërtimit, veç e cekëm tashmë, marinari Triana e pati zgjuar Kolumbon nga gjumi, Triana e pati hetuar para tij kontinentin. Ama i ngrati marinar do nderohej me një katund a qyteze të quajtur Triana, diku në Alabama, ShBA. Thuhet se qyteza u emërua sipas emrit të marinarit Rodrigo de Triana. Ka një sipërfaqe prej 3.28 km2, imagjino… në përrallat e Disney kopshti i Mickey Mouse mund t’jetë më i madh. Bazuar në regjistrimin e v. 2010, popullsia e Trianës ishte 496 banorë! Sot mund t’i ketë mbase 500 banorë, dhe duke qenë mbi 80% e banuar nga zezakët, sikur lë përshtypjen e ndonjë “kolonie” të dikurshme skllevërish.

***
Mirë Triana, por si t’ia bëjmë me emrin e Tiranës, si ta gjejmë zanafillen e emrit te saj? Kur njeriu lexon “Triana, Alabama” padyshim i tingëllon ngjashëm si “Tirana, Albania” : )
Sipas Internetit, Tirana është e njohur për arkitekturën shumëngjyrëshe allaturka-osmane, për arkitekturën fashiste-italiane dhe për arkitekturën e epokës sovjetike. Ndërtesat pastel-ike e rrethojnë qendrën e qytetit, Sheshin Skënderbej, i cili është emëruar sipas statujës së një heroi kombëtar.

Tirana është fort e gjallërishme dhe ambicioze. Bazuar në regjistrimin e v. 2011, popullsia e Tiranës ishte 557.422 banorë. Megjithatë, ky numër pra bazohet në regjistrimin para 10 vitesh, Tirana është jashtëzakonisht dinamike, 1 vit i Tiranës është sa 10 vite dinamike të Alabamës, aq shpejtë ecën Tirana. Është fakt se ka pak lidhje me Amerikën dhe se ka një grusht amerikanë dhe në Tiranë, por ka dhe dallime me Amerikën, tani popullsia e Tiranës mund t’jetë afër 1 milioni, dhe padyshim shumica e tyre e dinë që 5 shekuj më parë Kolumboja ia pati huqur Indisë duke e vizituar Amerikën.

Për fat të keq askush prej tiranasve s’e ka idenë prej nga e mori Tirana emrin e vet, madje dhe më të diturit, qofshin historianë të mirëfilltë a pseudo-historianë, thjesht hamendësojnë e spekulojnë – është fakt, sa i përket emrit të Tiranës kemi panumër ide e opinione por jo dhe fakte : )