Metafora muzikore e Luftës së Ftohtë

S. Guraziu – Ars Poetica, J 2020

[ …kontributi muzikologjik suedez në “luftën” kundër Luftës së Ftohtë – valët e gjenialitetit muzikor suedez sikur pa kompromise, do ta ndihmonin “shtyrjen” e Murit të Berlinit që të rrëzohej, “shembja” sikur do ishte e pashmangshme, thuase dhe arti e kishte “fluktuar” presionin e vet andej kah Lindja, andej kah Berlini… ]

| . . .
Atëbotë, nga 1984 deri 1991 (vit i rënies së Murit të Berlinit), padyshim s’do ketë patur disco a terasë dansi të botës ku “Një Natë në Bangkok” t’mos jetë vërtitur. Tematika e albumit “Chess” me këngën “Një Natë në Bangkok” zhvendosej diku larg në Bangkok të Tajlandës, sepse aty kemi gjoja spektaklin botëror të shahut, pse t’mos jetë dhe shahu pjesë e Luftës së Ftohtë. E dimë se ku referohet kënga, gjithçka është imagjinare ama gjithçka ndoshta dhe i ngjanë “potezave” të shahut, vetë përshkrimi i Bangkokut por dhe secila luftë reale me planet e strategjikat në kokën tonë sikur asocionojnë “lëvizjet e shahut”. Padyshim më së shumti do përputhej Lufta e Ftohë, nga aspekti i figuracionit ishte gjetje e qëlluar metaforike (e dimë që ca vite më parë amerikani Fischer e pati sfiduar shahistin sovjetik, kampionin botëror, pra duhet ta kujtojmë v. 1972 dhe Islandën, Ndeshjen e Shekullit, ndeshjen mes sfiduesit Fischer të ShBA dhe kampionit Spassky të Bashkimit Sovjetik).

Duke ngërthyer (përzier) klasicizmin dhe pop-stilin muzikor, aranzhimi suedezo-britanik i “Natës në Bangkok” sikur do “stampohej” në mbamendjen e rinisë së mbarë botës, qoftë dhe thjesht sepse i “thyente” barrierat zhanreske të muzikës së asaj kohe.
Vetëm 2 vite më tutje, në v. 1986 rok-grupi suedez i quajtur “Europe” do vinte me hitin “The Final Countdown” (Numërimi Final… ose Përfundimtar) për ta kapur majën e top-listave të 25 shteteve… Rishtas suedezët, thuase gjithçka e muzikave të tyre për “momentin” na qenkësh motivuar e ngjeshur “politikisht”. Valët e gjenialitetit muzikor suedez sikur pa kompromise, do ta ndihmonin “shtyrjen” e Murit të Berlinit që të rrëzohej, shembja sikur do ishte e pashmangshme, thuase dhe arti e kishte “fluktuar” presionin e vet andej kah Lindja, andej kah Berlini Lindor. Pavarësisht se albumi “Shahu” me plotkuptimin e fjalës ishte bashkëpunim evropian, te involvuar suedezet, anglezet, gjermanet… gjithsesi grupet suedeze ABBA dhe Europe flisnin me gjuhën më të pastër artistike, muzika me universalizmin e vet do t’kontribuonte që “politika e murit” të sfidohej, muzika si art do ta bënte të veten. Muzika do t’kontribuonte ndoshta po aq sa dhe diplomacia dhe mesazhet politike të State Departmentit, dhe të mbarë Perëndimit…
| . . .

Ngjitur: Hyrja orkestrale e këngës “Një Natë në Bangkok“, 1984 (Pjesë e Shfaqjes Teatrale Muzikore “Chess” – Shahu)

 

Një natë në Bangkok“, 1984
[ Autorë: Timothy Rice (Angli), Benny Andersson dhe Bjoern Ulvaeus (ABBA – Suedi) – përkthimi: S. Guraziu, AP, J 2020 ]

Bangkoku, skenë orientale
Qyteti s’e ka idenë çfarë po pret qyteti
“Creme de la creme” e botës së shahut
Spektakël me gjithçka, përveç Jul Brinerit

Fluturon koha, s’duket as një minutë
Meqë banja Tiroliane e zënë me djemtë e shahut
Gjithçka ndryshe, padyshim e dini, kur njeriu
Luan në këtë nivel s’ka spektakle të zakonshme
Është Islanda, ose Filipinet, ose Hastings*, ose
Ose ky vend!

Një natë në Bangkok dhe bota është gocëdeti e jotja
Baret janë tempuj por perlat s’janë të lira
Do ta gjesh një zot në çdo tempull të artë
Dhe nëse t’kesh fat, atëherë zoti do jetë femër
Mund ta ndiej si rrëshqet përpjet trupit një engjëll

Cilido qytet pakashumë i ngjason një tjetrit
Kur koka varur mbi figurat tua, vëlla
Është e mërzitshme, monotoni, për keqardhje
Sytë ngulur në tabelën, e t’mos shohësh qytetin

Ç’do thuash mo?
Ke par’ një qytet rrëmujë, të ndotur, plot duhmë
Çaj, vajza, ngrohtë, ëmbël
Disa janë akomoduar në suitën Somerset Maugham
Provoji tai-gejshat, je duke folur me një turist
Veprimet e të cilit ndër më të pastrat
I marr të goditurat mbi belin, shkëlqim

Një natë në Bangkok burrat e fortë i bën të gjunjëzohen
Jo aq larg mes dëshpërimit dhe ekstazës
Një natë në Bangkok dhe djelmoshat e ashpër rrëzohen
S’mund t’kujdesem sa duhet në shoqërinë tënde
Mund ta ndiej djallin tek çapitet krah meje

Siami do t’jetë dëshmitari
I provës përfundimtare të fitnesit intelektual
Kjo më pushton më shumë sesa
Lumi i vjetër plot llum, ose Buda i shtrirë
Dhe falë Zotit jam vetëm duke parë lojën,
duke e kontrolluar
S’po shoh që ju djema jeni duke vlerësuar
Llojin e mat-it që po jua përshkruaj
Do t’ju lejoja ta shihni, do t’ju ftoja
Por mbretëreshat që ne përdorim s’do ju ngacmojnë
Kështu që më mirë kthehuni në baret, në tempujt tuaj
Në sallonet e masazhit

Një natë në Bangkok dhe bota është gocëdeti e jotja
Baret janë tempuj por perlat s’janë të lira
Do ta gjesh një zot në çdo tempull të artë
Pak mish, pak histori
Mund ta ndiej një engjëll tek rrëshqet përbri

Një natë në Bangkok burrat e fortë i bën të gjunjëzohen
Jo aq larg mes dëshpërimit dhe ekstazës
Një natë në Bangkok dhe djelmoshat e ashpër rrëzohen
S’mund t’kujdesem sa duhet në shoqërinë tënde
Mund ta ndiej djallin tek çapitet krah meje

[ “Metafora muzikore e Luftës së Ftohtë!” – S. Guraziu – Ars Poetica, J 2020 ]