Joanna Klink – Gjysma Ogur, Gjysma Shpresë

Joanna Klink

GJYSMA OGUR, GJYSMA SHPRESË
Joanna Klink [ 1969, ShBA ]

Kur gjithçka përfundimisht t’jetë prishur dhe tutje shkallmuar,
Kur ëndrra e tyre më e zjarrtë t’jetë boshatisur, dhe e panjohur,
Ata do ta ndiejnë brenda gjymtyrëve nuancën e zhdukur të blusë ngelur
Bregoreve në orët e ftohta para errësirës, dhe myshkun e skaj-pyllit
Kur gjelbërsia fillon ta braktis atë. Ç’fusin në intimitetin e tyre (gjysma e qafimit të tij,
Dhuna e lojës së saj) janë hije veprimesh që në vetvete s’kanë lamtumira.
Hëna i nxjerr mbi tokë. Dhe kur, në strofullat e tyre të ndara, kur trupat e tyre
Ndiejnë ardhjen e stinës tjetër, ata s’kanë më asnjeri për t’ia thënë.
Retë e ëndërrpërhumbjes shkasin përtej dritares dhe një zbrazëti e çuditshme
Rimbushet brenda. Nëse ata dashurojnë, është vetëm sa për t’u adhuruar,
Sa ta shpërndajnë e rimbledhin veten si farash të forta në një fushë
Kthyer djerrinë nga një zjarr që dikush vite më parë e pati shkaktuar.
Në pyjet e qeta, nga pemët më të larta, gjithmonë ka diç që bie e
Papeshë; dhe ai i cili duhet ta kuptojë se disa humbje janë të pariparueshme,
Natën i flet vetes, para pasqyrës më të errët, se pikërisht ai vizion e mban të plotë.

Në skajbuzën e gjumit të ngrohtë e pa ëndrra, ata i thonë vetes që disa dashuri
Janë si fletë uji të errët, ose pyje të akullta, ose lëvore anijesh. Për ta ndalur një
Diç të tillë si kjo, nënkupton përgjysmimin e një tingulli që buron nga mendimet e një
Personi të heshtur. Stampimi që ata e lënë në trupat e njëri-tjetrit ia vlen çdo dhimbje
Që mund ta kenë shkaktuar. Qetësia bie rreth tyre. Dhe kur ajo zgjatet kah ai,
Ajri gjelbërzohet si drita nënujore, dhe ujërat e puseve pikojnë.
Ata do i shohin hijet e insekteve përsëri.
Do ta prekin trungun dhe do ndiejnë se si çdo moshë e pemës fluturon lirshëm
Brenda tyre. Nëse ajo çfarë s’është më e pranishme s’mund të riparohet,
Sëpaku mund të sakrifikohet. Muzgëtirave të gjata hutaçe, rriten filiza fshehtësie;
Shirat i mbushin dhe i lënë retë; kafshët pezullojnë skajeve të fushave
Me sytë si pellgje të zeza. Pasi asgjëja s’mund të transformohet;
Kënaqësia dhe dështimi ushqehen reciprokisht çdo ditë. Mos pandeh ndonjë puhizë,
Cilado kokërr dritë do pushojë të jetë. Gjithë yjet velore të tyre do t’jenë.

– – –
© 2010 J. Klink – Burimi: Raptus (Penguin Books), via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2020