Këpucët e Lamtumires

KËPUCËT E LAMTUMIRES
S. Guraziu, 2012 (sprovë për një rrëfenjë…)

zemra e një femre është si oqeani përplot sekretesh, panumër sekrete fsheh një zemër femre…” (Rose, “Titanic”, 1997 – James Cameron)

Mbrëmja se ç’kishte diç të dimrit në vetvete, nuk e kuptonte përse por Zgjimi kishte një lloj ndjenje sikur të ishte një mbrëmje dy-tri ditë para Krishtlindjeve, mbrëmje me fjolla bore atje diku në Birmingham, nga ku ai vinte. Kishte tashmë shtatë-tetë vite që jetonte atje. Por jo, ishte një mbrëmje e freskët shtatori, një mbrëmje e zakonshme prishtinase.
Bazuar në mesazhet e Zanës, ishte dita e dytë me freski pas disa muajsh thatësie e vape. Në fakt kryeqyteti kosovar i ngulfatur nga betoni akoma ishte po aq i ngulfatur dhe nga pluhuri. Njëjtë sikur dhe një javë më përpara, sikur dhe një muaj më herët. Edhe pse pati rënë pakëz shi – sipas Zanës s’mund të thuhej që s’pati rënë. Mospërmendja e shiut pas aq shumë muajve plot vapë e zallahi do merrej si shtrembërim… ose dhe gënjeshtër e kulluar.

Dyqani ku vajtën s’ishte dyqan këpucësh, Zgjimi s’ishte aq i sigurt nëse mund të quhej “dyqan” një Jumbo-dyqan, një mega-dyqan… Diç si ndonjë fabrikë kineze e boshatisur dhe kthyer në dyqan për të gjitha mallrat së bashku të Rumanisë, të Kinës, Bullgarisë, Turqisë… Të gjitha markat “jo-firmato” të stilit a la kinez grumbulluar në një vend. Dyqani më i madh i Evropës së pasluftës për këpucë komode, edhe pse aty nuk shiteshin vetëm këpucë. Diç më të madhe, ashtu si ndonjë dyqan-hangar i paskajshëm, s’kishte parë kurrë në jetën e tij. Më shumë hapësirë s’kërkon as panairi i Frankfurtit, as ndonjë Aero-Show i Parisit, as vetë panairi “sex-toys” i Londrës, i Amsterdamit, i Tokios – pati menduar duke buzëqeshur derisa sodiste raftet e gjata pa fund të dyqanit.

Trafiku ishte i ngulfatur po ashtu, disa hapa dhe kaotikja e kolonës urbane reflektohej rishtas në xhamat, sikur rishtas ajo gruaja e mërzitur e makinës përanash shtrembërohej në xhamin e tij. Por Zgjimit i pëlqente “ngadalësia”, aspak nuk brengosej për trafikun sepse ato çaste secilën herë e më shumë elektrizoheshin me romantikën, me parfumin e saj. As që e vriste mendjen për diç tjetër përjashta. E gjithë bota e tij, fizikisht, shpirtërisht e mendërisht ishte aty në gëzhojën e makinës. Muzika s’ishte vetëm ngushëllim për dendësinë e trafikut dhe për faktin se makinat qenë katandisur si breshkat e trullosura të Gërmisë, muzika po ashtu ishte topitëse e ndjenjave të tyre. Zana vetë disa herë provoi të gjente ndonjë diç më të “pëlqyeshme”. Herën e fundit që preku butonat… ia bëri me shenjë dhe atij se më në fund ishte e kënaqur me melodinë. As ajo s’dukej e tendosur, përkundrazi shumë e relaksuar. Dukej si diç e lehtë, si një maskotë e bukur pambuku, si një Barbi-kukullë… jo ulur aty në ulësen, por pezull në ajri. Herë pas here buzëqeshte, me njërën dorë në timonin dhe tjetrën e fuste në pëllëmbët e tij, e shikonte dhe ia falte gjithë buzëqeshjen vetëm atij. Këtë ia thoshte me sytë më të ëmbël të botës, me sytë më të bukur që Zgjimi kishte parë ndonjëherë.

***
Atë mbrëmje Zana ia bleu këpucët e lamtumirës, ose më saktë, i blenë së bashku. Ajo pothuaj insistonte, sikur aq shumë ishte e entuziasmuar për t’i blerë një palë këpucë për të. Ai s’mund ta kundërshtonte një Zana, si mund të kundërshtohej shprehja e fytyrës së saj. Atë fytyrë që sikur ndriçonte dhe e mbushte dritë gjithë qenien e tij. Zgjimit i dukej si ndonjë fytyrë engjëjsh nëpër pikturat, fytyrë e pastër, e kthjellët, e ngrohtë. Nuk i dukej ashtu vetëm sepse e donte, vetëm sepse ndjente për të. Sipas tij, buzëqeshja e saj ashtu-kështu i jepte dritë dhe vetë rrugës përpara, ndoshta më shumë se dritat e makinës. Zana vetë ishte e tillë, thjesht nga natyra ishte ashtu një qenie e bukur, e freskët, e ngopur ëmbëlsi.

Zëri i saj, ngrohtësia e buzëqeshjes e mbanin prej ditësh “të dehur”, assesi të këndellej. Por tani zëri i ëmbël e magjepste jashtë mase, dhe tingujt e “Secret Garden” zgjedhur nga ajo, sikur zbrampseshin në sfond për t’u strukur thellë diku në këpucët e vjetra që i kishte mbathur, blerë para dy muajsh. Për disa çaste më vonë do i dhuroheshin një palë të reja, të cilat këpucë ai e dinte se do jenë këpucët e lamtumirës. Mirëpo Zana s’e dinte këtë detaj. Dhe me pikëllimin skajshmërisht të maskuar u zotua se do i mbathte ditën që të nisej, ditën që do ndaheshin. Ndonëse ditën e saktë s’e dinte. E dinte se do t’ndahej nga dikush që ai e donte shumë. Tërë jetën pati pritur ta takonte, mund të vdiste në cilëndo kohë për të. Kaq dinte ai tani, dhe sikur s’donte të dinte diç më shumë.

Por e dinte po ashtu se kurrë s’do jetë e mundur të ishte me të seriozisht. Zgjimi besonte në dashurinë, besonte tepër shumë. E kaluara e Zanës tani diç të tillë sikur e bënte të pamundur. Sikur diç e kishte stampuar përshtypjen tek ai që ajo thjesht “nuk besonte tutje në asgjë”, diç e ëndrrës së saj qe lëkundur dikur moti, qe tretur. Ajo s’ndjente diç për një lidhje serioze përveç keqardhjes. Ai këtë e dinte, e ndiente madje, e kuptonte mirë.

Zana kishte një zemër të lënduar dy-tri herë, dhe as që “guxonte” të mendonte për dashuri, sikur tmerrohej. Zgjimi i pati dëgjuar të gjitha “storie-t” e saj, tani ishte vetëm një fatlum që t’i merrte këpucët. Ishte fatlum që ta shijonte rishtas për disa ditë aromën dhe ngrohtësinë e saj. Ajo do bënte gjithçka për të, do ia falte çdo gjë për disa ditë, e madje dhe “zemrën”. Jo vetëm sepse vetë nuk humbiste gjë, por dhe sepse ajo tani ndjente pakëz keqardhje, ajo e njihte një zemër që kishte ai. Zana thjesht kishte manipuluar “pakëz” me ndjenjat e tij. E kishte manipuluar atë, sikur dhe veten, pa dashur të lëndonte – ose, pa menduar mirë se mund të lëndonte. Donte ta kishte jetën siç ajo e përceptonte, ta mbushte me përjetimet që s’kishte patur mundësi dikur, kur nuk ishte “e lirë”. Për të tani gjithçka ishte ashtu siç ishte, rrjedhë e lumit të jetës.

Njohja me Zgjimin ishte një “summer love” si një aventurë spontane, “for fun” – siç shpesh e thoshte këtë shprehje në bisedat, lidhur me gjithçka. Muajt e fundit ajo ia pati shpalosur disa nga ëndrrat. I pati folur gjerë e gjatë për dështimet dhe pafatësinë e saj. Ose më e saktë: i pati folur për gjithçka, për një milion sekretet. Madje dhe më të fshehtat e zemrës ia pati zbuluar, por vetëm dy-tri gjëra i pati heshtur. Përshembull nuk ia zbuloi motivin e “pasurisë”, që tani ishte forca shtytëse qendrore e dashurisë së saj. Nuk ia zbuloi as faktin se ai nuk ishte i vetmi për momentin si “lidhje miqësore”. Pra gjërat më kryesore nuk ia pati përmendur.

Jo se Zgjimi ishte naiv por pas muajve të tërë të shkëmbimit të sekreteve, edhe Zanës iu dha rasti ta njihte zemrën e tij. Këtij në një moment iu pati kujtuar ajo plaka e “Titanikut”, i gjithë filmi në fakt është rrëfimi i protagonistes bukuroshe, në pleqërinë e thellë, në bordin e anijes eksploruese. Iu kujtuan fjalët e saj, “zemra e një femre është si oqeani përplot sekretesh, panumër sekrete fshehë një zemër femre”. Pakashumë për Zgjimin çdo gjë qe qartësuar me kohën. Kishte vetëm pak dallim mes realiteteve dhe botëkuptimeve të tyre, ai s’kishte motive as kushte, ai mund ta donte dhe ashtu kot, jokushtimisht.

Kështu siç ishin punët ai thjesht duhej të pajtohej me kaq, të mbeteshin miq… por dhe “miq” që i ndajnë sekretet dhe kënaqësitë, secilin sekret. Pse jo dhe më shumë se aq, nëse ta kërkonte nevoja. Sipas Zanës kjo ishte miqësi dhe “dashuri” moderne së bashku. Diç që, nëse e ke lirinë dhe nëse s’ke arsye të pretendosh diç më shumë, s’është aspak e pamundur. Zana për shumë gjëra sikur të qe “influencuar gabimisht” nga serialet e llojit “Sex and the City”. Ndonëse nuk ishte ashtu, Zgjimi thjesht bluante në kokën e tij. Nëse të paralelizohej “feminizmi avangard” i një femre të lirë njujorkeze me klishetë bie fjala të “Familjes Moderne” ndoshta do ta fitonim një version të “seksit dhe qytetit” prishtinas, e pse jo dhe tiranas. Do kujtonim se “liria” nuk ishte aspak e shtrembëruar në ëndrrat e saj, dhe as e “reflektuar” keq në realitetin e metropolit kosovar. Standardet e saj do përputheshin tekefundit me “idealistikën”, me utopizmin njujorkez për etikat e imponuara nga “aristokracia elitare”, sepse gjithçka përthithet ose bie në standardin qendror të vetë natyrës – të luftës për ekzistencë.

Natyra dhe elitarët e avangardës perëndimore, natyrisht, nisen nga të njëjtat premisa. Përshembull, në Natyrë e gjitha çfarë ligjet e saj diktojnë është që disi të arrihet statusi i “luaneshës”, apo i “luanit”, pastaj të gjitha normat dhe ligjet e ekosistemit mund të shkilen, të shpërfillen, të ri-dizajnohen… të eksperimentohet sipas qejfit dhe secilës ide në kokat e elites luaneske. Elita aristokratike e krijon njeriun modern në Nju Jork, në Paris, në Londër, në Tokio… njeriun modern ashtu siç e njohim, siç ai përshfaqet në serialet, në filmat e Hollivudit, në romanet, në reklamat e nëpër miliona revistat e botës. E krijon duke i diktuar normat, etikat, trendet, politikat, kulturën, moden dhe gjithçka, një milion gjëra, panumër gjëra.

Edhe “Familja Moderne” dhe secili version më i avancuar i së nesërmes prishtinase të njëjtën bëjnë, kuptohet sipas “rripit dhe xhepit” kosovar lidhur me avancimet. Të njëjtën bën dhe Top-Channel me jo-origjinalitetin e tyre (qofshin dhe ndër të parët në klasin e vet si kopjac) me njëmijë e një kopjimesh, “huazimesh” dhe plagjiaturash. Pastaj se mos vetëm ata, le ta analizojë lexuesi pak më thellësisht vetëm emrin TV-Klan, dhe do ta ketë të qartë, pa qenë nevoja të analizojë diç tutje. Të njëjtën bën dhe Cani me “Zonën e tij të Lirë” duke ia krasitur rrugën rinisë elitare, duke i kalitur “standardet” e saj moderne. Kështu bën dhe MTV në nivel pan-european që nga vitet ’90… nëse s’gabohem për nismën e tyre.

Sepse kështu e diktojnë rregullat e secilës shoqëri të avancuar, njëjtë është në Paris, në Prishtinë, në Birmingham. Bie fjala, do ishte absurd, s’mund të ndodhë që katundarët e Qyqallës, apo varfanjakët atje ku lehin qentë e Rezallës t’i shesin mend elitës luaneske prishtinase… Apo nga getot e baltosura të Tiranës ndokush si kikirez t’ua shiste kokërr-mendjet e zeza si kakërdhi dhish të kooperativës së Llakatundit, elitarëve të Bllokut, bah, nonsens!

Nuk ishte se qe “shokuar” nga asnjë detaj i njohjes së realitetit, dhe as nga rrjedhoja e gjërave lidhur me romancën e tij, por Zgjimi secilën ditë e më shumë ndjente ta pllakoste një dhimbje e beftë. Sikur qe bindur se ai kurrë s’mund t’i shmangej pafatësisë së tij. Në një moment, kur Zana i tregonte diç gjatë darkës diku në preiferi, pothuaj jashtë qytetit, donte t’i fliste me ironi se i vinte mirë që dhe femra moderne prishtinase më në fund na qenka “modernizuar” duke i përqafuar standardet më të avancuara (me prejardhje nga elitat e perëndimit). Pse t’mos ketë dhe shoqëria shqiptare standarde, pse t’mos jetë dhe shoqëria kosovare një armatë “socio-klonësh”, produkt i elitave moderne. Pse t’mos ketë dhe Prishtina versionin e vet të “Sex and the City”, pastaj dhe Tirana, pse të ngelen tiranasit mbrapa.

Por e dinte se ishte marrëzi e ardhur në sipërfaqe nga pikëllimi i tij, nga mërzia e tij. E dinte se ishte thjesht marrëzi. Nuk donte ta lëndonte kurrë, në asnjë mënyrë, për asgjë të kësaj bote, prandaj dhe s’do ia thoshte asnjë fjalë që ajo të ndjehej keq. Edhe ajo ia pati thënë të njëjtën sa i përket “lëndimit”. Ai vërtet e pati ndjerë keqardhjen në përqafimin e saj, dhe nga ai moment sikur filloi ta donte akoma më shumë. E donte ashtu siç ishte, me të gjitha konceptet dhe skicat e saj për botën, do ta donte gjithë jetën ndoshta.

Madje sikur pati provuar ta lehtësonte ndërgjegjen e saj duke i thënë: “nëse do lëndohem, do jetë vetëm sepse e kam lënduar veten, paralajmërimi yt nuk është aspak me vonesë, përkundrazi… dhe jam shumë mirënjohës për këtë, askush s’na detyron të torturohemi në zemër dhe rreth e përqark saj, vetë duhet ta kemi nën kontroll botën tonë të ndjesive, ëndrrat janë vetëm ëndrra, realiteti s’mund t’jetë përrallor, ashtu-kështu nuk jemi kalamaj dhe as jo në Dizniland apo jo…”.

Marrëveshja e heshtur dhe mirëkuptimi sikur qe vulosur me ardhjen e tij për të fundit herë. Me ardhjen për t’i marrë këpucët me të cilat do ikte përgjithmonë. Këpucët të cilat, përpara se të ikte, do i mbante për katërmbëdhjetë orë mbathur. S’do ta vrisnin as dhe një grimë, s’do ta shtrëngonin as në thembër, as në gisht. Të vetmet këpucë në jetën e tij që qëlluan komode aty për aty, që nga mbathja e provës, që nga hapi i parë. Edhe më pastaj kurrë s’e vranë për tre ditë rresht. Këpucë me të cilat mund t’i ngjiste dhe bjeshkët, mund të shkonte atje ku këmba e tij s’kishte shkelur ndonjëherë më parë. Këpucë me të cilat lehtë mund t’i “thyente” kufijtë e tre shteteve në një pikë të vetme, brenda një dite të vetme. Kur të kthehej, në imagjinatën e tij Zana do ia pastronte me dashuri e kujdes, përpara se të ikte në punë do i bënte rishtas të shkëlqejnë. Ashtu dhe pati ndodhur. Do thaheshin në ballkonin e ngushtë me aromën e luleve, derisa ai akoma në shtrat, i rraskapitur nga dita aq e bujshme dhe aventureske, nga ecja aq e gjatë…

***
U këndell dhe zbuloi se asgjë s’ishte ëndërr, ishte vetëm i përhumbur, i kruspullosur nga dhimbja. Ndenji ashtu tërë paraditen, meditonte i shtrirë. Kishte qetësinë, vetminë, aromën e luleve të ballkonit dhe lotët… derisa ajo të kthehej. U zgjat pakëz dhe aty jashtë në ballkon vërtet i pa këpucët që thaheshin. Mendja i shkoi në Vlorë tek nëna e tij, tek motra Ujeza, dhe vendosi të kthehej rishtas në Vlorë për disa ditë. Ç’ne dhe ky fati im kështu! – persiaste sikur për ta ngushëlluar veten. Gjatë kthimit pastaj do i kaloj dhe dy-tre shtete pa i zbathur. Përveç në aeroportin e Rinasit, aty s’jam i sigurt. Sepse ai detektori i tyre për gjësendet metalike shpesh bën zhurmë kot. Dhe sigurisht një nga ato vajzat ose një djalosh me shumë mirësjellje do më urdhrojë t’i zbathë, me justifikimin “për inspektim manual”. Dhe unë njëjtë duke buzëqeshur do t’i zbathë, me kujdes do i vendosë në trakë por nuk do shqitem prej tyre.

Si një fëmijë ashtu sypërlotur sikur u betua që t’i ruante këpucët tërë jetën. U betua të kujdesej për to. Tashmë ishin këpucë simbolike të dashurisë së tij. Sikur qenë kthyer në këpucët për të cilat e fali zemrën me dëshirë, ndjenjat më të bukura, fali gjithçka që pati, për të cilat e përqafoi vetminë. Por jo, s’do jetë nevoja, këpucët do ta dinë sakrificën e tij, kurrë s’do kërkojnë diç nga ai. Do rrinë përgjithmonë diku në dhomën e tij atje në Birmingham. Ndoshta në muzeun më të vogël të botës për këpucët, muze me vetëm një eksponat pas xhamit në vitrinë – këpucët e saj të lamtumirës. Askush s’do ta dijë, vetëm ai dhe këpucët, se çfarë kishte në zemrën e tij. E fundit çfarë do kërkojë herëdokur nga dikush do jetë që ta varrosin me to, mbathur. Me kaq s’do ta mërziste kend – prandaj padyshim kjo do jetë kërkesa e vetme, dëshira e fundit e tij.

Në këtë gjendje qe katandisur Zgjimi, i dukej sikur bota e tij do strukej përgjithmonë në grykat e atyre këpucëve. Në anën tjetër sikur s’kishte asgjë kundër ta humbiste zemrën për diç që ia vlente. Zana ishte gjithçka, më shumë se një ëndërr, ishte princesha e ëndrrave të tij, pavarësisht rrethanave dhe realitetit. Ashtu e përceptonte ai “botën” e vet të dashurisë, ashtu ishte brumosur diç në zemrën e tij me ëndrrat ndër vite, ashtu besonte me gjithë zemrën dhe arsyen.

Në mbrëmje kur iku nuk i tha “lamtumirë”… nuk ia tha asnjë fjalë të ëmbël, zëri i tij ishte i ngjeshur me dhimbje dhe vrazhdësi, as nuk e përqafoi. Ashtu i bllokuar nga dhimbja s’ia doli mbanë as të ndahej denjësisht. As ajo s’i tha gjë, stoikisht e qetë dhe e heshtur, e gozhduar nga keqardhja e përcolli pa ndonjë lot. Megjithatë Zgjimi për të parën herë hetoi si qe zbehur e fytyra e saj, i dukej sikur qe vrarë ajo buzëqeshja e ëmbël, syve engjëllor sikur iu pati ikur shkëlqimi. Athua vallë ajo të jetë këndellur, mos vallë e pati kuptuar se “padashtas” kishte gabuar! “Zemra e një femre është si oqeani përplot sekrete…”, s’kishte si ta dinte. Por diç thellë brenda tij i thoshte që “vetëdijësimi” i saj ishte i vërtetë. Tekefundit kishte dëshirë të ishte ashtu, edhe pse asgjë s’mund të zhbëhej… kurrë.

[ ngjitur: skulpturë e artistes holandeze Pieke Bergmans – “Totally in Love”, 2014 ]

Pieke Bergmans – “Totally in Love”, 2014